Partia Demokratike e Kosovës

PARTIA

Historiku

PDK, PARTI ME NJË TRASHËGIMI TË PASUR POLITIKE

 

Zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e mori në maj 2016, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit para se të votohej President i Republikës së Kosovës, duke përmbushur kështu një obligim kushtetues që e sheh të papërputhshëm postin partiak me atë të kryetarit të shtetit.

Hashim Thaçi, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet, nga ai i kryetarit të PDK-së dhe nga ato qeveritare. Ai dha dorëheqje nga PDK-ja pas 17 vjet drejtimi të saj. Hashim Thaçi dha dorëheqje në momentin kulmor të fitoreve të PDK-së. Ai e la atë si parti fituese dhe të sprovuar, ndërkohë që kjo parti po hyn në një fazë të re me lidership të ri.


Largimi i një lideri partiak, pasi ka korrur sukses të madh në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe duke gëzuar besimin e plotë të brendshëm të partisë, përbën një rast unik për politikën shqiptare të të gjitha trojeve, madje mund të konsiderohet rast i rrallë edhe për vendet e konsoliduara demokratike. Fatkeqësisht tradita politike shqiptare ka njohur vetëm themelues të partisë që kanë hequr dorë nga drejtimi i partisë vetëm pas dështimeve të mëdha elektorale apo pasi janë dëbuar nga partia e tyre.


Z. Veseli, PDK-në e mori në dorëzim me një bilanc shumë pozitiv dhe me të arritura maksimale. Kjo parti është subjekti politik numër një në skenën politike, e verifikuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Prej 17 nëntorit 2007, si zgjedhjeve të vitit 2010, PDK-ja është partia më e votuar në Kosovë. PDK-ja, si parti nacionale parlamentare, që në start ka dhënë Kryeministrin e qeverisë së Kosovës, z. Bajram Rexhepi, (2002) të krijuar në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje me bazë të gjerë proporcionale.


Partia Demokratike e Kosovës ka fituar edhe tri herë të tjera të drejtën për ta qeverisur Kosovën, me kryeministër z. Hashim Thaçin 2008–2010 dhe 2011-2014. Në fundvitin 2014, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, krijon koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tërhiqet në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës. Gjatë qeverisjes së saj, PDK-ja ka shërbyer edhe si një shkollë kuadrosh dhe i ka dhënë mundësinë një duzinë ministrash dhe zëvendësministrash që të dëshmojnë veten.

Po ashtu, PDK-ja ka drejtuar dy mandate Kuvendin e Kosovës dhe aktualisht drejton mandatin e tretë (prej 2014-s) të Kuvendit të Kosovës përmes kryetarit Kadri Veseli.


PDK-ja është parti nacionale, parlamentare me identitet të qartë shtetformues që e ka dëshmuar veten si të tillë përballë çdo sfide që ka hasur Kosova e çliruar. Duke qenë parti fituese e zgjedhjeve të nëntorit 2007, kryetari i PDK-së, Kryeministër i Kosovës, shpall Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, duke nënshkruar kështu hapin më të rëndësishëm historik të Kosovës.


Më 26 shkurt 2016, PDK-ja dha edhe një profil të lartë politik nga lidershipi i saj, për institucionin numër një të Kosovës, Presidencën e Kosovës. Nga Kuvendi i Kosovës, z. Hashim Thaçi u zgjodh President me mandat pesëvjeçar. PDK-ja, nën drejtimin 17-vjeçar të kryetarit Hashim Thaçi, kaloi nëpër sprova të rëndësishme dhe i tejkaloi të gjitha sfidat. Nga parti opozitare u bë parti në pushtet përmes fitores së zgjedhjeve nacionale, por edhe atyre lokale në shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës. PDK-ja arriti ta tejkalonte sfidën e largimit të një pjese të pakënaqurve dhe doli forca e parë politike sërish më 8 qershor 2014.


Parë në retrospektivë mund të thuhet se PDK-ja skenës politike të Kosovës i ofroi katër modele të kulturës politike.

Së pari, njohjen e rezultatit zgjedhor në tetor të vitit 2000. Siç kanë treguar këto dy vitet e fundit, një pjesë e mirë e partive të tjera ende nuk kanë ditur ta pranojnë në mënyrë dinjitoze humbjen zgjedhore.

Së dyti, PDK-ja ka treguar gatishmërinë për t’u tërhequr një hap prapa për hir të stabilitetit institucional dhe konsolidimit të shtetit. Si akte të tilla për të shmangur përkeqësimin e krizës politike mund të konsiderohen bërja kryeministër e Bajram Rexhepit 2002 dhe lënia e ekzekutivit në dorë të Isa Mustafës në fund të vitit 2014.

Modeli i tretë novator i sjellë nga PDK-ja ka qenë krijimi i koalicionit të gjerë, duke pranuar që për hir të stabilitetit të vendit të formojë qeverinë me LDK-në, pra partinë kryesore rivale, si në 2008-n ashtu edhe në 2014-n.

Së katërti, si asnjë parti tjetër ka aplikuar filozofinë e durimit dhe qetësisë përballë forcave të tjera politike (gjakftohtësia e tejkalimit të ngërçit politik në kohën e bllokut VLAN dhe periudhën e gazit lotsjellës prej shtatorit 2015 deri më sot). Ky model durimi dhe vetëpërmbajtjeje për hir të vendit është një leksion që duhet të merret nga çdo parti politike shqiptare.


PDK-ja ka tejkaluar me sukses të gjitha sfidat për të qenë parti lidere e vendit, duke u treguar e hapur ndaj kuadrove të reja dhe duke dhënë mundësi për qarkullim të elitës dhe inkuadrimin e të rinjve të talentuar e të kualifikuar. Po ashtu, pavarësisht se origjinën e ka nga lufta, ka treguar se më së miri di të ndërtojë paqen duke u bërë parti kredibile me të gjitha pakicat etnike.

Falë energjisë dhe vitalitetit të saj të brendshëm ajo u dëshmua e pathyeshme edhe kur në fushatë zgjedhore u ballafaqua me të gjithë kundër. PDK-ja ia doli të fitojë edhe kur nga brenda saj ndodhi një shkëputje sporadike dhe lokaliste, por edhe në çaste të vetmisë së përkohshme (2014). PDK-ja triumfoi edhe kur kuadro të saj u goditën nga procese gjyqësore të bazuara në shpifje dhe konstruksione nga qarqet antishqiptare.


Përfundimisht mund të thuhet me gojë plot se PDK-ja është formacioni politik, përmes së cilës është shkruar historia më e re e Kosovës, historia e hedhjes së themeleve të shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Liderit të ri të saj, z. Kadri Veseli, i uroj sukses në drejtimin e këtij subjekti me peshë të madhe historike, me shpresë që do ta konsolidojë edhe më tej traditën ekzistuese, si dhe ta pasurojë me modele të reja të kulturës politike dhe me faza suksesesh të reja.

13.3.2016

Ismail Syla