Plani i Rimëkëmbjes

Deklarata politike


Kohëve të fundit, vendi ynë është dashur të lundrojë në ujëra të vështira. Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi dhe goditja që mori ekonomia jonë, pastaj ngritja e populizmit dhe demagogjisë, kanë pasur ndikim shumë të madh në mirëqenien e qytetarëve. E ardhmja e Kosovës varet, tani më shumë se kurrë, në atë se si mund t’i adresojmë këto çështje në mënyrë që të shkojmë përpara, së bashku. Varet nga ne, qytetarët, që ta drejtojmë vendin tonë në rrugën e stabilitetit.

Në mënyrë që ta fuqizojmë veten, ne duhet të fokusohemi në atë çka është me të vërtetë e rëndësishme. Duhet t’i lëmë prapa dallimet dhe të bashkohemi nën një flamur për hir të së ardhmes tonë. Prioritetet tona për të ecur përpara janë thellë të lidhura me kauzën tonë për liri dhe qëllimin tonë për njohje në arenën ndërkombëtare. Ne kemi në duart tona një program të përkushtimit, rezultat i punës së përgjegjshme, të matur dhe të koncentruar. Çfarë ne duam të zbatojmë është pikërisht vullneti i qytetarëve.

Ne duam të fokusohemi në ekonomi sepse kjo do të na dërgojë në rrugë të prosperitetit. Niveli i pasojave ekonomike dhe shoqërore të pandemisë nuk është lehtë të matet, por të gjithë mund të pajtohemi që ekonomia jonë është goditur fort. Për këtë arsye ne kemi nevojë për Rimëkëmbje, për këtë arsye kemi nevojë për një program pragmatik që do ta përgatisë shoqërinë tonë për periudhën pas Covid-it. Një program që do ta kthejë ekonominë nga rënia drejt rritjes. Qëllimi ynë? Të shërojmë dhimbjen që i është shkaktuar qytetarëve tanë, të ofrojmë pako stimuluese për rimëkëmbje të ekonomisë, ta përgatisim fuqinë tonë punëtore për sfidat e së ardhmes. Dhe ne premtojmë se askush nuk do të mbesë prapa!

Duam që të fokusohemi në sundimin e ligjit sepse kjo do të garantojë që të dobëtit janë të mbrojtur nga të fortët dhe të varfërit nga të pasurit. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pa marrë parasysh sa me ndikim apo të pasur të jenë. Askush nuk duhet të jetë mbi shtetin dhe institucionet e tij, pa marrë parasysh sa të fuqishëm apo të paprekshëm mund të duken. Të gjithë kosovarët janë të barabartë para ligjit dhe qeveria jonë do ta garantojë këtë parim thelbësor. Jo më gënjeshtra, jo më populizëm, jo më mos respekt për vendin tonë, këtë ne jua premtojmë.

Duam që të fokusohemi në politikën tonë të jashtme sepse e dimë që raportet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës nuk janë në nivelin e duhur. Shumë prej raporteve të vendit tonë, qofshin ato ekonomike, diplomatike apo politike, janë lënduar me veprimet e demagogëve të papërgjegjshëm. Pozita e vendit tonë është dobësuar dhe është detyrë e jona që ta kthejmë atë në rrugë të drejtë. Të ndërtojmë raporte të mira me aleatët tonë strategjik, me investitorë potencialë dhe me organizata ndërkombëtare. Ne jemi të përkushtuar që ta rikthejmë prestigjin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ta fuqizojmë vendin tonë dhe t’i avancojmë qëllimet tona kombëtare dhe shtetërore përmes diplomacisë aktive. Premtojmë që do ta mbrojmë dhe promovojmë ligjshmërinë dhe legjitimitetin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe orientimin strategjik në çështjet e mbrojtjes, bashkëpunimit rajonal, dhe integrimit euro-atlantik.

Duam të përqendrohemi në sistemin tonë arsimor sepse na duhet t’i ndërtojmë aftësitë që do ta bëjnë Kosovën konkurruese në planin afatgjatë. Është detyra jonë të sigurohemi që brezat tanë të rinj të fuqizohen me aftësi dhe njohuri që do t'i lejojnë ata të jetojnë një jetë të begatë dhe të lumtur në atdheun e tyre. Ne na duhet rimëkëmbje në arsim sepse rinia jonë meriton të ketë një të ardhme këtu, në Kosovë, jo jashtë. Jo më familje të ndara dhe jo më ikje të trurit, këtë jua premtojmë.

Ne duam që të fokusohemi në sistemin shëndetësor sepse qytetarët tanë, me të drejtë, janë të shqetësuar për pandeminë dhe uljen e nivelit të shërbimeve shëndetësore të ofruara vitin e kaluar. Sfidat janë të mëdha, por qytetarët tonë kanë nevojë për siguri, dhe mbi të gjitha ata kanë nevojë të ndihen të respektuar. Përmes një udhëheqjeje të përgjegjshme, ne do të garantojmë trajtim të barabartë – në fund të fundit, përballë sëmundjes të gjithë jemi të barabartë. Ne premtojmë qeverisje transparente, qeverisje kompetente dhe të dijshme. Programin tonë politik ne nuk e kemi ndërtuar në qendrën e PDK-së, por në qytetet e Kosovës, me qytetarët dhe për qytetarët. Niveli i interesimit i treguar nga qytetarët e Kosovës për propozimet tona është i paparë. Qytetarët janë sinqerisht të interesuar dhe janë të përkushtuar që të kuptojnë dhe diskutojnë politikat e propozuara. Kështu duket një demokraci vibrante, kjo është saktësisht tipi i sistemit politik të shëndoshë që PDK-ja dëshiron ta sjellë në tavolinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë Rimëkëmbje, le të punojmë së bashku për të ardhmen për të cilën vendi ynë ka nevojë.

Ekonomi

Rilindja Ekonomike fillon tani
Lexo më shumë

Shëndetësi

Mjek për çdo familje
Lexo më shumë

Sundim i Ligjit

Mbrojtja e qytetarëve tanë, prioriteti ynë kryesor
Lexo më shumë

Politikë e Jashtme dhe Imazh

Interesat e Kosovës duhet të mbrohen
Lexo më shumë

Shpërndaje: