PDK

PDK

Të nderuar qytetarë,

Në vijim do të flas për vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për politikën e jashtme, diplomacinë, politikën e mbrojtjes dhe integrimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës, tema që ne i shtrojmë duke pasur në qendër vizionin tonë kombëtar si shoqëri dhe orientimin tonë perëndimor si shtet.

Sot, për fat të keq, të gjithë e dimë se marrëdhëniet me jashtë të Republikës së Kosovës nuk janë në nivelin e duhur.

Shumë nga relacionet e shtetit tonë, edhe ato ekonomike, edhe ato diplomatike, edhe ato politike, janë lënduar nga qeveritë e koalicionit të mashtrimit të madh të 6 tetorit të 2019-tës.

Ajo çfarë ne jemi përpjekur ta ndërtojmë si pozicion të shtetit tonë edhe ndaj shteteve mike, edhe ndaj aleatëve tanë strategjik, edhe ndaj investitorëve që kanë parë potencial në Kosovë, është bërë e pasigurt dhe e paqëndrueshme nga qasja e pamenduar dhe në kundërshtim me interesin kombëtar e shtetëror e dy qeverive të fundit.

Por, fatmirësisht, marrëdhëniet e shëndosha që i kemi kultivuar si popull dhe si shtet i ri me aleatët dhe partnerët tanë për vite me radhë, janë më të fuqishme sesa çfarëdo qeverie që provon t’i ndryshojë në drejtim tjetër e t’i përkeqësojë ato.

Prandaj, ne jemi të përkushtuar që në qeverisjen e ardhshme të Partisë Demokratike të Kosovës, ta rikthejmë edhe më fuqishëm Kosovën, si aktor rajonal në politikën e jashtme dhe përmes diplomacisë aktive, t’i avancojmë qëllimet tona kombëtare e shtetërore.

Në Rimëkëmbjen që i duhet Kosovës, ne kemi plan ta rimëkëmbim edhe politikën e jashtme të vendit tonë, si dhe orientimin tonë strategjik në çështje të mbrojtjes, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euro-atlantik.

Por, rimëkëmbjen e Kosovën në arenën ndërkombëtare, ne nuk do ta bëjmë vetëm si formalitet. Do ta bëjmë si kapital shoqëror, prej të cilit jo vetëm që do të përfitojë shteti ynë, por edhe gjithsecili qytetar i tij.

Dhe për ta arritur këtë, plani ynë ka tre shtylla themelore: Politika e Jashtme dhe Diplomacia, Mbrojtja dhe Siguria Kombëtare, si dhe Promovimi për Zhvillim.

Prioritetet tona në shtyllën e politikës së jashtme dhe diplomacisë përfshijnë tre elementë kryesorë:

Së pari, ne do të frenojmë dhe do t’i dalim përballë çdo iniciative që cenon legalitetin dhe legjitimitetin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Së dyti, ne do të zgjerojmë vektorin e përfaqësimit diplomatik dhe politik të Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, me prioritet themelor anëtarësimin në OKB, në Këshillin e Evropës dhe në mekanizma të tjerë prioritar; dhe

Së treti, ne do t’i shndërrojmë misionet diplomatike nga koncepti klasik i përfaqësimit, në një kapital diplomatik që funksion themelor e ka lidhjen e vendit tonë me ekonominë globale dhe investitorët e huaj, lidhjen e ngushtë të institucioneve tona shtetërore me diasporën tonë, por edhe lidhjen e sportistëve tanë me sportin ndërkombëtar dhe lidhjen e artistëve tanë me sfondin kulturor global.

Në kuadër të këtyre prioriteteve të politikës së jashtme dhe diplomacisë, më lejoni të ju njoftoj shkurt për disa masa konkrete që janë pjesë e programit tonë:

1.Brenda 100 ditëve të para, ne do të heqim moratoriumin diplomatik të Qeverisë Hoti dhe do të ndërmarrim një iniciativë të koordinuar me SHBA-të dhe vendet mike të Bashkimit Evropian, për ta aplikuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

2.Brenda 100 ditëve të para, ne do ta riorganizojmë platformën shtetërore për rikonfigurimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet me të cilat është lënduar raporti diplomatik nga paaftësia e qeverive Kurti e Hoti, si dhe do të riorganizojmë qasjen tonë për njohje të reja, jo vetëm si formalitet por edhe si përmbajtje. Kështu do ta kundërshtojmë Serbinë në iniciativën e saj kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në botë. Kështu do t’ia pamundësojmë Serbisë veton mbi prezencën tonë në rrafshin ndërkombëtar.

3. Brenda 100 ditëve të para, ne do ta rikthejmë në arenën ndërkombëtare, historinë e vërtetë të shtetit tonë dhe rrugës së tij drejt pavarësisë, për ta konfrontuar hapur e drejtpërdrejtë përpjekjen e konsolidimit të imazhit humanist të shtetit serb, në kurriz të Kosovës, popullit të saj dhe luftës së drejtë për liri dhe pavarësi. Ne jemi të hapur për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe për dialog që merr epilog, të drejtë e të shpejtë, me njohje reciproke dhe zotim për integrim. Por, kurrsesi nuk do të lejojmë që rehabilitimi i Serbisë të kalojë mbi të vërtetën e krimeve kundër njerëzimit, që ka ushtruar shteti serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës me dekada e veçanërisht gjatë viteve 1998-1999.

4.Në kuadër të dialogut ndër-shtetëror me Serbinë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, ne do definojmë qartë qëllimet tona shtetërore dhe do t’i koordinojmë të njëjtat me partnerët tanë strategjik. Për ne, dialogu ka vetëm një destinacion: njohjen reciproke në mes dy vendeve. Ndërsa për të arritur tek ky cak, rruga kalon, ndër të tjera, përmes ndalimit automatik të çdo iniciative të Serbisë për ta penguar forcimin e sovranitetit të Kosovës, zbardhjes së fatit të të pagjeturve, reparacioneve dhe kthimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, si dhe përkushtimit të qartë për trajtim të barabartë e pa kushte në rrugën e integrimit evropian.

5.Gjatë këtij viti ne do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Organizatën Botërore të Tregtisë, në Interpol dhe UNESCO, si dhe në çdo organizatë e mekanizëm ndërkombëtar ku bëjnë pjesë shtetet e lira e demokratike. Për këtë, ne do ndërtojmë një agjendë dhe një plan konkret, të koordinuar me shtetet aleate.

6.Për PDK-në, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të jetë ambicia kryesore e politikës së jashtme të Kosovës për këtë mandat. Kjo është një e drejtë sovrane për Kosovën. Për ta bërë këtë, ne nuk do të presim pafundësisht derisa pengesat gjeopolitike të Serbisë, Rusisë e Kinës të zhduken vetvetiu. Ne do bëhemi kreativ për t’i hequr këto pengesa sa më parë. Në këtë drejtim, ne do të shqyrtojmë edhe transferimin e të drejtës së përfaqësimit tonë të përkohshëm në OKB përmes Republikës së Shqipërisë.

7.Brenda 100 ditëve të para, ne do të zëmë hapin për ta rikthyer edhe më fuqishëm partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky partneritet, jo vetëm që do mirëmbahet siç ka qenë para ardhjes në pushtet të Kurtit e Hotit, por do të thellohet edhe më tej në planin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake. Ne kemi qenë gjithmonë në linjë me atë çfarë përfaqësojnë SHBA-të për kombet e lira e demokratike dhe nuk do të dalim kurrë jashtë këtij përfaqësimi. Tek SHBA-të si faktor politik, ekonomik e ushtarak global, ne do të vazhdojmë të mbështetemi dhe të rrugëtojmë përkrah tyre edhe në të ardhmen, pa hamendje.

8.Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është orientim dhe prioritet shtetëror, të cilin ne do ta thellojmë edhe më tej. Në rrugën e integrimit, ne do vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet anëtare veç e veç, dhe krahas kësaj do të thellojmë bashkëpunimin me BE-në për t’i hapur rrugë anëtarësimit të plotë brenda familjes evropiane. Në fokus të kësaj agjende, është edhe njohja e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së (Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro), për të cilën ne do angazhohemi konkretisht dhe me vendosmëri. Në këtë kuadër, heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja është thelbësore dhe një premtim i parealizuar nga ta, për të cilin ne kemi bërë pjesën që na takon dhe do të kërkojmë një reflektim urgjent nga ana e Bashkimit Evropian që edhe ata ta përmbushin pjesën që ju takon. Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë traditë në partneritet. Ne kemi nevojë për Bashkimin Evropian dhe do të punojmë që Bashkimi Evropian ta lexojë drejtë perspektivën që na mungon dhe të cilin do të kekojmë që ata ta konkretizojnë. Për ta bërë këtë, ne nuk do të presim vetëm iniciativën e BE-së. Ne do marrim pronësi dhe përgjegjësi për punët tona, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i përgjigjet drejt vendosmërisë dhe iniciativës sonë.

9.Krahas SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, prioritet i yni është avancimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë duke nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe socio-kulturor, si dhe integrimin tregtar në mes të dyja vendeve. Së bashku me Shqipërinë, do të ndërmarrim edhe iniciativa të përbashkëta diplomatike për nxitjen e investimeve ekonomike dhe fuqizimin e hapësirës mbarë-shqiptare. Partneritetin strategjik dhe ekonomik krahas Shqipërisë, ne do ta forcojmë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërsa paralelisht me këtë, Kosova do të rrisë bashkëpunimin me Kroacinë dhe Turqinë në një dimension të ri të partneritetit politik, ekonomik e ushtarak.

10.Me PDK-në në qeverisje, Kosova do të vazhdoj të promovojë fqinjësi konstruktive në rajon, duke respektuar mos-ndërhyrjen në punët e brendshme, por duke u angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve etnike në arsim, punë, mirëqenie, pjesëmarrje aktive dhe kultivim të gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të tyre.

11.Ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve në rajon, duke u bazuar në standardet evropiane dhe mekanizmat ekzistues. Ne nuk do lejojmë që politika jonë e jashtme të dominohet nga nismat rajonale, së paku pa u arritur fillimisht synimet tona strategjike në këtë dikaster. Kosova nuk do të hyjë në asnjë aranzhman të integrimit ekonomik rajonal pa vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha vendet e rajonit dhe nuk do të jetë pjesë e nismave ku interesat komerciale të bizneseve tona nuk mund të promovohen dhe të mbrohen pa diskriminim.

Në shtyllën e dytë, atë të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, PDK-ja do të ketë dy prioritete themelore:

1.Forcimin e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen e sovranitetit, territorit dhe popullit të Kosovës nga çdo kërcenim dhe cenim i jashtëm; dhe

Anëtarësimin në rrethin e sigurisë kolektive të NATO-s.

PDK synon që Kosova të ketë një ushtri që është e aftë për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por gjithashtu një ushtri që mund të ofrojë specializime në fusha specifike që i shërbejnë sigurisë kombëtare të Kosovës dhe aleancës së NATO-s, siç janë siguria kibernetike, ekspertiza në paqeruajtje dhe menaxhimi i emergjencave.

PDK synon transformimin e plotë të FKS-së në ushtri profesionale, sipas standardeve të NATO-s, deri në vitin 2025, përmes një procesi dinamik të transformimit, në koordinim me aleatët tonë, në përputhje me ndryshimin e mjedisit të sigurisë në rajon dhe përmes rritjes së mbështetjes financiare të qeverisë për FSK-në.

PDK synon ngritjen e kapaciteteve operacionale me një ritëm më të shpejtë për të zhvilluar aftësitë e mbështetjes luftarake, zhvillimin e Gardës Kombëtare dhe veprime të tjera të nevojshme për të deklaruar Aftësitë e Plota Operacionale.

Ne synojmë një rritje të buxhetit të mbrojtjes, duke arritur 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzime të mbrojtjes në vitin 2025, sipas standardit të NATO-së, pra dyfishim nga buxheti aktual, i cili edhe është zvogëluar nga qeveria e fundit.

Kosova do të ketë një ushtri profesionale, me rritje të komponentës së ushtarëve të FSK-së dhe jo një shërbim të detyrueshëm ushtarak, siç kishin planifikuar dy qeveritë e mëparshme e që nuk është në përputhje me standardet e NATO-s.

Deri në vitin 2024, ne synojmë zbatimin e reformave në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në FSK për të harmonizuar politikën dhe strukturën e mbrojtjes së Kosovës me standardet e NATO-s, në mënyrë që kriteret e nevojshme për anëtarësime të përmbushen në përputhje me praktikën dhe politikën e NATO-s në rajon.

Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, do të zhvillohet në përputhje me programin e qeverisë për politikën e jashtme. Në rrafshin e bashkëpunimit rajonal do të angazhohemi për anëtarësimin e plotë të Kosovës në të gjitha nismat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes.

PDK do të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë. Ne do të propozojmë krijimin e Komitetit të Përbashkët Strategjik të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Kosovës dhe Shqipërisë, për të koordinuar politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të të dyja vendeve, si pjesë e partneritetit tonë strategjik. Duke ndjekur modelin gjermano-francez dhe për të rritur bashëkpunimin bilateral ushtarak, Kosova dhe Shqipëria mund të krijojnë njësi të përbashkëta ushtarake në fushat e sigurisë kibernetike, paqeruajtjes dhe reagimit ndaj emergjencave.

NATO do të vazhdojë të jetë orientimi strategjik i Kosovës në dimensionin ushtarak dhe diplomatik. Andaj, në kuadër të prioritetit tonë të anëtarësimit në NATO, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes me do të hartojmë një plan konkret për t’u bërë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Në shtyllën e tretë, atë të Promovimit për Zhvillim, ne synojmë një Kosovë të hapur ndaj botës dhe zhvillimit global, por edhe një imazh të vërtetë për mundësitë dhe potencialin që ofron Kosova dhe qytetarët tonë.

Në këtë fushë ne kemi tre prioritete themelore:

1.Në rrafshin e diplomacisë publike, një diplomaci efikase ekonomike, kulturore dhe sportive.

2.Në rrafshin ekonomik, promovimin e një ekonomie dhe tregu të hapur për investime të huaja; dhe

3.Në rrafshin strategjik, një Kosovë që importon teknologji dhe kapital, ndërsa eksporton dije dhe shkathtësi të buta.

Diplomacia ekonomike dhe rritja e investimeve të huaja, do të jetë bosht kyç i politikës së jashtme të Kosovës. Shtimi i bashkëpunimit për tërheqjen e investimeve të huaja, nxitjen e eksportit të produkteve të Kosovës dhe promovimin e Kosovës si një destinacion tërheqës do të jene prioritet i diplomacisë ekonomike.

Brenda 100 ditëve të para, ne do ta hartojmë një plan konkret për rrjetëzim, ndërtim të kapaciteteve dhe promovim të potencialit ekonomik të Kosovës për akomodimin e investimeve të huaja direkte.

Në kuadër të diplomacisë ekonomike, ne do të organizojmë forume ekonomike në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe dhe në vendet e Azisë dhe Lindjes së Mesme, me të cilat kemi partneritet, për të tërhequr investitorë dhe për të hapur tregje për bizneset e Kosovës.

Në kuadër të diplomacisë kulturore dhe sportive, ne do të vazhdojmë të mbështesim artistët dhe sportistët tanë për të marrë pjesë në ngjarjet kryesore botërore, duke përfshirë Lojërat Olimpike, kampionatet kontinentale dhe botërore, festivalet e filmit, bienalet e artit dhe ngjarjet e tjera kulturore.

Kosova do të promovoj një imazh real dhe modern, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin e saj, përmes diplomacisë publike dhe kulturore aktive, dhe do të synoj të rris ndikimin e saj kulturor në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim anëtarësimin e organizatave vednore në organizatat ndërkombëtare të sportit, kulturës dhe të arsimit. Kjo do të ndihmojë në ofrimin e mundësive më të mëdha për artistët, sportistët dhe të rinjët e talentuar, për të promovuar kapitalin njerëzore të Kosovës nëpër botë.

Në kuadër të këtij promovimi përmbajtjesor, ne do ta vendosim diplomacinë në funksion të lidhjes së të rinjve tanë me botën dhe tregun e jashtëm. Talenti i të rinjve tanë në teknologji të informacionit dhe komunikimit, programim, inovacion, dije dhe shkathtësi të buta, nuk do të mbetet më peng i vizave, i mbështetjes financiare apo i mungesës së mbështetjes institucionale.

Promovimi i diasporës së Kosovës dhe zhvillimi i një kornize konkrete e cila do të mbështesë zhvillimin kulturor, socio-ekonomik dhe politik të diasporës sonë do të mbetet një objektiv kyç.

Nxitja e investimeve nga diaspora do të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës në të ardhmen. PDK do të miratojë një ligj për investimet nga diaspora që do të sigurojë masa mbështetëse për investime, stimujt tatimor që përfshijnë përjashtimin nga detyrimet doganore, pushime të ndryshme tatimore dhe masa specifike të lehtësimit ose heqjes së taksave.

Për ta lehtësuar lidhjen e diasporës sonë me Kosovën, ne do të investojmë në zgjerimin e infrastrukturës konsullore dhe në krijimin e shërbimeve digjitale për të mundësuar shërbime konsullore më efektive dhe më të lira për bashkëatdhetarët tanë.

Të dashur qytetarë,

Disa nga momentet më të lumtura dhe më krenare që kam përjetuar, e që jam i sigurt edhe ju i keni ndjerë njejtë, kanë qenë ngritja e flamurit te Republikës së Kosovës në Rio De Janeiro pas fitores së medaljes së artë olimpike, ndeshjet e djelmoshave të Kombëtares së Kosovës në futboll, çmimet prestigjioze të filmave kosovarë nëpër festivalet më të mëdha botërore, por edhe përfaqësimi i shtetit tonë në Bienalen e Venedikut apo në eventet globale të inovacionit.

Të gjitha këto dhe shumë momente të tjera dëshmojnë se ne jëmi një shtet i ri, vibrant dhe me njerëz ambicioz e me potencial të jashtëzakonshëm kur u jipen mundësi të barabarta. Këtë tregim të Kosovës duhet ta dijë e gjithë bota. Dhe promovimi i këtij imazhi të vendit tonë është ndër detyrat tona më të rëndësishme.

Kur kam shërbyer si ministër i kulturës, rinisë dhe sportit, i kam parë për së afërmi barrierat me të cilat janë ballafaquar qytetarët e Kosovës, e veçanërisht sportistët dhe artistët tanë. Dhe janë pikërisht këta që në shumë raste ia kanë dëshmuar botës se sa i padrejtë ka qenë izolimi i tyre dhe i vendit tonë në përgjithësi.

Me planin tonë të Rimëkëmbjes, izolimi i të rinjve tanë, izolimi i shtetit tonë dhe i potencialit që ekziston në Kosovë, do të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Me ne, Kosova do ta arrijë peshën e vet si aktor i barabartë rajonal dhe si faktor për paqe, stabilitet, e integrim.

Me planin e Rimëkëmbjes, Kosova do rrisë kapacitetet diplomatike për të realizuar interesat e veta shtetërore dhe kombëtare.

Me Partinë Demokratike të Kosovës, rimëkëmbja e shtetit tonë në planin e jashtëm, do na forcojë lidhjen me aleatët tanë strategjik, si dhe do t’i hapë perspektivë të re marrëdhënieve tona të fuqishme me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Me rimëkëmbjen që do të zë vend që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë, kapacitetet e Kosovës për mbrojtje dhe siguri do të dyfishohen deri në fund të mandatit.

Dinjiteti dhe e vërteta jonë nuk do të mund të tjetërsohen. Përkundrazi.

Me ne, Kosovën e pret një hapje e re ndaj botës së zhvilluar e demokratike.

Orientimin tonë të përhershëm perëndimor do ta vendosim në një kurs të pakthyeshëm dhe të përhershëm.

Efektet e rimëkëmbjes së shtetit tonë në planin e jashtëm, më së shumti do t’i ndjejnë qytetarët dhe veçmas të rinjtë tanë.

Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për t’i marrë këto përgjegjësi. Prandaj me 14 shkurt, na duhet mbështetja juaj.

Për shtet me dinjitet, integritet dhe identitet në rrafshin ndërkombëtar, ne jemi adresa e vetme dhe kjo adresë ka një lider kompetent për t’i realizuar një për një këto zotime. Ai është profesori i nderuar, Enver Hoxhaj.


Shpërndaje: