Hoxhaj: PDK-ja u tregua e bashkuar në kohë të vështirë, VV t’i përmbush premtimet para qytetarëve

Prishtinë, 14 shkurt 2021 - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes konferencës për media, ka falënderuar të gjithë qytetarët që dolën sot në votime, duke thënë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kanë dëshmuar se janë një demokraci e re.

Kryetari i PDK-së, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor, u bë shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.

Tutje, ai ka thënë se populli i Kosovës ka folur dhe vullneti i tyre duket respektuar.

”Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë. Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë. Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, në konferencë, ai e inkurajoi Lëvizjen Vetëvendosjen që të punojë dhe të angazhohet për t’i përmbushur premtimet e tyre para qytetarëve. 

”Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

Kandidati për kryeministër, ka thënë gjithashtu se Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë maksimumin që të sigurojë funksionimin normal të Parlamentit.

”Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.”, ka shtuat tutje Hoxhaj.

Ai, ka falënderuar të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit.

”Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.”, thotë Hoxhaj.

Tutje, ai ka thënë se është krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që kanë treguar përkrahësit e PDK-së, që janë angazhuar për fitoren e partisë dhe rimëkëmbjen e Kosovës.

”Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj tha se PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur.

”PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.”, është shprehur në fund kryetari Hoxhaj.

Fjala e plotë e kryetarit Enver Hoxhaj:

Të dashur qytetarë,

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë.

Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.

Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.

E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve.

Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.

Dua që nga zemra t’i falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.

Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.

PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.

Faleminderit!

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.