Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi: Procesi i Vetingut duhet të zhvillohet përmes Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar në Konferencë për media se pas ftesës që ka pranuar nga kryeministri Kurti, për tu takuar në Qeveri në lidhje me procesin e Vetingut, sot e ka ftuar për takim kryeministrin Kurti në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror ku duhet të diskutohen dhe miratohen çështjet me interes vital për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme.”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Më tej, Kryetari Krasniqi ka thënë se për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

“PDK, si parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të vendit, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.”, ka përfunduar Kryetari Krasniqi.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.