Memli Krasniqi: Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga Qeveria dhe ZRRE ishte i padrejtë - i shpëtuam rreth 450 mijë familje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i lumtur që Gjykata e Apelit sot vërtetoi se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, ishte i padrejtë dhe i kundërligjshëm.

"Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Sot, kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm", tha Krasniqi nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook.

Kreu i opozitës në Kosovë tha se është shumë i lumtur që qëndrimi parimor i PDK-së për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare.

"Njëkohësisht, jam shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë besuar në këtë kauzë, të cilën ne e kemi ndjekur ligjërisht për të mbrojtur interesin publik dhe qytetarët si konsumatorë", tha ai.

Krasniqi tha se si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë shumë e zëshme ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike mbi 100 për qind nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së.

PDK përveç reagimeve publike e kishte dorëzuar lëndën në Gjykatë Themelore në Prishtinë e cila i dha të drejtë dhe tani vendimi i Gjykatës së Apelit ka rikonfirmuar atë.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.