PDK

PDK

Të nderuar qytetarë,

Kosovës i duhet rimëkëmbje ekonomike por pa sundim të ligjit, nuk mund as ta imagjinojmë rimëkëmbjen që i duhet Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja që paralelisht me ekonominë, e ka prioritet drejtësinë.

Dua ta falënderoj kryeministrin në ardhje, z. Hoxhaj, i cili më ka mbështetur që në platformën e Rimëkëmbjes, ta rimëkëmbim fillimisht edhe sundimin e ligjit.

Degradimi i Sundimit të Ligjit nga Qeveria Kurti dhe Hoti.

Qeveritë e koalicionit të mashtrimit të madh të 6 tetorit të vitit 2019, edhe ajo e Albin Kurtit, edhe kjo e Avdullah Hotit, jo vetëm që nuk e kanë avancuar rendin e ligjin, por e kanë kthyer komplet mbrapa. Këtë e nisi Qeveria Kurti e cila me shkeljen e kushtetutës e ka dhënë shembullin më të keq, dhe ka shënuar një precedent të rrezikshëm.

Prej një qeverie që shkelë kushtetutën, nuk mund të pritet se do ta respektojë ligjin, e aq më tepër ta ketë prioritet drejtësinë. Këtë e kemi parë me shkurtimet drastike të buxhetit për organet e drejtësisë.

Ajo nuk pati as plan, as agjendë, as dije dhe as njerëz që dinë se si duhet të qeveriset me fushën e drejtësisë.Tek Qeveria Kurti, ne nuk pamë sundim të ligjit. Pamë sundim të një njeriu, që bllokoi dinamikën e drejtësisë.

Degradimin që e nisi Albin Kurti në fushën e sundimit të ligjit, e vazhdoi Avdullah Hoti me qeverinë e tij. Me Qeverinë Hoti, kemi parë shembullin konkret se si mund të shembët për një ditë, ajo që është ndërtuar për një dekadë.

Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka qenë një prej goditjeve më të mëdha ndaj rendit e ligjit. Degradimin e kemi parë nga plaçkitjet në rrugë e nëpër biznese, në mes të ditës, ku është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve.

Dhe ky degradim, kulmin e ka pasur tek vjedhja me gjakftohtësi e mbi 2 milion eurove në thesarin e shtetit. Pra, të dyja qeveritë e mashtrimit të madh, jo vetëm që e kanë ndalë punën e mirë, por e kanë degraduar komplet krejt konceptin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Frenimi i degradimit dhe rimëkëmbja e drejtësisë

Të dashur qytetarë,

Kjo përvojë e hidhur dhe e mbrapshtë që e pamë nga Qeveria Kurti e Hoti, duhet të marrë fund.

Duhet të frenohet kriminaliteti dhe pasiguria totale që ka përfshirë rrugët dhe qytetet tona.

Duhet të luftohet seriozisht krimi e korrupsioni e jo të shantazhohen organet e drejtësisë.

Duhet të vazhdojnë reformat që na ofrojnë me integrimin.

Sot më shumë se kurrë, sistemit të drejtësisë në Kosovë, i duhet një rimëkëmbje.

Prandaj na duhet mbështetja e juaj me 14 shkurt.

Nga 14 shkurti, ne do ta rikthejmë shtetin ligjor në rrugën e duhur.

Për ta bërë këtë, ne jo vetëm që kemi vullnet, por kemi edhe plan.

Plani ynë për rimëkëmbjen e drejtësisë ka katër shtylla themelore:

1.Shtylla e Parë është Lufta Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

2. Shtylla e Dytë është reforma strukturore dhe integriteti i Organeve të Drejtësisë;

3. Shtylla e tretë është thellimi i reformave për koordinim dhe përmirësim të performancës në rend dhe ligj; dhe

4. Shtylla e katërt është qasja në drejtësi.

1. SHTYLLA E PARË: LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në 100 ditët e para të qeverisë tonë, ju do të shihni veprime konkrete për luftën kundër krimit e korrupsionit, thellim të reformave dhe përgjigje direkt për problemet me të cilat sot ballafaqohet sistemi i drejtësisë.

Po e nisë me prioritetin e parë: Luftën Kundër Korrupsionit:

Në 100 ditët e para ne do ta iniciojmë themelimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Byroja Kombëtare e Hetimit është koncept i një strukture hetimore të specializuar që do të ketë policë, prokurorë e hetues, të cilët do t’i japin llogari vetëm Byrosë dhe ligjit. Askujt tjetër jashtë saj.

Puna e vetme e kësaj Byroje do jetë luftimi i korrupsionit, ndjekjes së financave të dyshimta, identifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme e të pashpjegueshme të çdo politikani e çdo zyrtari të lartë për të cilin ka dyshime.

Kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që e konsiderojnë vetën të paprekur nga drejtësia.

Me Byronë Kombëtare të Hetimeve, të korruptuarit do ta kuptojnë se shpëtimi nga përgjegjësia dhe llogaridhënia është iluzion që do t’i zhgënjejë plotësisht.

Ne kemi dëgjuar të flitet se shumë politikanë e zyrtarë të lartë të institucioneve, përfitimin nga aktiviteti korruptiv që e zhvillojnë në Kosovë, përpiqen ta legjitimojnë në vende të tjera përmes shpëlarjes së parasë dhe blerjes së patundshmërive e pasurive të ndryshme jashtë vendit.

Byroja Kombëtare e Hetimit, do ua presë këtë rrugë duke ua gjurmuar e konfiskuar pasurinë që e kanë fshehur në parajsat e krimit.

Krahas kësaj Byroje, ne do t’i mbështesim edhe mekanizmat tjerë në luftë kundër korrupsionit.

Brenda 100 ditëve të para, do të nisim shtimin e numrit të prokurorëve veçmas në departamentin kundër korrupsionit dhe atë për hetimin e krimeve të luftës.

Luftën që kemi nisur me rritjen e dënimeve për korrupsion e krim, do ta vazhdojmë me pezullimin automatik të çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion e abuzim me detyrën zyrtare.

Kështu bëhet dallimi në mes të atyre që flasin për ndryshim dhe atyre që e bëjnë ndryshimin konkret.

Prioriteti i dytë është Konfiskimi i Pasurisë së Paligjshme.

Ne e dimë se ata që janë të korruptuar dhe ata që merren me krim të organizuar, fajde e hajni, përpiqen ta fshehin pasurinë e tyre dhe ta shfrytëzojnë atë për qëllime personale, si dhe për ta rritur aktivitetin kriminal e korruptiv.

Prandaj nuk mjafton që ata vetëm të dënohen. Krahas dënimit, duhet t’iu konfiskohet e gjithë pasuria që e kanë fituar jashtëligjshëm.

Vetëm duke goditur pasurinë e tyre që e kanë fituar nga krimi e korrupsioni, ne do t’i godasim me të vërtetë kriminelët dhe të korruptuarit.

Konfiskimi i pasurisë do të jetë temë themelore në qeverisjen e ardhshme të PDK-së.

Çdo pasuri për të cilën ska shpjegim të qëndrueshëm dhe bazë ligjore, do të konfiskohet.

Përveç kësaj, brenda 100 ditëve të para, ne do do ta themelojmë Fondin e Konfiskimit.

Aty do hedhen të gjitha mjetet nga shitja e pasurisë së konfiskuar nga krimi e korrupsioni.

Këto mjete, nuk do ti përdorin kriminelët e të korruptuarit, por do të përdoren për forcimin dhe rritjen e kapaciteteve të organeve të zbatimit të ligjit.

Krahas luftës kundër korrupsionit dhe konfiskimit të pasurisë, prioriteti ynë qendror është edhe lufta kundër krimit të organizuar.

Të dashur qytetarë,

Ne e kemi parë se rrugët e Kosovës dhe qytetet e saj janë bërë të pasigurta nga aktiviteti kriminal.

E kemi parë që sot, me lehtësi grabiten pompat e derivateve, bankat, maketet e pronat dhe pasuritë e qytetarëve.

Kjo ka nxitur pasiguri tek qytetarët dhe tek bizneset.

Por një aktivitet i tillë kriminal nuk ndodhë rastësisht, e as nga një person i vetëm.

Prandaj ne do ta mbajmë në fokus luftën kundër krimit të organizuar.

Me një dinamikë të re organizative, do t’i godasim grupet kriminale ku ato se presin dhe ku ato nuk besojnë se do të mund të goditën.

Por krahas luftës kundër krimit të organizuar brenda vendit, ne do merremi edhe me ata që shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit për kriminalitet.

Që nga dita e parë e qeverisjes, do ta bëjmë të qartë se Kosova, nuk do të jetë strehë e kriminelëve dhe dilerëve e trafikantëve.

Do mundësojmë specializim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, veçanërisht për ta ndjekur krimin financiar, narkotrafikun dhe trafikimin me njerëz.

Prioriteti i katër në kuadër të shtyllës së parë, është trajtimi i Krimeve të Luftës.

Ne iu kemi përgjigjur drejtësisë kurdo që është kërkuar, por krimet e ushtrisë dhe policisë serbe ndaj popullatës civile gjatë luftës së 1998-99, për të cilat ka prova e dëshmi kudo, nuk janë ndëshkuar asnjëherë.

Prandaj ne do ta reformojmë konceptin e ndjekjes penale në mungesë për të dyshuarit për krimet e luftës në Kosovë.

Do të punojmë ngushtë me partnerët tanë për t’i ndjekur dhe ekstraduar në Kosovë, kriminelët e luftës që fshihen në Serbi e përtej Serbisë, të cilët nuk do të mund t’i shmangen drejtësisë.

Dhe natyrisht se do të forcojmë kapacitetet mjekoligjore për të hetuar dhe kërkuar të zhdukurit e luftës që janë barrë e rëndë e e patejkalueshme për shoqërinë tonë dhe për familjet e tyre.

2. SHTYLLA E DYTË: REFORMA STRUKTURORE DHE INTEGRITETI

Në kuadër të shtyllës së dytë, prioriteti ynë i parë është Vetingu.

Prioriteti i pare, Vetingu:

Duke e kuptuar si nevojë urgjente, rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi, ne do të nisim veting në Sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial.

Por jo veting që shantazhon organet e drejtësisë.

Veting që i mbanë në punë të përkushtuarit dhe i largon vetëm ata që pengojnë punën dhe janë të njëanshëm në zbatimin e ligjit.

Veting që ndihmon organet e drejtësisë të jenë të pavarura, efikase dhe t’i përgjigjen vetëm ligjit e jo njerëzve dhe kurrsesi politikës.

Për ta bërë vetingun, brenda 100 ditëve të para, ne do t’i propozojmë Kuvendit të Republikës, ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin, në mënyrë që të mundësohet verifikimi i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe t’i hapet rruga largimit të atyre që cenojnë besueshmërinë e këtij sistemi.

Do bëjmë Veting edhe në Polici, me parametrat e ngjashëm, me prioritet absolut në ato departamente që merren me luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Përmes këtij procesi të vetingut në Polici, do të arrijmë të identifikojmë cdo hallkë ku ka çaluar lufta kundër korrupsionit dhe do të marrim masa për t’i përmirësuar ato.

Prioriteti i dyte: Themelimi i Gjykatës Komerciale

Brenda 100 ditëve të para, do ta themelojmë Gjykatën Komerciale.

Kjo gjykatë do t’iu jep zgjidhje problemeve, vonesave dhe paqartësive në drejtësinë që lidhet me të bërit biznes.

Gjykata komerciale do të jetë shtyllë për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik e investimet e huaja tani e tutje.

Me themelimin e saj, ne do tua mundësojmë bizneseve kosovare çlirimin nga burokracia dhe vonesa e drejtësisë.

Me të, ne do dërgojmë sinjal të qartë për të gjithë investitorët e huaj aq të nevojshëm për zhvillim ekonomik, se Republika e Kosovës e ka shumë seriozisht krijimin e një ambienti të mirëfilltë për zhvillim e investim, ku kapitali i tyre është i sigurtë dhe ku të drejtat e detyrimet do zgjidhen shpejtë, drejtë e pa kosto.

Prioritetet tjera:

Qysh në fillim, do ta rrisim buxhetin për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

Paratë që shkojnë për drejtësi, nuk janë shpenzim por investim. Ato do t’iu kthehen qytetarëve me shërbime më të mira, të drejta e të shpejta.

Brenda 100 ditëve të para, do shtojmë numrin e bashkëpunëtorëve profesional për gjyqtarë, e do të dyfishojmë numrin e bashkëpunëtorëve profesional për prokurorë.

Kështu do të mundësojmë zgjidhje më të shpejtë të rasteve penale dhe civile.

3. SHTYLLA E TRETË: REAGIMI, KOORDINIMI, PERFORMANCA DHE INTEGRITETI I INSTITUCIONEVE

Prioriteti tjetër në kuadër të shtyllës së tretë, është rritja e performancë së policisë së Republikës së Kosovës.

Që në ditët e para do kemi fokus në riorganizimin e policisë për siguri në rrugë, për të parandaluar aksidentet e trafikut që po marrin jetë njerëzisht.

Për të arritur rezultat konkret në parandalimin e kriminalitetit dhe reagimin e shpejtë, për herë të parë do ta vëmë në funksion Hartën e Mobilitetit për Parandalimin e Krimit.

Secili stacion policor e secila njësi policore kudo që është duke patrulluar, do ta dije paraprakisht sa kohë i duhet për të arritur nga lokacioni i tyre në vendin e ngjarjes ku lajmërohet një rast.

Kështu do ta rrisim shkallën e reagimit. Ne synojmë që nga momenti i lajmërimit deri tek momenti i reagimit, mos të ketë distancë më të madhe kohore sesa 5 deri në 10 minuta.

Kështu do arrijmë më shpejt për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, mbrojtjes së jetës dhe pronës së tyre, parandalimin e dhunës në familje si dhe sigurinë fizike të secilit qytetar të Republikës së Kosovës, cep me cep.

Për ta forcuar integritetin e institucioneve, brenda 100 ditësh do ta ri definojmë mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do merret me parandalimin e praktikës korruptive, parandalimin e konfliktit të interesit dhe si dhe hetimin e plotë të pasurisë.

Brenda 100 ditësh do ta ri definojmë politikën e deklarimit të pasurisë. Do ta zgjerojmë deklarimin për të gjithë zyrtarët dhe të gjitha hallkat ku punohet me paranë publike e me taksat e qytetarëve.

Kur jemi tek qeverisja e mirë, ne do të rrisim auditimin, do të monitorojmë proceset e zbatimit të ligjit, dhënien e lejeve dhe licencave për operatorë ekonomik, si dhe do të mbajmë në fokus luftën kundër monopolit e privilegjit në sektorin publik.

Këto janë vetëm hapat e shpejtë që do ti nisim e përfundojmë në 100 ditët e para.

4. SHTYLLA E KATËRT: QASJA NË DREJËSI

Në kuadër të qasjes në drjetësi, një masë e veçantë që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik që na duhet më shumë se kurrë, është edhe rregullimi i çështjeve pronësore në atë mënyrë që qytetarët të kenë qasje të plotë ligjore në kapitalin e tyre..

Sot, afër 400 mijë qytetarë të Kosovës anekënd vendit e kryesisht në zonat urbane, jetojnë në shtëpi të ndërtuara nga mundi i tyre, e që nuk kanë pronësi juridike mbi to.

Jetojnë në banesa dhe prona për të cilat kanë vendime, kontrata dhe që i kanë i kanë trashëguar në mënyrë krejt legjitime, por sot e kanë të pamundur që këto prona t’i konvertojnë në kapital finaniar.

Kjo paraqet pengesë për zhvillim dhe nuk mund të tolerohet më.

Qytetarit duhet ‘ti japim mundësi për të pasur qasje të plotë legale në kapitalin e tij pronësor.

Prandaj do të ndodhë legalizimi i plotë i pronës në secilin qytet e në secilën zonë ku një gjë e tillë nuk është bërë akoma.

Me këtë proces transparent e të shpejtë dhe pa burokraci, do ta zhbllokojmë pasurinë dhe kapitalin e qytetarëve, që ata ta gëzojnë dhe shfrytëzojnë për qëllimet e tyre.

Të dashur qytetarë,

Për drejtësi ka shumë punë për të bërë dhe punë e madhe na pret.

Por së bashku, ne do ta rimëkëmbin drejtësinë dhe do ta zhbllokojmë zhvillimin.

Prandaj 14 shkurti, nuk është vetëm ditë e fitores së PDK-së, por është para së gjithash, ditë e fitores së drejtësisë mbi krimin e korrupsionin.

Ditë e fitores së drejtësisë, mbi abuzimin dhe keqpërdorimin e pushtetit.

Ditë e fitores së drejtësisë mbi klientelizmin dhe nepotizmin.

Është ditë e fitores së barazisë, kundër privilegjit të pushtetarëve.

Ky është plani ynë për rimëkëmbje.

Ky është vizioni ynë për drejtësinë që duam ta shohim në atdheun tonë.

Së bashku, do t’ia arrijmë, shpejt, drejtë, barabartë dhe sigurte.

Prandaj ju ftoj që të gjithë së bashku, të angazhohemi dhe të bëhemi pjesë e Rimëkëmbjes së Kosovës.

Për rend dhe ligj, ka vetëm një alternativë dhe një kandidat për kryeministër. Partia Demokratike e Kosovës dhe profesor Enver Hoxhaj.


Shpërndaje: