24 orë Kryetar: Uran Ismaili nënshkruan zotimet për lagjet Tophane dhe Arbëri (Foto)

Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka nënshkruar sot zotimet edhe për lagjen e Tophanes e Arbërisë.

Ai këto zotime i ka nënshkruar në kuadër të aktiviteteve 24-orëshe nëpër qytet, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve me banorët për problemet e lagjeve të tyre.

Ismaili ka premtuar se me lagjet Arbëri e Tophane, do të merret më seriozisht sesa janë marrë qeverisjet e më hershme të kryeqytetit.

 “Arbëria e Tophanja janë lagje të mëdha të Prishtinës dhe meritojnë më shumë kujdes, e më shumë vëmendje nga Komuna dhe kryetari i Komunës për investime publike, për me i bë lagjet më të jetueshme e pa problemet bazike me të cilat përballen sot”, tha ai. Uran Ismaili ka folur edhe për mungesën e hapësirave të gjelbërta, mungesën e shtigjeve për çiklist, mungesën e ndriçimit publik në shumë rrugë të saj. 

Kurse për Tophanen ka premtuar se do të merret me trajtimin konkret të problemeve.

“Në anën tjetër, Prishtina ka pasur lumin i cili kalon nëpër Lagjen Tophane, ai është i mbuluar dhe ne do t’ia japim trajtimin e merituar, sepse Tophanja si njëra ndër lagjet më të vjetra të kryeqytetit e ka identitetin e vlerën e saj, të cilin duhet rikthyer”, thekson Ismaili.

Para banorëve të lagjeve Tophane dhe Arbëri, Ismaili është zotuar se ka një plan që tregon se çka edhe deri kur do të realizohen projektet për ta. Sipas tij, të gjitha këto zotime, do të përfundojnë deri në vitin 2024:

• Funksionalizimi i ish-stacionit të trenit në muze të dëbimit 

• Trajtimi i hapësirës së gjelbër përgjatë hekurudhës 

• Ndërtimi i shtigjeve për çiklist përgjatë unazës qendrore dhe në rrugët e tjera 

• Shenjëzimi dhe ndriçimi i të gjitha rrugëve 

• Parking për banorët e lagjes 

• Lidhja e lagjes Arbëria me Parkun Qendror përmes urës për këmbësorë e çiklistë 

• Trajtimi i rrethit në hyrje të lagjes Arbëria – shtimi i trotuareve 

• Lidhja e lagjes Arbëria me qendrën dhe magjistralen për Fushë Kosovë - finalizimi i rrugës unazore 

• Funksionalizimi i lidhjes së lagjes Tophane me lagjen Arbëri përmes mbikalimit apo nënkalimit 

• Shqyrtimi i mundësive hapësinore për ndërtimin e qerdheve në këto lagje 

• Transformimi i Tulltores në qendër multifunksionale kreative-digjitale 

• Riorganizimi i trafikut për shkak të rrugëve të ngushta dhe ulja e shpejtësisë në 30km/h