Statuti

KAPITULLI I - DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Themelimi dhe Emri

Neni 1

1. Partia Demokratike e Kosovës është parti e themeluar mbi vlerat tradicionale, kombëtare, vlerat e luftës çlirimtare dhe vlerat universale të demokracisë qytetare.

2. Partia Demokratike e Kosovës është themeluar në Kuvendin Themelues të mbajtur më datën 12.10.1999.

3. Emri zyrtar i partisë është Partia Demokratike e Kosovës.

Shkurtesa dhe motoja

Neni 2

1. Shkurtesa zyrtare e Partisë Demokratike të Kosovës është PDK.

2. Motoja e PDK-së përcaktohet me vendim të veçantë të cilin e miraton Kryesia e partisë.

Vlerat

Neni 3

1. PDK synon zhvillimin e Kosovës si një vend i lirë dhe demokratik, i bazuar në sundimin e ligjit, në demokracinë kushtetuese dhe parlamentare, në shtet të fortë dhe funksional, me ekonomi të lirë të tregut, i cili garanton të drejtat themelore dhe liritë e qytetarëve, respekton vlerat kushtetuese, tradicionale, morale, historike dhe kombëtare, mbron dinjitetin njerëzor, familjen, pronën private dhe ndërmarrësin. PDK angazhohet fuqishëm për të afirmuar dhe garantuar lirinë e mendimit, të shprehjes, solidaritetin, drejtësinë sociale dhe përgjegjësinë personale të çdo qytetari, parimin e mundësive të barabarta dhe mbrojtjen e vlerave qytetare dhe të diversitetit etnik dhe fetar te shoqërisë.

2. PDK është vazhduese e vlerave të luftës çlirimtare dhe në kontinuitet angazhohet për ruajtjen, promovimin e tyre, duke forcuar shtetin e Kosovës dhe duke synuar integrimet kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave legjitime të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetëror të Republikës së Kosovës.

Qëllimi politik dhe vizioni

Neni 4

1. PDK ka për qëllim që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duke respektuar vlerat demokratike dhe parimin e votës së lirë, udhëheqjen dhe forcimin e shtetit ligjor, integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe përfaqësimin dinjitoz të saj kudo në botë.

2. Vizioni i PDK-së është bërja e Kosovës shtet të zhvilluar. Në këtë drejtim PDK synon:

a)Kosova një shtet i pavarur, demokratik dhe sovran;

b)Kosova një republikë moderne demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve, sundimin e ligjit, ndërtimin e një demokracie moderne, sundimin e vlerave kushtetuese, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave të garantuara me Kushtetutë, me ligje dhe me konventa ndërkombëtare;

c)Të zhvillojë ekonominë e lirë të tregut, nëpërmjet parimit të liberalizimit të tregut dhe të konkurrencës së lirë në të;

d)Të ndërtojë raporte te partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të integrojë Republikën e Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO, në OKB dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë;

e)Të krijojë një sistem të sigurisë kombëtare të qëndrueshëm, profesional dhe efikas, duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet fqinje dhe me ato te rajonit, për të mundësuar një ambient sigurie të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës;

f)Të mbrojë interesat e shtetit dhe të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke respektuar rendin kushtetues, ligjor dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Simbolet

Neni 5

1. Simbolet e PDK-së janë flamuri, emblema dhe logoja.

2. PDK ka vulën e saj.

3. Dukja dhe mënyra e përdorimit të tyre rregullohen me akt të veçantë, që e nxjerr Kryesia e PDK-së.

Selia

Neni 6

Selia qendrore e PDK-së është në Prishtinë.

Statusi legal

Neni 7

1. PDK është person juridik me të drejta dhe detyrime që rrjedhin nga ligjet e Republikës së Kosovës.

2. PDK është regjistruar në regjistrin zyrtar të organizatave politike.

Orientimi ideor i PDK

Neni 8

1. PDK, në aspektin ideor, është parti e qendrës së djathtë.

2. PDK bënë pjesë në Aleancën e Konservatorëve dhe Reformistëve në Evropë ( ACRE). PDK edhe në vazhdimësi do të angazhohet të anëtarësohet në asociacione dhe në organizata të tjera politike ndërkombëtare që kanë synime dhe orientime të ngjashme politike dhe programore.

Shtrirja territoriale

Neni 9

1. PDK është e organizuar në bazë të parimit të shtrirjes së gjerë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Shtrirja territoriale arrihet nëpërmjet organeve qendrore dhe organeve lokale të cilat janë të përcaktuara me këtë Statut.

2. PDK vepron edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet organizimit të saj në mërgatë. Mënyra e punës, organizimi dhe veprimi i PDK-së jashtë Republikës së Kosovës rregullohen me akt të veçantë që e nxjerr Këshilli Drejtues.

Demokracia e brendshme

Neni 10

1. PDK funksionon në bazë të parimit të demokracisë së brendshme, i cili shprehet nëpërmjet të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha organet e PDK dhe në bazë të parimit të votës së barabartë të të gjithë anëtarëve dhe të respektimit të së drejtës për të shprehur dhe për të promovuar mendimin e kundërt.

2. Secili anëtar/re i/e PDK-së ka të drejtë të shprehë qëndrimet dhe mendimet e veta, por vendimet e marra nga shumica janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e PDK-së.

Hierarkia e akteve

Neni 11

1. Akti më i lartë brenda PDK-së është Statuti i saj. Të gjitha aktet tjera duhet të jenë në përputhje me Statutin.

2. Statuti i PDK duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës.

3. Përveç Statutit, PDK mund të nxjerrë edhe këto akte:

a.Rregullore,

b.Vendime,

c.Udhëzime,

d.Rekomandime.

Aktivitetet jashtë-partiake

Neni 12

PDK, përveç aktiviteteve partiake, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi, organizon veprimtari shoqërore, politikee ekonomike, klube, forume, institute dhe organizime studimore me qëllim të zhvillimit të saj. Të gjitha veprimtaritë e PDK-së janë publike, me përjashtim kur përcaktohet ndryshe me Statut ose me ndonjë akt tjetër, kjo vlen si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

KAPITULLI II - ANËTARËSIA

Parimet e përgjithshme

Neni 13

PDK është e hapur për anëtarësim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën 16 vjeçare. Anëtarësimi duhet të jetë i bazuar në vullnetin e vetë qytetarëve.

Kushtet e anëtarësimit

Neni 14

1. Për të fituar statusin e anëtarit të PDK duhet plotësuar këto kushte:

a)Të ketë mbushur moshën 16 vjeçare,

b)Të pranojë kushtet e anëtarësimit,

c)Të bëjë anëtarësimin individual,

d)Të mos jetë anëtar i ndonjë organizate tjetër të cilën organet e PDK-së e vlerësojnë se është në kundërshtim me qëllimin dhe me vizionin e PDK-së të përcaktuar me këtë Statut.

e)Të pranojë Programin, Statutin, parimet dhe politikat e Partisë

2. Anëtari i PDK-së duhet të mbrojë dhe të promovojë politikat e PDK-së në të gjitha format e organizimit dhe të veprimit politik.

Procedura e anëtarësimit

Neni 15

1. I interesuari për anëtarësim mund të anëtarësohet pasi të këtë plotësuar dhetë ketë dorëzuar formularin për anëtarësim.

2. Formulari për anëtarësim mund të dorëzohet në nëndegë, në degë, në ueb faqen zyrtare, ose në selinë qendrore të PDK-së.

3. Për pranimin e anëtarit në PDK vendos Kryesia e Nëndegës brenda dy javësh nga aplikimi. Pranimin e aprovon Kryesia e Nëndegës në mbledhjen e parë të ardhshme.

4. Anëtari i pranuar pajiset me kartelën e anëtarësisë dhe evidentohet në regjistrat e anëtarësisë së nëndegës. PDK-ja mirëmban regjistrin elektronik te anëtarësisë.

5. Në rast të refuzimit të kërkesës për pranim, aplikuesi ka të drejtë të ankohet në Kryesinë e PDK-së. Vendimi i Kryesisë është përfundimtar.

6. Çdo anëtar i PDK-së duhet të jetë anëtar i një nëndege.

7. Në parti krijohet Regjistri Kombëtar i Anëtarësisë, i cili pasqyron tërësinë e anëtarësisë së partisë. Regjistri përmban listën e anëtarëve të partisë, nëndegët ku bëjnë pjesë dhe të dhëna të tjera të domosdoshme.

8. Regjistri përmban anëtarësinë në vite të PDK-së dhe anëtarësinë efektive vjetore të saj.

9. Lista e anëtarësisë mbyllet më 31 dhjetor të çdo viti.

10. Mënyra e mbajtjes së regjistrit, përditësimi, përdorimi nga strukturat e partisë dhe ruajtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë përcaktohen në një rregullore të posaçme, të miratuar nga Këshilli Drejtues.

Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve

Neni 16

1. Secili anëtar i PDK-së ka këto të drejta dhe obligime:

a)Të marrë pjesë në përcaktimin dhe në realizimin e politikave partiake;

b)Të ndërmarrë nisma që janë në pajtim me Statutin dhe Programin e PDK-së dhe t'ua prezantojë organeve vendimmarrëse;

c)Të zgjedhë dhe të zgjedhet në organet e PDK-së;

d)Të propozohet si kandidat i PDK-së në listat zgjedhore për zgjedhje lokale apo nacionale;

e)Të jetë i informuar për punën e organeve të PDK-së;

f)Të marrë pjesë në aktivitetet përkatëse të PDK-së

g)Të realizojë të drejtat dhe të përmbushë obligimet tjera të parapara me Program, me Statut dhe me akte e vendime të tjera.


2. Anëtari i partisë ka për detyrë :

a)Të bëjë pjesë në një nëndege të partisë.

b)Të pajiset me kartën vjetore të anëtarësisë së partisë kundrejt shlyerjes së kuotës vjetore.

c)Të pranojë Programin, Statutin, parimet dhe politikat e partisë.

d)Të pranojë mendimin ndryshe dhe të shprehë lirisht mendimet e veta në forumet e partisë.

e)Të respektojë vendimin e shumicës, vendimet e organeve më të larta të partisë dhe t’i zbatojë ato.

f)Të respektojë disiplinën, normat shoqërore e të etikës në parti dhe të kontribuojë në forcimin e kohezionit të saj.

a.Të punojë për rritjen e ndikimit të partisë në komunitet dhe shtimin e saj me anëtarë të rinj.

g)Të japë mendime e propozime për Programin, Statutin dhe programet elektorale të partisë.

h)Të bëjë vlerësime për qeverisjen qendrore e lokale dhe të kërkojë informim të drejtpërdrejtë nga drejtuesit partiakë dhe nga përfaqësuesit e partisë në organet vendore e qendrore.

i)Të marrë pjesë dhe të kryejë detyra konkrete në fushatat zgjedhore për pushtetin vendor e qendror.

j)Të parashtrojë në parti mendimet e propozimet e komunitetit për çdo çështje me interes të përbashkët.

Ndërprerja e përkohshme dhe e përhershme e anëtarësisë

Neni 17

1. Ndërprerja e anëtarësisë në parti mund të jetë e përkohshme ose e përhershme.

2. Ndërprerja e përkohshme e anëtarësisë bëhet kur anëtari i partisë:

a)Punësohet në sektor në të cilët pjesëmarrja në parti politike ndalohet me ligj.

b)Nuk tërheq kartën vjetore të anëtarësisë kundrejt kuotës për më shumë se një vit.

1. Në secilin rast, nëndega e partisë bënë heqjen e përkohshme nga lista të anëtarit të partisë. Nëse kushtet ndryshojnë, nëndega, me kërkesën e të interesuarit bënë menjëherë përfshirjen e tij në listën e anëtarësisë.

2. Ndërprerja e përhershme e anëtarësisë bëhet në këto raste:

a)Me dorëheqje nga anëtarësia, përmes një kërkese drejtuar kryesisë së nëndegës

b)Në rast përjashtimi nga ana e organeve të PDK-së,

c)Nëse ai/ajo vdes,

3. Në momentin e humbjes së statusit të anëtarit,duhet të dorëzojë librezën e anëtarësisë.

4. Kërkesa për dorëheqje nga anëtarësia i drejtohet Kryesisë së Nëndegës.

5. Pas përjashtimit ose tërheqjes së anëtarit/es, largimi evidentohet në regjistrat bazë të PDK-së.

6. Kompetent për përjashtimin e anëtarit nga PDK-ja është organi që e ka pranuar. Anëtari përjashtohet me vendim që i dorëzohet me shkrim, menjëherë të përjashtuarit.

7. Anëtari i përjashtuar me vendim, mund të ankohet në organet qendrore të PDK-së, përkatësisht në Këshillin Drejtues ose në Kryesinë e PDK-së në afat prej 8 (tetë) ditësh nga momenti i marrjes së vendimit.

Pagesa e anëtarësisë

Neni 18

1. Çdo anëtar duhet të paguajë anëtarësinë.

2. Shuma e pagesës së anëtarësisë përcaktohet me vendim të Kryesisë.

Përkrahësit, mbështetësit dhe simpatizuesit

Neni 19

1. Në veprimet e PDK-së mund të marrin pjesë dhe të bashkëpunojnë edhe simpatizuesit dhe mbështetësit e PDK-së, të cilët sipas thirrjes mund të marrin pjesë edhe në mbledhjet e organeve dhe të trupave punuese, por pa të drejtë të vendosjes.

2. Simpatizues i PDK-së konsiderohet secili që pajtohet me Programin e PDK-së dhe i jep përkrahje politikës së saj, edhe pse nuk është anëtar formal i saj.

3. Mbështetës të PDK-së konsiderohen personat fizik dhe juridik, që përveç kuotizacionit japin kontribute, ndihma dhe mjete materiale për punën e PDK-së.

3. Simpatizuesit dhe mbështetësit e PDK-së mund të kandidohen në listat e PDK-së në zgjedhjet e të gjitha niveleve.

5. Përpos evidencës së anëtarëve të rregullt, organet e PDK-së mbajnë edhe evidencën e simpatizuesve dhe mbështetësve të saj.

KAPITULLI III - ORGANIZIMI I PDK-SË

Organet dhe mandati

Neni 20

1. PDK është e organizuar në organe qendrore dhe lokale.

2. Organe qendrore të PDK-së janë:

a)Konventa e Përgjithshme

b)Kryetari

c)Këshilli Drejtues-KD

d)Kryesia

e)Këshilli Politik

f)Sekretariati Ekzekutiv

g)Asambleja Kombëtare-AK

h)Kolegjiumi i Kryetarëve të Degëve

dhe organe tjera që do të parashihen me këtë statut

3. Mandati i të gjitha organeve të PDK-së është katër (4) vjet.

4. Në kuadër të organizimit të PDK-së funksionojnë edhe organizata e Gruas Demokratike (GD), ajo e Rinisë Demokratike (RD) dhe Grupet e Vullnetarëve (GV) të PDK-së. Funksionimi dhe organizimi i tyre rregullohet me akt të veçantë që e miraton Këshilli Drejtues i partisë.

5. Organet lokale janë:

a)Dega

b)Nëndega.

Nëndega

Neni 21

1. Nëndega është njësia më e vogël e organizimit të PDK-së, që organizohet mbi bazë: fshati në pjesën rurale dhe në bazë lagjeje në pjesë urbane.

2. Nëndega përbëhet nga:

a)Kuvendi i Nëndegës

b)Kryetari dhe

c)Kryesia .

3. Kuvendin e Nëndegës e përbëjnë të gjithë anëtarët e Nëndegës.

4. Kryesia e nëndegës ka 5-11 anëtarë, e zgjedh kuvendi i nëndegës. Anëtarët e kryesisë janë përfaqësues të lagjeve ose rrugëve të nëndegëve. Nuk lejohet që në kryesi të ketë dominim nga lagje të caktuara dhe familjar. Në lagjet që nuk sigurohet përfaqësim i lejohet kryesisë së nëndegës që më qëllim shtrirje të siguroj përfaqësues nga këto lagje/rrugë. Kur te ketë me shume kandidat se numri i te zgjedhurve organizohet votim i fshehtë.

5. Kryetarin e nëndegës e zgjedh kuvendi i nëndegës me shumicë votash.

6. Për themelimin dhe shuarjen e nëndegës vendos kryesia e degës së PDK-së në pajtim me aktet e partisë. Dega e njofton kryesinë qendrore për ndryshim nëndegësh .

7. Organizimi dhe puna e nëndegës rregullohet me akt të veçantë. Nëndega për punën e kryer i raporton kryesisë së degës .

Zgjedhjet në Nëndegë të PDK-së

Neni 22

1. Të drejtë për pjesëmarrje në një proces zgjedhor, si zgjedhës ose i zgjedhur, e kanë të gjithë anëtarët e PDK-së që kanë mbushur moshën 18 vjeçare. Ndërsa tek RDK-ja në proces zgjedhor mund të marrin pjesë të gjithë anëtarët që kanë mbushur moshën 16 vjeçare.

2. Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve në nivel Lokal (KOZL) së bashku me strukturat aktuale të degëve duhet që të njoftojnë anëtarët e lokalitetit të caktuar për mbajtjen e Kuvendit të Nëndegës.

3. Para fillimit të procesit zgjedhor të gjithë anëtarët duhet të plotësojnë Formularin për të Dhënat e Anëtarit – FDhA. Askush nuk mund të marrë pjesë si zgjedhës apo i zgjedhur pa plotësuar këtë Formular.

4. Pas verifikimit të të dhënave të anëtarëve nga komisioni fillon procesi i zgjedhjeve.

5. Anëtarët e Kuvendit të nëndegës zgjedhin kryesinë e nëndegës, kryetarin e nëndegës, dhe delegatët për kuvendin e degës.

6. Të drejtë për të paraqitur kandidaturën për kryetar të nëndegës, anëtar të kryesisë, dhe delegat kanë të gjithë anëtarët e nëndegës përkatëse. Kandidatët për kryetar mund të paraqesin platformën e tyre para kuvendit të nëndegës .

7. Kuvendi i nëndegës zgjedh anëtarët e kryesisë, kryetarin, dhe delegatët për kuvend dege. Gjatë zgjedhjes së kryesisë sigurohen që të kenë përfaqësues të të gjitha lagjet në pjesën rurale ose rrugët në pjesën urbane të nëndegëve. Komisioni duhet te bëjë përpjekje që ne kryesi të mos lejojë dominim nga lagje te caktuara dhe nepotizëm .

8. Kryesia e nëndegës zgjedhë nga radhët e veta organet udhëheqëse bazuar në organogramin që i përcillet nga Organet Qendrore te Partisë. Mbledhja e parë e kryesisë së nëndegës mbahet në koordinim me degën.

Detyrat Kryesore të nëndegës

Neni 23

1. Nëndega e PDK-së kryen këto detyra:

a)Ndjek e zbaton politikën e partisë dhe zgjeron ndikimin e saj tek votuesit ku vepron.

b)Punon për shtimin e anëtarëve dhe përkrahësve të partisë në territorin që mbulon.

c)Mbron interesat e anëtarëve, përkrahësve, votuesve dhe të çdo individi ose grupimi shoqëror, kur e vlerëson të drejtën.

d)Respekton mendimin e çdo individi, brenda dhe jashtë radhëve të saj, në marrëdhëniet me të.

e)Mban qëndrim dhe propozon masa disiplinore ndaj çdo anëtari të saj që kryen shkelje të parashikuara në Statutin e partisë.

f)Diskuton për Programin dhe Statutin e partisë, jep mendim për përmirësimin e tyre në përputhje me kushtet konkrete dhe me përvojën e anëtarëve të partisë në komunitetin ku vepron.

2. Tërheq mendimin e zgjedhëseve ku vepron për programin elektoral të partisë, për punën e përfaqësuesve të partisë në organet lokale e qendrore, formulon vlerësime e propozime dhe i përcjell në forumet partiake lokale e qendrore.

3. Organizon dhe mban përgjegjësi për ecurinë dhe rezultatin e fushatës zgjedhore në territorin që mbulon.

4. Krijon strukturën elektorale në territorin që mbulon, mban e zhvillon lidhjet me ta.

5. Propozon përfaqësuesit e partisë për të kandiduar në zgjedhjet lokale.

6. Organizon takime me përfaqësuesit e strukturave të partisë dhe në pushtetin lokal dhe qendror.

Dega

Neni 24

1. Dega është forma më e lartë e organizimit në nivel lokal të PDK-së

2. Në secilën komunë ku kemi anëtarësi ekziston një degë e PDK-së. Organ kompetent për themelimin apo shuarjen e një dege është kryesia e PDK-së.

3. Dega është përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e nëndegëve të PDK-së. Organizimi dhe Funksionimi i degës se Prishtinës rregullohet me akt te veçantë .

4. Organet e Degës janë:

a)Kuvendi i Degës,

b)Kryetari i Degës,

c)Këshilli Drejtues i Degës,

d)Kryesia e Degës dhe

e)Kolegjiumi i Kryetareve të nëndegëve

Procesi zgjedhor në Degë

Neni 25

1. Kuvendin e degës e përbejnë delegatët e zgjedhur ne kuvendet e nëndegëve dhe delegatët Ex-Officio. Delegat Ex-Officio janë anëtarët e kryesisë së kaluar, Ekipi Lokal për Organizimin e Zgjedhjeve, Kryetarja e GDK-së, Kryetari i RDK-së, kryetarët e nëndegëve të zgjedhur në atë proces zgjedhor, kryetari dhe drejtorët komunal si dhe asamblistët e PDK-së.

2. Kuvendi i degës, me votim të fshehtë, zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues të degës. Këshilli Drejtues i degës ka së paku 21 dhe jo me shumë se 71 anëtarë. Procedurat dhe mënyra e funksionimit të Këshillit Drejtues të degës përcaktohen me akt të veçantë. Kryesia e punës merr propozime në mënyrë të balancuar nga të gjitha nëndegët varësisht prej numrit të pjesëmarrëseve në kuvend. Kryesia kujdeset për të mos lejuar dominimin nga nëndegë të caktuara.

3. Këshilli Drejtues i degës me votim të fshehtë zgjedhë anëtarët e kryesisë së degës. Kryesia e degës ka, varësisht nga numri i votueseve, jo me pak se 11 dhe jo me shumë se 21 anëtarë. Procedurat dhe mënyra e funksionimit të kryesisë së degës përcaktohen me akt të veçantë. Në zgjedhje të kryesisë merren propozime nga sa më shumë nëndegë, duke respektuar peshën reale të secilës, dhe duke mos e lejuar dominimin e asnjërës.

4. Kryetari i degës zgjedhet nga kuvendi i degës me votim të fshehtë, dhe duhet të fitoj më shumë se gjysmën e votave të vlefshme.

5. Delegatët për konventën qendrore zgjedhën nga kuvendi i degës. Gjatë propozimeve – propozimet pranohen në mënyrë të balancuar nga nëndegët.

6. Të drejtë për të paraqitur kandidaturën për kryetar të degës kanë të gjithë anëtarët e kuvendit të degës përkatëse. Kriteret për kandidatët për kryetarë të degëve i miraton Kryesia e PDK-së me akt të veçantë, pas diskutimeve ne Kolegjiumin e Kryetareve te Degëve. Kandidaturat për kryetar duhet të paraqitën 7 ditë para mbajtjes së kuvendit, ndërsa platformën e paraqet në formë të shkruar 3 ditë para mbajtjes së kuvendit .

7. Kandidatët për kryetar dege duhet të jenë banorë të asaj dege.

Detyrat kryesore të Degës

Neni 26

1. Dega e PDK-së ka këto detyra kryesore:

a)Drejton, udhëzon, ndihmon dhe kontrollon veprimtarinë e degës, të partisë dhe mbanë lidhjet me organet drejtuese të partisë. Punon e përgjigjet për zbatimin e Programit dhe Statutit të partisë si dhe të vendimeve të organeve qendrore të partisë në strukturat e degës dhe nëndegëve. Bashkërendon veprimtarinë politike, organizative e zgjedhore të nëndegëve

b)Organizon e drejton punën e strukturave të partisë për përgatitjen e menaxhimin e fushatave zgjedhore për pushtetin lokal e qendror në territorin e degës, siguron angazhimin e anëtarëve të saj me detyra zgjedhore, organizon takime dhe veprimtari organizative, politike e elektorale në nivel dege dhe përgjigjet për rezultatin elektoral.

c)Organizon veprimin politik të partisë dhe të përfaqësuesve të saj në qeverisjen lokale, organizon takime periodike me përfaqësuesit e partisë në pushtetin lokal dhe qendror për nisma ligjore dhe çështje të tjera me interes për qytetareve, bashkërendon punën me grupin e këshilltarëve komunal dhe orienton qëndrimet e tyre.

d)Analizon probleme e propozime nga qytetarët dhe nga strukturat e partisë dhe jep mendim për zgjidhjen e tyre.

e)Mbledh dhe përpunon informacionin nga strukturat e partisë dhe qytetarët për probleme politike e social ekonomike në komune dhe informon në strukturat qendrore të partisë ose në përfaqësuesit e saj politik në nivel lokal e qendror.

f)Propozon listën e kandidaturave për kuvend komunal.

g)Jep propozimet për kandidaturat për kryetar të Komunës, ne koordinim me Kryesinë Qendrore.

h)Organizon takime të strukturave dhe qytetarëve me përfaqësues të partisë në nivel lokal dhe deputetët e PDK-së të Degës për nisma ligjore dhe çështje të tjera me interes.

i)Administron e përgjigjet për dokumentacionin e partisë, regjistrin e strukturave, regjistrin elektronik të anëtarësisë së partisë.

2. Merr masat organizative e teknike në pajtim me rregulloret në fuqi për procesin e zgjedhjeve të brendshme.

3. Kryen edhe detyra tjera të përcaktuara me akte të partisë dhe detyra te caktuara nga niveli qendror me qellim të arritjes së objektivave.

Detyrat, përgjegjësitë dhe mandati i Kryetarit të Degës

Neni 27

1. Kryetari i Degës ka këto detyra:

a)Përfaqëson anëtarësinë e PDK-së në territorin përkatës,

b)Thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Degës,

c)Është përgjegjës për zbatimin e politikave të përgjithshme të PDK-së në nivel të Degës,

d)Është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve të partisë në territorin përkatës,

e)Së bashku me Kryesinë e Degës, për nevoja të PDK-së në degën përkatëse, krijon grupe ekspertësh për çështje të caktuara profesionale, në të cilat mund të marrin pjesë edhe njerëz që nuk janë anëtarë të PDK-së,

f)Në koordinim me Kryesinë e Degës mbajnë aktive degën, duke mbajtur aktivitete, organizime, forume, tryeza edhe jashtë aktiviteteve të fushatës zgjedhore.

2. Mandati i Kryetarit të Degës si rregull është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:

a)Jep dorëheqjen.

b)Shkarkohet nga Kryesia Qendrore e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit.

c)Për shkak të performancës së dobët, me iniciativën e 1/3 të anëtarëve të Këshillit, shkarkohet nga 2/3 e Këshillit Drejtues.

d)Humbë në Zgjedhjet Lokale ne degët ku jemi ne pushtet ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme.

Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Degës

Neni 28

1. Këshilli Drejtues i degës zgjidhet nga kuvendi i degës. Të drejtë për të paraqitur kandidaturën për KD të Degës kanë të gjithë anëtarët e kuvendit te degës përkatëse.

2. Këshilli Drejtues i degës përbëhet nga se paku 21 dhe jo me shumë se 71 anëtarë. Pas përfundimit të zgjedhjeve në nëndegë KOZ-i do të njoftojë degët për numrin e anëtarëve të KD-së që do të ketë secila degë duke u bazuar në anëtarët e partisë, votuesit potencial dhe votat e fituara në zgjedhjet e fundit.

3. Kryesia e degës zgjidhet nga Këshilli Drejtues i Degës, me votim të fshehtë.

4. Kryesia e degës përbëhet nga jo me pak se 11 dhe jo me shumë se 21 anëtarë. 1/3 a anëtarëve të Kryesisë e ruan të drejtën ti propozoj kryetari i degës . Kryetari i degës merr pëlqimin e Kryesisë në Qendër për propozimet e 1/3 se anëtarëve .

5. Kryesia e degës zgjedhë organet udhëheqëse . Kryesia ka tre nënkryetarë, dhe gjashtë sekretarë sipas organigramit të miratuar nga kryesia qendrore

6. Kryesia mbanë takim të paktën një herë në muaj. Këshilli Drejtues dhe Kolegjiumi i kryetarëve të degëve të paktën katër herë në vit.

7. Ne mes të dy kuvendeve me qëllim të forcimit të organeve drejtuese të degëve me propozim të Kryetarit dhe Kryesisë së degës dhe me aprovim të kryesisë qendrore mund të kooptohen Anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues, por jo me shumë se 20 % e Kryesisë dhe 10 % e Këshillit Drejtues brenda një mandati.

8. Funksionimi i organeve të degës rregullohet me rregullore të veçantë .

Raportimi

Neni 29

1. Kryesitë e degëve çdo tre muaj i dërgojnë raport me shkrim Kryesisë së PDK-së për mbarëvajtjen e punëve në degë, duke përfshirë gjendjen politike në degë, të hyrat dhe shpenzimet në degën përkatëse, aktivitetin dhe numrin e anëtarëve. Kryesia raporton për funksionimin e nëndegëve .

2. Kryesitë e nëndegëve çdo tre muaj i raportojnë Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Degës përkatëse

3. Kryetari i Degës, për punën e tij, dy herë në vit është i obliguar t’i raportojë Kryetarit dhe Kryesisë së PDK-së.

Administrata në degë

Neni 30

1. Me propozimin e Kryetarit dhe Kryesisë së Degës dhe me aprovimin e kryesisë qendrore të PDK-së bazuar në mundësitë financiare të PDK-së, krijohet shërbimi administrativ i degës,i cili është përgjegjës për funksionimin në baza ditore të degës. Mënyra e funksionimit të këtij shërbimi rregullohet me akt të veçantë. Personelin e shërbimit administrativ është kompetente ta emërojë dhe ta shkarkojë kryesia e degës përkatëse në pajtim me aktet juridike të PDK-së.

2. Administrata në degë është përgjegjëse për zbatimin e akteve dhe disiplinës së PDK-së, dhe është pjesë e administratës së përgjithshme të PDK-së.

Situatat e jashtëzakonshme në funksionimin e degës

Neni 31

Në rast të paraqitjes së rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mosmarrëveshjeve të cilat pamundësojnë funksionimin e degës përkatëse, Kryesia e PDK-së me vendim, pas konsultimit me Kryetarin PDK-së, mund ta shpërbëjë degën dhe të caktojë një udhëheqje të re të përkohshme deri në mbajtjen e kuvendit te jashtëzakonshëm në nivel të degës.

KAPITULLI IV - ORGANET QENDRORE

Konventa e Përgjithshme

Neni 32

1. Konventa e Përgjithshme e PDK është organi më i lartë.

2. Konventa e Përgjithshme mbahet në sesione të rregullta dhe të jashtëzakonshme.

3. Sesioni i punës së Konventës së Përgjithshme mbahet çdo dy vjet, kurse ai zgjedhor çdo katër vjet.

4. Sesionin zgjedhor të Konventës së Përgjithshme e thërret Këshilli Drejtues i cili cakton edhe datën, ndërsa atë të punës e thërret Kryesia.

Përbërja e Konventës së Përgjithshme

Neni 33

1. Numri i delegatëve për Konventën e Përgjithshme caktohet në varësi të numrit të anëtarësisë.

2. DelegatëteKonventëssëPërgjithshmepërbëhenngadelegatëtezgjedhurngakuvendet e degëve dhe delegatët Ex-Officio.

3. Delegatët e zgjedhur votohen nga Kuvendet e Degëve. Lista e kandidatëve për t’u votuar dhe lista e fituesve si delegatë duhet të sigurojë një përfaqësim të paktën prej 30% për të dy gjinitë.

4. Delegatët Ex-Officio janë: Kryetari i Partisë, anëtarët e kryesisë, anëtarët e Këshillit Drejtues, Ministrat, Deputetët, Ekipi për Organizimin e Zgjedhjeve në nivel Qendror, Kryetarët e Degëve të zgjedhur në këtë proces zgjedhor, Kryetarët e komunave, Kryesia e GDK-së dhe Kryesia e RDK-së .

5. Mandati i delegatit të konventës së përgjithshme është katër vjet. Mandati i delegatit ndërpritet para kohe kur jep dorëheqjen, çregjistrohet ose largohet nga partia dhe me rastin e vdekjes.

6. Numri i delegatëve që dërgohet nga secila degë përbën totalin e përfaqësuesve në bazë të votave të fituara në zgjedhjet lokale dhe përfaqësuesit në bazë të votueseve potencial të asaj dege.

7. Me akt të veçantë caktohen rregullat për zgjedhje të brendshme.

Puna e Konventës së Përgjithshme

Neni 34

1. Mënyra e punës së Konventës së Përgjithshme përcaktohet me rregullore të veçantë, e cila miratohet nga Konventa.

2. Për datën e mbajtjes së Konventës së Përgjithshme, delegatët njoftohen 15 ditë përpara.

3. Rendi i ditës së Konventës së Përgjithshme përcaktohet nga Kryesia.

4. Të gjitha shkresat, kërkesat, ankesat që vijnë nga organet e PDK për t’u futur në rend dite në Konventë, duhet t’i dorëzohen Kryesisë së PDK-së më së largu dy javë para mbajtjes së Konventës së Përgjithshme.

5. Kërkesat, ankesat dhe shkresat e tjera që nuk e respektojnë afatin nga pika 4, mund të futen pjesë e rendit të ditës me një vendim të veçantë të Konventës së Përgjithshme.

6. Konventa e Përgjithshme zhvillon punimet e të gjitha sesioneve pa përjashtim, nëse prezent janë më shumë se gjysma e delegatëve.

7. Vendimet në Konventën e Përgjithshme merren me shumicën e votave të delegatëve të pranishëm.

Sesioni i jashtëzakonshëm i Konventës së Përgjithshme

Neni 35

1. Sesionin e jashtëzakonshëm të Konventës së Përgjithshme e thërrasin:

2. Sesioni i punës së Konventës se Përgjithshme,

3. Këshilli Drejtues i PDK-së,

4. Kryesia e PDK-së,

5. 1/3 e delegatëve të Konventës së Përgjithshme,

6. 1/3 e degëve,

7. Kryetari i PDK-së .

8. Për mbajtjen e sesionit të jashtëzakonshëm të Konventës së Përgjithshme, delegatët njoftohen pesë ditë më herët.

9. Rendin e ditës për sesionin e jashtëzakonshëm të Konventës së Përgjithshme e cakton Kryesia e PDK-së sipas propozimit të propozuesve.

10. Materialet për sesionin e jashtëzakonshëm u dërgohen delegatëve dy ditë para mbajtjes së sesionit.

Kompetencat e Konventës së Përgjithshme

Neni 36

1. Konventa e Përgjithshme ka këto kompetenca:

2. Miraton rendin e ditës.

3. Miraton Rregulloren e Punës.

4. Zgjedh Kryetarin e PDK-së.

5. Miraton Programin e PDK-së.

6. Miraton ndryshimet dhe plotësimet në Statut.

7. Miraton rezoluta.

8. Shqyrton raportin e punës dhe atë financiar të PDK-së midis dy konventave,

9. Zgjedh Këshillin Drejtues.

10. Shqyrton dhe merr vendime lidhur me ankesat dhe parashtresat, të cilat i paraqitenKonventës së Përgjithshme.

Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa

Neni 37

1. Me qëllim të shqyrtimit të ankesave dhe parashtresave, Konventa e Përgjithshme formon Komisionin për Parashtresa dhe Ankesa, i cili i raporton Konventës së Përgjithshme.

2. Në rast se ndonjë delegat konsideron se ankesa apo parashtresa e tij, pa të drejtë, nuk është marrë parasysh nga komisioni kompetent, ai mund t'i drejtohet Kryesisë së PDK-së.

3. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë: 5 delegatë të Konventës së Përgjithshme

4. Ankesat pranë këtij komisioni mund të drejtohen kundër vendimeve të të gjitha organeve të PDK-së.

Kryetari

Neni 38

1. Kryetari është udhëheqës i PDK-së që përfaqëson unitetin e të gjithë anëtarëve të PDK-së.

2. Kryetari zgjidhet nga Konventa e Përgjithshme e PDK-së me votim të fshehtë. Nëse për Kryetar të Partisë ka vetëm një kandidat, Konventa mund te vendosë që votimi të bëhet me ngritje dore.

3. Kriteret për kandidatët për kryetarë të partisë i miraton Kryesia e PDK-së me akt të veçantë 30 ditë kalendarike para Konventës.

4. Kandidaturat mund të paraqiten deri 5 ditë para mbajtjes së Konventës dhe duhet t’i paraqiten Kryesisë Qendrore së bashku me nënshkrimet e 50 delegatëve.

5. Mandati i Kryetarit zgjatë katër vjet

6. Për punën e tij Kryetari i përgjigjet Konventës së Përgjithshme.

7. Për nevoja të realizimit të detyrave të Kryetarit të partisë, ai mund të themelojë kabinetin e tij.

8. Në rast mungese, apo pamundësie tjetër që Kryetari të ushtrojë detyrën, atë e zëvendëson njeri nga nënkryetarët

Detyrat dhe të Drejtat

Neni 39

Kryetari ka këto kompetenca:

1. Përfaqëson PDK-në në organe vendore.

2. Përfaqëson PDK-në në organe dhe organizma ndërkombëtarë.

3. Udhëheq punën e organeve të PDK-së.

4. Thërret dhe udhëheq mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues.

5. Propozon nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm të PDK-së dhe sekretaret.

6. Propozon komisione dhe trupa punues për lëmenj të ndryshëm.

7. Propozon përbërjen e delegacioneve të PDK-së për takime brenda dhe jashtë vendit.

8. Së bashku me Kryesinë jep propozimin përfundimtar për listën e kandidatëve të PDK-së në Zgjedhjet për Parlamentin e Republikës së Kosovës.

9. Së bashku me Kryesinë jep propozimin përfundimtar për listën e kandidatëve për ministra nga radhët e PDK-së.

10. Së bashku me Kryesinë, me akt të veçantë, propozon përjashtimin nga PDK e të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me politikat e PDK-së dhe nuk i përmbahen disiplinës partiake.

11. Propozon anëtarët e Kryesisë.

12. Në dakordësim me Kryesinë dhe Këshillin Drejtues vendos të hyjë në koalicion para ose pas zgjedhor,

13. Kryen punë të tjera, të parapara me Statut dhe rregullore.

14. Kryeson Asamblenë Kombëtare (AK).

Këshilli Drejtues (KD)

Neni 40

1. Këshilli Drejtues është organi me i lartë i partisë në mes të dy konventave.

2. KD i PDK-së ka 150 anëtarë te zgjedhur dhe kryetarin, anëtaret ex-office dhe nga një anëtarë nga secili shtet ku kemi degë të mërgatës.

3. Anëtarë ex-offfice janë: Kryetari i RDK-së dhe Kryetarja e GDK-së

4. Puna dhe funksionimi i KD-së rregullohen me akt të veçantë, që miratohet nga KD.

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Drejtues

Neni 41

1. Anëtarët e KD-së zgjedhen në sesionin zgjedhor të Konventës së Përgjithshme, me mandat 4 vjeçar siç është përcaktuar me Statut.

2. Propozimin për anëtarë të KD-së mund ta bëjë secili delegat në Konventë, Kryesia dhe Kryetari i PDK-së. Propozimet duhet të merren ne mënyrë te balancuar nga degët bazuar ne numrin e delegateve që kanë degët ne kuvend, duke ruajtur edhe minimumin e 30 % të përfaqësimit për te dy gjinitë.

3. Kryetari, pas konsultimit me Kryesinë, ruan të drejtën të propozojë një listë të kandidatëve për t’u zgjedhur ne Këshillin Drejtues.

4. Zgjedhja e anëtarëve të KD-së bëhet me votim të fshehtë, duke mos lejuar dominimin e degëve. Dhe duke ruajtur minimumin e 30 % te përfaqësimit për te dy gjinitë.

5. Kandidatët e propozuar në listën finale të KD-së renditen në fletëvotim sipas rendit alfabetik.

6. Në rast se ka dy ose më shumë kandidatë me vota të barabarta, vendoset me short.

Mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe vendimmarrja

Neni 42

1. KD mban mbledhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme.

2. Mbledhjet e rregullta të KD-së mbahen së paku një herë në tre muaj.

3. Mbledhjet e KD-së i thërret Kryetari, Kryesia ose 1/3 e anëtarëve të KD-së.

4. Mbledhjet e KD-së drejtohen nga Kryetari, ndërsa në mungesë të tij nga Sekretari i Përgjithshëm.

5. Për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta, anëtarët e KD-së duhet të njoftohen 7 ditë përpara, ndërsa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet të njoftohen 1 ditë përpara.

6. Kuorumi i mbledhjes arrihet nëse janë prezentë gjysma e anëtarëve të KD-së.

7. Vendimet në Këshillin Drejtues merren me shumicë votash të anëtarëve prezentë. Në rast të votave të barabarta vendos vota e Kryetarit të PDK-së.

Humbja e statusit të anëtarit të KD-së dhe zëvendësimi

Neni 43

1. Statusi i të qenit anëtar i KD-së të PDK-së humbet në këto raste:

a)Me dorëheqje,

b)Me vdekje,

c)Me përjashtim.

2. Vendimin për përjashtim e merr Këshilli Drejtues ose organet kompetente statutore dhe vërtetimit për shkelje serioze të Statutit dhe veprim në kundërshtim me politikat e PDK-së, si dhe anëtari i cili me aktgjykim të formës së prerë është dënuar më shumë se një vit burg.

3. Zëvendësimi i anëtarëve të KD-së bëhet sipas renditjes me numër të votave në listën e votimit në Konventën e fundit.

4. Rendi i ditës për mbledhjet e KD-së përcaktohet nga Kryetari në bashkëpunim me Sekretarin e përgjithshëm dhe Nënkryetarët. Në fillim të mbledhjes, pika të reja të rendit të ditës mund të propozojnë edhe anëtarët e KD-së të cilat duhet të miratohen nga KD me shumicë votash.

5. Me propozim të Kryetarit për qëllim të forcimit dhe avancimit të partisë, Këshillit Drejtues mund të emërojë anëtarë shtesë të por jo me shumë se 10 % e Këshillit.

Kompetencat e Këshillit Drejtues

Neni 44

Kompetencat e KD-së janë:

1. Jep propozimet për ndryshim Program dhe Statut të PDK-së

2. Miraton Rregulloren për punën e vet dhe planin e punës

3. Miraton rregullore tjera në kompetencën e vet, të përcaktuara me Statut

4. Zgjedh anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Politik

5. Zgjedh komisione, këshilla dhe trupa punuese nga lëmenj të ndryshëm, në pajtim me Statutin.

6. Miraton llogarinë përfundimtare dhe buxhetin për vitin vijues.

7. Miraton Programin dhe Platformën Zgjedhore

8. Zgjedh Shtabin Qendror Zgjedhor të PDK-së

9. Krijon fondacione sipas nevojës së PDK-së

10. Aprovon dhe rekomandon botime për nevoja të caktuara

11. Jep mirënjohje

12. Kryen punë të tjera të përcaktuara me Statut

13. Miraton listën e kandidatëve për zgjedhje

14. Vendos për lidhjen e koalicioneve para dhe pas zgjedhore

Kryesia

Neni 45

1. Kryesia e PDK-së është organ ekzekutiv dhe menaxhues i PDK-së.

2. Kryesia përbëhet nga 27 anëtarë të zgjedhur, dhe Kryetarët e RDK-së dhe GDK-së

Përbërja e Kryesisë dhe mandati

Neni 46

1. Kryesia përbëhet nga kryetari, 3 nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, 8 sekretardhe anëtarët e tjerë.

2. Mandati i Kryesisë është 4 vjeçar ashtu siç është e përcaktuar me anë të këtij Statuti.

Zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë

Neni 47

1. Anëtarët/et e Kryesisë zgjedhen nga KD .

2. Anëtarët/et e Kryesisë propozohen nga Kryetari i Partisë dhe votohen ne pako nga Këshilli Drejtues.

3. Kryetari ka të drejtë të propozoj anëtarë kryesie edhe jashtë Këshillit Drejtues, me miratimin e Këshillit Drejtues. Te propozuarit për anëtarë kryesie jashtë anëtarëve të Këshillit Drejtues nuk mund të tejkalojnë 1/5 e anëtarëve të kryesisë .

4. Zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë bëhet me votim të hapur, përveç se kur KD vendos ndryshe.

5. Konsiderohen të zgjedhur ata kandidatë që kanë fituar shumicën e votave.

6. Anëtarë të Kryesisë sipas detyrës zyrtare, me të drejtë vote, janë edhe kryetarja e GD dhe kryetari/ja e RD.

7. Me propozim të Kryetarit për qëllim të forcimit dhe avancimit të partisë, Kryesia mund t’i propozoj Këshillit Drejtues te emërojë anëtarë shtesë të Kryesisë por jo me shumë se 20 % e kryesisë.

Kompetencat e Kryesisë

Neni 48

Kompetencat e Kryesisë janë:

1.Së bashku me Kryetarin, Kryesia propozon listën e kandidatëve për zgjedhjet nacionale dhe lokale, e cila i dorëzohet për miratim përfundimtar KD-së.

2.Mbikëqyrë menaxhimin nga administrata të mjeteve financiare dhe pasurinë tjetër në nivel qendror.

3.Mbikëqyrë menaxhimin e pasurisë edhe në nivele tjera të strukturave të PDK-së.

4.Në rast kontesti gjyqësor, personi i autorizuar nga Kryesia përfaqëson PDK-në në procedurat gjyqësore dhe jo gjyqësore.

5.Angazhohet që çdo kryesi e degëve dhe e nëndegëve t'i përmbushë detyrimet e dhënies së llogarisë publike.

6.Jep pëlqimin për raportin përfundimtar financiar që miratohet nga KD.

7.Ka të drejtën e ndërhyrjes në politikat e degëve në rast se ato bllokohen dhe në caktimin e kandidaturave në rast se kjo nuk bëhet nga ana e tyre.

8.Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDK dhe seleksionon kandidaturat për poste të larta.

9.Zgjedh anëtarët e Komisionit të Kontrollit Financiar dhe të komisioneve disiplinore.

10.Zgjedh drejtorin e Institutit për Studime dhe Analiza (ISA).

11.Jep pëlqimin përfundimtar për listën e kandidatëve të PDK-së për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

12.Jep pëlqimin përfundimtar për listën e kandidatëve për ministra nga radhët e PDK-së.

13.Jep pëlqimin përfundimtar për kandidaturat e PDK-së për kryetar komune.

14.Themelon Komisionin Qendror Disiplinor.

15.Kryen dhe detyra tjera te parapara me statut dhe akte tjera .

Mbledhjet dhe vendimmarrja e Kryesisë

Neni 49

1.Kryesia mbanë mbledhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Mbledhja mund të mbahet nëse janë prezent më shumë se gjysma e anëtarëve.

2.Mbledhjet e Kryesisë udhëhiqen nga kryetari, në rast mungese të tij nga Sekretari i përgjithshëm ose njeri nga nënkryetarët .

3.Mbledhjet e rregullta mbahen çdo javë dhe thirren nga Kryetari ose 1/3 e anëtarëve të Kryesisë.

4.Mbledhjet e jashtëzakonshme mbahen në rast se Kryetari apo 1/3 e anëtarëve e kërkojnë një gjë të tillë.

5.Rendi i ditës për mbledhjet e Kryesisë përcaktohet nga Kryetari. Në fillim të mbledhjes, pika të reja të rendit të ditës mund të propozojnë edhe anëtarët tjerë të Kryesisë, të cilat duhet të miratohen me shumicë votash. Kuorumi i mbledhjes arrihet nëse janë prezentë gjysma e anëtarëve të Kryesisë.

6.Anëtarët e Kryesisë për mbledhje të rregullta duhet të njoftohen 2 ditë përpara, kurse për ato të jashtëzakonshme 1 ditë përpara mbajtjes së mbledhjes.

7.Vendimet në Kryesi merren me shumicë votash të anëtarëve prezentë. Në rast të votave të barabarta vendos vota e Kryetarit të PDK.

Nënkryetarët dhe Sekretarët

Neni 50

1.Nënkryetarët ushtrojnë punët dhe detyrat të përcaktuara me Rregulloren për Ndarjen e Përgjegjësive të Nënkryetarëve. Njeri nga nënkryetarët do të jetë i gjinisë tjetër.

2.Kryesia do të ketë edhe 9 sekretarë duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm. Sekretarët tjerë do të jenë: Sekretar për organizim; Sekretar për koordinim elektoral; Sekretar për Diasporë; Sekretar për Financa dhe Anëtarësi; Sekretar për politika gjinore; Sekretar për media dhe rrjete sociale; Sekretar për koordinim me deputetë, ekzekutivin dhe asamblistët; dhe Sekretar për Vlerat e Luftës. 3. Sekretaret ushtrojnë punët dhe detyrat të përcaktuara me Rregulloren për funksionimin dhe organizimin e Sekretariateve

3.Këshilli Drejtues me kërkesë të kryesisë mund të ndryshoj, pakësoj apo shtojë sekretariatet.

Sekretari i Përgjithshëm

Neni 51

1.Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, është përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e përditshëm të PDK-së dhe për administratën e PDK-së

2.Kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm janë:

a)Drejton mbledhjet e Këshillit Drejtues, në mungesë të kryetarit.

b)Koordinon Sekretariatin Ekzekutiv.

c)Në mungesë dhe me kërkesë të Kryetarit të partisë, drejton mbledhjet e Kryesisë së partisë.

d)Ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e Statutit, vendimeve të miratuara nga Konventa dhe rregulloreve e udhëzimeve të forumeve drejtuese të partisë

e)I propozon Këshillit Drejtues për shqyrtim e miratim dokumente, rregullore dhe akte tjera të partisë.

f)Ndihmon dhe kontrollon organet drejtuese të lokale të partisë për zbatimin e vendimeve të organeve qendrore të partisë si dhe ne koordinim me sekretaret miraton programet e trajnimeve dhe aftësimin e të zgjedhurve në to.

g)Kryen edhe detyra të tjera te caktuara nga Kryetari dhe organet tjera te partisë

Sekretariati Ekzekutiv i Partisë

Neni 52

1.Sekretariati Ekzekutiv është organ politik i partisë me funksione ekzekutiv. Sekretariati ekzekutiv drejton veprimtarinë e përditshme të partisë sipas tematikave dhe sektorëve që sekretarët mbulojnë.

2.Funksioni i Sekretarit Ekzekutiv të partisë është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë.

3.Detyrat dhe kompetencat e Sekretariatit Ekzekutiv përcaktohen me rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli Drejtues.

4.Në mbështetje të punës së Sekretarëve funksionojnë nënsekretarët përzgjedhja e të cilëve bëhet nga Kryesia e partisë. Kryesia e Partisë me akt të veçantë miraton numrin, kriteret, mënyrën e funksionimit dhe detyrat që mbulojnë nënsekretarët.

Zgjedhja e Sekretarëve Ekzekutivë

Neni 53

1.Këshilli Drejtues miraton, me propozim të Kryetarit të partisë, numrin dhe strukturën e Sekretariatit Ekzekutiv të partisë.

2.Kryetari i partisë i paraqet Këshillit Drejtues për miratim kandidaturat për Sekretarë Ekzekutiv të partisë. Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë të drejtë të propozojnë kandidatura të tjera alternative. Çdo kandidaturë alternative e propozuar nga anëtarët e Këshillit duhet të ketë mbështetjen e të paktën 5% të anëtarëve të saj.

Struktura Koordinuese Elektorale

Neni 54

1.Në të gjitha nivelet e organizimit të partisë, ngrihen strukturat koordinuese elektorale.

2.Ndërtimi, përzgjedhja, detyrat që kryejnë, funksionimi, varësia dhe modalitetet e bashkëpunimit të tyre me strukturat e partisë përcaktohen në Rregulloren e Organizimit Elektoral të PDK-së, të miratuar nga Kryesia e Partisë.

Këshilli Politik

Neni 55

1.Këshilli politik është organ profesional, analizues dhe këshillëdhënës.

2.Këshilli i ka 31 anëtarë.

Përbërja e Këshillit Politik dhe mandati

Neni 56

1.Këshilli politik përbëhet nga koordinatori dhe 30 anëtarë të Partisë.

2.Mandati i Këshillit është 4 vjeçar ashtu siç e është përcaktuar me anë të këtij Statuti.

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Politik

Neni 57

1.Anëtarët/et e Këshillit politik zgjidhen nga Kryesia e Partisë

2.Koordinatori dhe 15 Anëtarë të Këshillit propozohen nga Kryetari dhe 15 anëtarë tjerë nga Kryesia

3.Anëtarët e Këshillit Politik do të jenë autoritete me përvojë politike dhe profesionale.

4.Anëtarët e Këshillit Politik mundë të vijnë nga radhët e anëtarëve të Konventës, Këshillit Drejtues, por edhe nga jashtë strukturës. Anëtarë të Këshillit politik nuk mundë të jenë anëtarët e Kryesisë.

Kompetencat e Këshillit Politik

Neni 58

Kompetencat e Këshillit politik janë:

1. Të ndihmojë organet e tjera qendrore (Kryetarin, Kryesinë dhe Këshillin Drejtues) me këshilla, rekomandime, iniciativa, plane, analiza dhe ide

2. Prodhon dokumente Strategjike për nevoja të partisë

3. Merr iniciativa dhe jep rekomandime për përmasimin e akteve juridike te partisë, mënyrës së funksionimit dhe politikave partiake.

4. Me qellim te koordinimit të aktiviteteve, të paktën gjashtë herë në vite mbahet mbledhje e përbashkët mes Kryesisë dhe Këshillit politik.

Rishikimi, plotësimi dhe rizgjedhja e Strukturave të Partisë

Neni 59

1. Gjatë mandatit në çdo rast kur nuk kemi përformancë të mirë ose kemi pasivitet të strukturave, në të gjithë nivelet nga organet e nëndegëve, organe lokale dhe qendrore, me propozim të Sekretariatit Elektoral të partisë mund të rishikohen apo te rizgjedhen organet e partisë.

2. Vendimin për rizgjedhje apo për plotësim e merr Kryesia Qendrore e Partisë.

3. Kryetari i partisë me pajtim të Kryesisë propozon plotësimin e organeve të degës dhe organeve qendrore, por pa kaluar ¼ e anëtarëve të organit përkatës .

4. Kryesia e Degës mund të propozojë plotësimin e organeve të nëndegëve në koordinim me kryesinë qendrore.

5. Çdo rishikim i strukturës bëhet pas një analize dhe matje të përformancës .

Komisioni për Burime Njerëzore (KBNJ)

Neni 60

1. Në kuadër të Kryesisë së PDK-së funksionon Komisioni për Burime Njerëzore që ka për qëllim udhëheqjen e politikës kadrovike brenda PDK-së.

2. KBNJ, ka në përbërje Kryetarin, nënkryetarët dhe Sekretarët .

3. Kompetencat e KBNJ-së janë:

a)I propozon Kryesisë kandidaturat për anëtarë të Qeverisë,

b)I propozon Kryesisë listën e kandidatëve për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

c)I propozon Kryesisë listën e kandidatëve për kryetar të komunave,

d)I propozon Kryesisë anëtarë të tjerë në funksione shtetërore dhe funksione të tjera publike.

Asambleja Kombëtare (AK)

Neni 61

1. Asambleja Kombëtare është organ gjithëpërfshirës i PDK-së që debaton politikat strategjike.

2. Asambleja Kombëtare ka këto kompetenca:

3. Diskuton politikat e përgjithshme të PDK-së,

4. Sugjeron organeve vendimmarrëse të PDK propozime për politikat e jashtme dhe të brendshme

5. Jep sugjerime të përgjithshme për përfaqësimin e politikave të PDK-së në organet shtetërore,

6. Debaton për zhvillimet politike në vend dhe nxjerr konkluzione,

Anëtarësia e Asamblesë Kombëtare

Neni 62

1.Përbërja e Asamblesë Kombëtare nuk është fikse dhe nuk kalon nëpërmjet procesit zgjedhor.

2.Asambleja Kombëtare përbëhet nga:

a)Themeluesit e PDK-së,

b)Anëtarët dhe ish-anëtarët e Kryesisë qendrore të PDK-së,

c)Anëtarët e KD-së,

d)Ish-anëtarët e KD-së,

e)Deputetët dhe ish-deputetët nga radhët e PDK-së,

f)Ministrat dhe ish-ministrat nga radhët e PDK-së,

g)Kryetarët dhe ish-kryetarët e komunave,

h)Përfaqësues nga të gjitha degët e PDK-së në mërgatë,

i)Personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut për PDK-në,

3.Asambleja Kombëtare udhëhiqet nga Kryetari i PDK-së.

Mbledhjet e Asamblesë Kombëtare

Neni 63

1. Mbledhjet e rregullta AK i mban së paku 1 herë në vit.

2. Puna e AK-së organizohet me rregullore të veçantë e cila nxirret nga Kryesia e PDK-së.

KAPITULLI V - ORGANET TJERA TË PDK-SË

Organet tjera

Neni 64

1. Organet tjera të PDK-së janë:

a)Komisioni i Kontrollit Financiar.

b)Rinia Demokratike (RD).

c)Gruaja Demokratike (GD).

d)Komisioni Disiplinor.

e)Komisioni Statutar.

f)Instituti për Studime dhe Analiza (ISA).

g)Kolegjiumi i Kryetarëve të Degëve (KKD).

h)Kabineti i Qeverisjes së Mirë.

i)Shtabi Qendror Zgjedhor.

j)Komisioni për Zgjedhje.

k)Akademia e Trajnimeve.

Komisioni i Kontrollit Financiar

Neni 65

1. Për kontrollin e aspekteve financiare të të gjithave strukturave drejtuese dhe të sektorëve të administratës të PDK-së, si dhe për shqyrtimin e ankesave, Këshilli Drejtues zgjedh Komisionin e Kontrollit prej 3 anëtarëve, sipas këtij Statuti.

2. Në rast të konfliktit të interesit të ndonjë anëtari të Komisionit, i njëjti nuk mund të merr pjesë në shqyrtimin e çështjes së caktuar.

3. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Kontrollit bëhet me shumicë votash të të pranishmëve.

Në rast të numrit të njëjtë të votave, vendoset me short.

3. Për drejtimin e punës, Komisioni i Kontrollit zgjedh Kryetarin nga radhët e veta.

Kontrolli bëhet të paktën një herë në vit dhe sipas nevojës.

5. Të gjitha dërgesat për Komisionin e Kontrollit i drejtohen Kryetarit të Komisionit.

6. Me kërkesën e Komisionit të Kontrollit apo të Kryesisë, mund të mbahen mbledhje të përbashkëta.

7. Komisioni i Kontrollit është i obliguar t'i kryejë detyrat e revizionit sipas Rregullores mbi Afarizmin Financiar të PDK-së, e cila nxjerrët nga KD.

8. Komisioni i Kontrollit kujdeset për proceset e auditimit të buxhetit të partisë dhe ndërmerr masa për zbatimin e rekomandimeve të raporteve vjetore të auditimit.

Gruaja Demokratike (GD) dhe Rinia Demokratike-(RD)

Neni 66

1.Në kuadër të PDK-së funksionojnë Gruaja Demokratike dhe Rinia Demokratike të cilat kanë për qëllim të promovojnë idetë, vlerat dhe vizionin e PDK në grupet shoqërore në të cilat veprojnë.

2.Puna e RD dhe GD rregullohet me akte të veçanta të ndara, të cilat miratohen nga Këshilli Drejtues i PDK-së.

Komisionet disiplinore

Neni 67

1.Komisionet e disiplinore formohen në qendër nga Kryesia e PDK-së dhe nëpër degë nga Kryesia e Degës për zgjedhjen e kontesteve.

2.Anëtarët e Komisionit Disiplinor zgjedhen nga Kryesia e PDK-së dhe Kryesia e Degës për komisionet e degëve përkatëse.

3.Fushëveprimi dhe procedura e Komisionit Disiplinor përkatës rregullohen me akte të veçantë, të cilën e nxjerr Kryesia.

4.Në raste të veçanta mund themelohen komisione ad-hoc, kompetencat e të cilave vlejnë për raste të caktuara.

5.Në Komisionin Disiplinor përkatës zgjedhet një kryetar, një nënkryetar dhe tre anëtarë.

Komisioni Statutar

Neni 68

1.Komisioni Statutar është organi përfundimtar për interpretimin e Statutit të PDK.

2.Vendimi i Komisionit Statutar për interpretim të Statutit është përfundimtar.

3.Komisioni Statutar ka shtatë anëtarë, dhe zgjidhen nga KD.

4.Komisioni Statutar merr vendime me shumicë të thjeshtë dhe mban mbledhje sipas nevojës pas paraqitjes së rasteve për interpretim të Statutit.

5.Mënyra e punës dhe procedurat e funksionimit të këtij komisioni rregullohen me vendim të veçantë i cili nxjerrët nga KD.

Instituti për Studime dhe Analiza-(ISA)

Neni 69

1.Instituti për Studime dhe Analiza është organ brenda PDK-së i cili merret me studime, hulumtime, sondazhe dhe analiza politike për nevoja të PDK-së.

2.Fushëveprimin dhe punën e ISA e mbikëqyr dhe udhëheqë njeri nga nënkryetarët

3.ISA është i obliguar që të organizojë forume, tryeza, debate, konferenca, të paraqesë studime dhe bëjë hulumtime për gjendjen politike, qeverisjen dhe aspektet e tjera në shërbim të PDK-së.

4.ISA udhëhiqet nga drejtori/ja i saj i cili emërohet nga Kryesia me vendim të veçantë.

5.PDK angazhon në ISA edhe ekspertë që nuk janë anëtarë të PDK-së.

6.Angazhimi administratës në ISA, mënyra e punës dhe detajet tjera, rregullohen me vendim të veçantë i cili nxjerrët nga Kryesia e PDK-së.

7.Përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve në baza ditore të ISA është drejtori/ja i saj.

Kolegjiumi i Kryetarëve të Degëve-(KKD)

Neni 70

1.Kolegjiumi i Kryetarëve të Degëve është organ këshillëdhënës dhe koordinues i cili përbëhet nga kryetarët e të gjitha degëve të PDK-së.

2.KKD angazhohet që të unifikojë dhe koordinojë politikën e degëve të PDK-së.

3.KKD mban takime të rregullta çdo muaj dhe rendin e ditës për mbledhje e përcakton Kryesia e PDK-së.

4.Mbledhjet e KKD-së i thërret dhe i kryeson Sekretari Organizativ dhe Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së.

5.Në mbledhje të KKD-së mund të marrë pjesë edhe Kryetari i partisë dhe zyrtarë të tjerë sipas rendit të ditës.

6.Për punën e tij KKD-së i raporton Kryesisë së PDK-së nëpërmjet sekretarit organizativ të tij.

Kabineti i Qeverisjes së Mirë

Neni 71

1.Gjatë kohës që PDK është në opozitë formon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë.

2.Puna e këtij organi përcaktohet me akt të veçantë i cili nxjerrët nga KD.

Shtabi Qendror Zgjedhor

Neni 72

1.Shtabi Qendror Zgjedhor zgjedhet nga Kryesia e PDK.

2.Shtabi Qendror Zgjedhor udhëheqë të gjitha veprimet elektorale për zgjedhjet lokale dhe ato nacionale.

3.Puna e Shtabit Zgjedhor udhëhiqet nga njëri prej anëtarëve të Kryesisë.

4.Puna, organizimi dhe fushëveprimi i Shtabit Qendror Zgjedhor përcaktohen me akt të veçantë.

Komisioni Zgjedhor i PDK

Neni 73

1.Komisioni i Zgjedhjeve i Partisë (KZP) është struktura qendrore përgjegjëse për përgatitjen, organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve të brendshme.

2.Në nivel dege, ngrihet Komisioni Lokal i Zgjedhjeve (KLZ).

3.KZP përbëhet nga 11 anëtarë, KLZ përbëhet nga 7-9 anëtarë

4.Mandati i anëtarit të KZP është katër vjet.

5.Funksionimi dhe kompetencat e KZP dhe të komisioneve zgjedhore lokale përcaktohen në Rregulloren e Zgjedhjeve në parti.

Akademia e Trajnimeve të PDK

Neni 74

1.Organizon dhe planifikon trajnimin e strukturave, komisionerëve, vëzhguesve, vullnetarëve

2.Miraton programet e trajnimeve dhe manualet .

3.Organizon trajnime te fushave politike dhe komunikimit me votues .

4.Koordinatorin e Akademisë dhe trajnerët i emëron Kryesia e Partisë nga radhët e personave te kualifikuar në këto fusha .

Grupet e Vullnetarëve të PDK

Neni 75

1.PDK ka grupet e vullnetarëve që përbëhen nga simpatizantët anëtarë dhe jo anëtarë të saj të cilat veprojnë në funksion të realizimit të qëllimit dhe vizionit të PDK-së.

2.Nëpërmjet punës së tyre grupet e vullnetarëve të PDK-së angazhohen në dinamizimin dhe funksionalizimin e aktiviteteve të PDK-së në baza ditore.

3.Grupet e vullnetarëve funksionojnë nën mbikëqyrjen e sekretarit elektoral

4.Mënyrën e punës dhe të aktiviteteve të grupeve vullnetare i përcakton sekretarit elektoral, në kuadër të fushë veprimtarisë së tij të përcaktuar me rregullore të veçantë që e nxjerr Kryesia e PDK-së.

KAPITULLI VI - PËRFAQËSUESIT E PDK-SË NË ORGANET PËRFAQËSUESE DHE QEVERISËSE

Përfaqësimi

Neni 76

1.PDK përfaqësohet në organet shtetërore nga të zgjedhurit e saj në Kuvendin e Kosovës dhe në organet e qeverisjes qendrore e lokale.

2.Parimet, kriteret, kuota gjinore dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për përfaqësimin në organet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ përcaktohen në këtë Statut dhe në vendimet e posaçme të organeve respektive.

3.Të gjithë anëtarët e partisë kanë të drejta të barabarta për t‘u zgjedhur ose emëruar për të ushtruar funksione publike, por partia mbështet në mënyrë prioritare anëtarët e saj më të kualifikuar si edhe përfaqësuesit nga gjinitë dhe rajonet më pak të përfaqësuara.

Parimet e zgjedhjes së përfaqësuesve në institucione

Neni 77

1.Kandidatët e PDK –së për përfaqësues në organet e qeverisjes qendrore e lokale zgjidhen sipas parimeve të mëposhtme:

a)Kandidatët më të aftë profesionalisht dhe me integritet të lartë publik.

b)Përfaqësimi i kandidatëve nga gjithë grupet shoqërore, politike dhe gjithë territori.

c)Mundësi të barabarta mes burrave dhe grave.

d)Përfaqësimi i denjë i të rinjve dhe të rejave.

e)Shmangia e mbajtjes së disa funksioneve e përgjegjësive njëkohësisht.

f)Ndërthurja e përfaqësimit të brezave të ndryshëm në nivelin e përfaqësimit

Integriteti dhe standardet në përzgjedhjen e kandidatëve

Neni 78

1.Në funksione politike në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të Institucioneve qendrore, e lokale, përfaqësuesit e PDK-së duhet të karakterizohen nga standardet më të larta të integritetit.

2.Të gjithë kandidatët e propozuar për tu zgjedhur ose emëruar nënshkruajnë një deklaratë, të miratuar nga Kryesia e Partisë, në të cilën ndër të tjera deklarojnë plotësimin e kushtit se nuk janë shkarkuar për korrupsion, nuk janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie si dhe nuk është duke u zhvilluar ndaj tyre procedurë gjyqësore për vepër penale.

3.Kandidatët përmes deklaratës zotohen se nëse zgjidhen ose emërohen, do të zbatojnë me korrektesë standardet e funksioneve për të cilat kandidojnë ose emërohen si edhe rregullat dhe orientimet e partisë.

Kodi i Etikës së PDK-së

Neni 79

1.PDK-ja miraton në Kryesi Kodin e Etikës, në të cilin përmblidhen kriteret e komunikimit dhe marrëdhënieve etike brenda radhëve të partisë dhe në komunikimin me votuesit, standardet e integritetit moral dhe etik që duhet të përmbushë çdo kandidat gjatë ushtrimit të mandatit të tij si përfaqësues i PDK-ja për organet qendrore e lokale të partisë dhe ato të institucionale.

2.Kodi përcakton edhe formularët që duhet të përmbush çdo kandidat para paraqitjes së kandidaturës së tij, masat konkrete për shkeljen e këtij Kodi

3.Zyrtarët e PDK-së që përjashtohen në bazë të Kodit të Etikës nuk mund të jenë kandidatë për funksionet e ndryshme partiake ose të emërohen nga partia për çdo lloj detyre që ka mbështetjen politike të partisë.

Zbatimi i Kodit të Etikës, mbikëqyrja

Neni 80

1.Kryesia e PDK-së do të emëroj një Komision për Mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit së etikës – Komisionin për Etikë.

2.Komisionin për Etikë monitoron zbatimin dhe respektimin nga votuesit, anëtarët dhe organet e partisë, të Statutit, të rregulloreve, vendimeve të lëshuara në zbatim të tij, si dhe Kodin e Etikës, duke ofruar mendime dhe shpjegime në dispozitat e tyre apo ndërhyrë në çështjet që mund të lindin.

3.Komisionin për Etikë harton një raport vjetor mbi zbatimin e Kodit të Etikës dhe kur është e nevojshme, paraqet në Kryesisë dhe KD-së propozimet për ndryshimin ose plotësimin e Kodit të Etikës.

4.Kodi i etikës miratohet nga Kryesia e PDK-së

Grupi Parlamentar (GP)

Neni 81

1.Grupi Parlamentar i PDK-së përbëhet nga deputetët që përfaqësojnë PDK-në në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

2.Grupi Parlamentar përfaqëson dhe mbron platformën e PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

3.Grupi Parlamentar vendos për ndarjen e deputetëve të PDK-së në komisionet e Kuvendit.

4.Deputetët e PDK janë të detyruar të zbatojnë vendimet e GP dhe të Kryesisë së PDK-së.

5.Puna dhe organizimi i Grupit Parlamentar përcaktohet me akt të veçantë nga Kryesia e PDK-së në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi.

6.Grupi Parlamentar i PDK-së koordinohet me Kryesinë e partisë.

7.Kryetari i Grupit Parlamentar njofton Kryesinë për punën e Grupit Parlamentar.

8.Grupi parlamentar largon në mënyrë të menjëhershme deputetët anëtarë të vet në rastet e mospjesëmarrjes, votimit kundër dhe abstenimit ndaj vendimit politik për çështjet e mëposhtme:

a)Miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar.

b)Miratimi i buxhetit të shtetit.

c)Votëbesimit për qeverinë.

d)Zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore në funksione kushtetuese kur ka vendim Grupi për mbështetjen e kandidatit.

e)Çështje të tjera me rëndësi të veçantë politike që vlerësohen si të tilla nga mbledhja e Grupit parlamentar.

9.Deputeti mund të kërkojë, por jo më parë se një vit, heqjen e masës në Kryesinë e Grupit parlamentar, e cila është e detyruar ta shqyrtojë dhe të marrë vendim jo më vonë se 30 ditë nga paraqitja e kërkesës.

10.Vendimi i Grupit parlamentar për largim të deputetit nga Grupi parlamentar ose heqjen e masës ndaj tij miratohet në Kryesinë e partisë.

11.Deputetët e PDK-së kanë detyrimin prioritar të punës së tyre të mbajnë kontakte të vazhdueshme dhe bashkëpunojnë me strukturat e partisë dhe votuesit përkatës.

12.Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve, shkalla e autonomisë në raport me vendimet, marrëdhëniet midis Grupit parlamentar dhe partisë përcaktohen në rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së.

Përfaqësuesit e PDK në Ekzekutiv

Neni 82

1.Kryesia e Partisë e jep pëlqimin për kandidaturat për përfaqësuesit si ministra, zv/ministra dhe pozitat e tjera të larta publike politike.

2.Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për përfaqësues të PDK-së në qeveri dhe funksione të tjera publike politike janë të njëjta me kërkesat që duhet të përmbushin kandidatët për deputetë, mbështetur edhe në kërkesat ligjore dhe kriteret e meritës për zgjedhjen në këto funksione publike.

3.Përfaqësuesit politik të PDK-së në qeverisje dhe në funksionet e tjera publike politike mbajnë marrëdhënie të vazhdueshme dhe bashkëpunojnë me Grupin parlamentar , Këshillin Drejtues, Kryesinë e Partisë, Sekretarin e Përgjithshëm, Sekretariatin Ekzekutiv si edhe me anëtarët e partisë dhe votuesit.

Grupet e Këshilltarëve Komunal të PDK-së

Neni 83

1.Këshilltarët e partisë të zgjedhur në komuna përbëjnë grupin e këshilltarëve të PDK-së.

2.Grupet e këshilltarëve raportojnë për veprimtarinë e tyre në Kryesin e PDK-së në degë dhe njëherë në vit para Këshillit Drejtues të Degës.

3.Grupi i këshilltarëve të PDK-së diskuton paraprakisht për projektvendimet ose çështjet që do të shqyrtohen në mbledhjen përkatëse dhe përcakton paraprakisht qëndrimin e tij në respektim e zbatim të programit të partisë, të veçorive të zonës si dhe nevojave të votuesve. Grupi zbaton vendimin e marrë me shumicë votash dhe qëndrimet e Kryesisë së Degës.

4.Grupi i këshilltarëve të PDK-së funksion në analogji me Grupin parlamentar. Edhe vendimi për largim merret nga organet e degës në mënyrë të njëjtë.

Kryetarët e Komunave dhe Kryesuesit e Kuvendeve Komunale

Neni 84

1.Partia zgjedh përfaqësuesit e saj për kandidatë për Kryetar Komune dhe Kryesues të Kuvendit Komunal.

2.Kriteret që duhet të përmbushin përfaqësuesit për kandidatë për kryetar dhe kryesues përcaktohen nga Statuti dhe aktet tjera të Kryesisë, mbështetur edhe në kërkesat ligjore dhe kriteret e meritës për zgjedhjen në këto funksione publike.

3.Përfaqësuesit e partisë të zgjedhur kryetar dhe kryesues mbajnë lidhje të vazhdueshme me organet drejtuese vendore të partisë, si dhe me anëtarët e partisë dhe votuesit.

Zgjedhja e kandidatëve për këshilltarë komunal

Neni 85

1.Këshilli Drejtues harton kriteret dhe rregullat për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshilltarë të komunal.

2.Lista me këshilltarëve Komunal hartohet nga Kryesia e Degës përkatëse dhe merr pëlqimin e Kryesisë Qendrore.

3.Kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë komunal duhet të plotësojnë standardet dhe kriteret e parapara me këtë statut dhe akte të veçanta të PDK-së.

KAPITULLI VII - RREGULLAT PROCEDURALE TË PDK-SË

Vendimmarrja

Neni 86

1.PDK inkurajon debatin dhe e mendimit të lirë. Çdo vendim në organet dhe forumet e saj i nënshtrohet një diskutimi paraprak.

2.Vendimi merret me shumicë votash ose me konsensus.

3.Vendimi i miratuar me shumicë votash është i detyrueshëm për të gjithë pjesëtarët e organit që e merr dhe për ata të cilëve u referohet ai.

4.Pakica që ka votuar kundër, ka të drejtë të kërkojë rishqyrtimin e problemeve në organin drejtues më të lartë.

Zbatimi i vendimeve

Neni 87

1.Mënyra e vendimmarrjes, e përcaktuar nëpërmjet këtij Statuti dhe rregulloreve të miratuara nga organet drejtuese të partisë, është detyrimisht i zbatueshëm për të gjitha nivelet e strukturave të partisë.

2.Vendimi i organeve drejtuese të degës zbatohet nga e gjithë struktura. Vendimi kundërshtohet dhe nuk zbatohet nga ana e tyre kur çmohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e Partisë. Kundërshtimi duhet të argumentohet pranë organit drejtues vendor që e ka marrë atë vendim ose pranë Komisionit të Etikes. Deri në sqarimin e çështjes, zbatimi i vendimit pezullohet.

3.Vendimi i organeve drejtuese qendrore zbatohet nga organet qendrore dhe organet drejtuese te degëve e nëndegëve. Në rast mospajtimi me të, organet vendore të partisë kanë të drejtën e ankimimit pranë organit qendror vendimmarrës të partisë.

Kundërshtimi i zbatimit të vendimit

Neni 88

1.Vendimin për arsye të qëndrueshme e anulon vetëm struktura organizative e partisë që e ka marrë ose Komisioni i Etikës.

2.Vendimi i nëndegës anulohet nga organet drejtuese të degës, kur çmohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e partisë. Organet drejtuese vendore detyrohen që, në rast mospajtimi me vendimin e nëndegës, të argumentojnë pranë saj domosdoshmërinë e ndryshimit të tij.

3.Vendimi i organeve drejtuese të degës zbatohet nga organet e nëndegëve. Ai kundërshtohet dhe nuk zbatohet prej tyre kur vlerësohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e partisë. Kundërshtimi duhet të argumentohet pranë organit të degës që e ka marrë atë vendim ose pranë Komisionit të Etikës

4.Vendimi i organeve drejtuese qendrore zbatohet nga nëndegët dhe organet drejtuese të degës. Në rast mospajtimi me të, organet e degës të partisë kanë të drejtën e ankimimit pranë organit qendror vendimmarrës të partisë ose pranë Komisionit të Etikës.

Papajtueshmëria e dy mandateve

Neni 89

1.Në zgjedhje për drejtues të organeve të partisë si dhe për individë të zgjedhur, e ne veçanti për të emëruar si përfaqësues të partisë në organet e pushtetit, si rregull, ndiqet parimi i mosmbajtjes së dy mandateve njëkohësisht nga i njëjti person.

2.Modalitetet për mos pajtueshmërinë e dy mandateve përcaktohen nga Këshilli Drejtues i PDK-së.

Shmangia e konfliktit të interesave

Neni 90

1.Në zgjedhjen e drejtuesve, përfaqësuesve dhe vendimmarrjet e partisë në të gjitha nivelet zbatohet parimi i shmangies së konfliktit të interesave dhe nepotizmit.

2.Modalitetet për shmangien e konfliktit të interesave dhe nepotizmit në drejtim e përfaqësim përcaktohen nga Këshilli Drejtues i PDK-së.

KAPITULLI VIII - MARRËDHËNIET E PARTISË ME ORGANIZATAT TJERA

Marrëdhëniet me degët dhe organizatat në diasporë

Neni 91

1.PDK në diasporë organizohet nëpërmjet degëve dhe nëndegëve varësisht prej anëtarësisë.

2.Degët dhe nëndegët e PDK-së në diasporë bashkëpunojnë ngushtë me shoqatat dhe klubet e bashkatdhetarëve.

3.Organet qendrore të PDK-së në Kosovë mbajnë kontakte të rregullta me degët dhe nëndegët në diasporë.

4.Partia, në mënyrë që të sigurojë pjesëmarrjen në jetën politike, sociale dhe kulturore të qytetarëve kosovarë që jetojnë jashtë vendit, ndërton strukturat e veta në vendet ku jeton diaspora.

5.Strukturat ne Diasporë gëzojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet si edhe strukturat e partisë në territorin e Republikës së Kosovë, të parashikuara në këtë Statut.

6.Nëndegët në vendet pritëse të diasporës ngrihen mbi bazën e territorit të vendit përkatës ku jetojnë emigrantët.

7.Organi më i lartë i partisë në emigracion është dega që ngritet në nivel shteti ose njësie të federatës

Detyrat e Strukturave të Partisë në Diasporë

Neni 91/A

1.Nëndegët dhe degët në Diasporë kanë të gjitha të drejtat dhe detyrimet si edhe strukturat e partisë në Republikën e Kosovës, të parashikuara në këtë Statut.

2.Në përputhje me kushtet në të cilat veprojnë, strukturat e partisë në vendet pritëse kryejnë këto detyra specifike:

a)Punojnë për shtrirjen e strukturave të partisë në çdo qytet e rajon ku jetojnë kosovarë në diasporë.

b)Punojnë për shtimin e strukturës së partisë me anëtarë të rinj nga radhët e bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë dhe zgjerojnë ndikimin në komunitetin e emigrantëve ku veprojnë.

c)Organizojnë takime e tubime politike, patriotike e të solidaritetit me emigrantët.

d)Mbajnë lidhje me strukturat e partisë në njësitë vendore në Republikën e Kosovës.

e)Organizojnë dhe koordinojnë ndihmën e mbështetjen për strukturat e partisë në Republikën e Kosovës në zgjedhjet vendore e të përgjithshme.

f)Japin mendime e propozime konkrete për Programin dhe Statutin e partisë.

g)Bëjnë vlerësime e sugjerime për çështje të veçanta që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e diasporës kosovare, për qëndrimet dhe masat e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të vendit pritës.

3.Modalitetet dhe procedurat për organizimin e strukturave të partisë në vendet ku jeton diaspora, si dhe për ndërtimin e funksionimin e tyre përcaktohen me rregullore e udhëzime të veçanta të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së Partisë.

Marrëdhëniet me sindikatat, shoqatat dhe partitë politike brenda vendit

Neni 92

1.PDK bashkëpunon me sindikatat dhe shoqatat që kanë afërsi programore.

2.PDK bashkëpunon me partitë politike në Republikën e Kosovës dhe mund të lidhë marrëveshje koalicioni para dhe pas zgjedhjeve.

Marrëdhëniet organizatat dhe partitë politike jashtë vendit

Neni 93

1.PDK zhvillon lidhje bashkëpunimi me partitë politike jashtë vendit në interes të Republikës së Kosovës.

2.PDK anëtarësohet në organizata të partive politike të qendrës së djathtë

KAPITULLI XIX - DISIPLINA PARTIAKE

Disiplina

Neni 94

1.Të gjithë anëtarët e PDK-së, përfshirë edha ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK-së, të cilët shkelin Statutin, vendimet e organeve të PDK-së, programin, devijojnë nga politika e PDK-së ose në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK-së, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore.

2.Masat disiplinore merren ndaj anëtarit të partisë, i cili/e cila:

a)Mungon pa arsye për më shumë se një vit në mbledhjen e nëndegës ose në funksionin ku është zgjedhur.

b)Nuk kryen detyrat për të cilat është ngarkuar pa ndonjë arsye.

c)Shkel vendimet e organeve cenon rëndë rregullat dhe etikën e sjelljes në parti.

d)ç. Kandidon si i pavarur ose për forcat e tjera politike ose kontribuon në favor të tyre në fushatat zgjedhore, pa autorizim të organeve përkatëse të partisë.

e)Deklaron publikisht qëndrimin kundër kandidatit përfaqësues të partisë.

f)dh. Anëtarësohet në parti të tjera politike.

g)ë. Nuk merr pjesë në votime pa arsye të qëndrueshme.

h)Në rast të vërtetimit të ndonjërës prej shkeljeve, merren këto masa disiplinore:

i)Vërejtja verbale.

j)Qortimi.

k)Marrja e përkohshme e funksionit.

l)Marrja e funksionit.

m)Përjashtimi i përkohshëm nga PDK.

Procedura disiplinore

Neni 95

1.Procedura disiplinore ndaj çdo anëtari apo anëtareje që është në pozita udhëheqëse të PDK-së, iniciohet nga ana e secilit organ të PDK-së i cili e ka vërejtur shkeljen disiplinore.

2.Rastin për shkelje disiplinore e shqyrton Komisioni Qendror Disiplinor ose komisionet disiplinore të degëve, të cilët brenda 15 ditësh nga momenti i pranimit të kërkesës duhet të vendosin për rastin.

3.Nëse pala përkatëse nuk është e kënaqur me vendimin, brenda afatit prej 8 ditësh vendimin e Komisionit Qendror Disiplinor ose komisioneve të degëve mund ta apelojë pranë Komisionit Statutar.

4.Vendimin e marrë nga Komisioni Statutar mund ta ndryshojë vetëm Konventa e Përgjithshme e PDK-së.

5.Kryetari, së bashku me Kryesinë e PDK, me vendim të veçantë e jashtë procedurave disiplinore, mund të përjashtojë nga PDK secilin zyrtar që është në funksione të larta në PDK, Qeveri ose Kuvend, nëse konsiderohet se ai vepron në kundërshtim me politikat e PDK-së.

6.Procedura dhe shqyrtimi disiplinor rregullohen me akt të veçantë që miratohet nga KD.

KAPITULLI X - PROCESI ZGJEDHOR NË PDK

Procesi zgjedhor

Neni 96

1.Zgjedhjet në PDK i shpall Kryesia.

2.Kryesia, me qëllim të organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve, cakton koordinator të procesit zgjedhor njërin nga nënkryetarët e saj.

3.Të gjitha organet e PDK-së i nënshtrohen procesit zgjedhor çdo katër vjet.

4.Zgjedhjet mbahen në raunde të ndara, fillimisht për organet lokale, pastaj për ato qendrore dhe organet e tjera, ashtu siç është e paraparë me këtë Statut.

5.Në rast të cilitdo organ të PDK-së, kandidatët potencial kanë vota të barabarta, atëherë fati i tyre vendoset me short. Shorti është publik dhe transparent, si dhe zhvillohet pranë organit përkatës.

6.Në rast të pretendimeve dhe ankesave për parregullsi në procesin zgjedhor të PDK, vendos Komisioni Statutar i PDK.

7.Pas përfundimit të zgjedhjeve në nivel lokal dhe atë qendror, në afat prej 45 ditësh duhet të zgjedhën të gjitha organet e parapara me këtë Statut.

8.Të gjitha aspektet e tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në PDK, parashihen me një rregullore të veçantë e cila miratohet nga KD, përveç nëse nuk është paraparë ndryshe me Statut.

KAPITULLI XI - ADMINISTRATA DHE FINANCAT

Administrata

Neni 97

1.Për punët e përditshme PDK angazhon staf administrativ si në qendër ashtu edhe në nivel lokal.

2.Angazhimi sipas paragrafit 1, si dhe mënyra e kompensimit, bëhen nga Kryesia e PDK, varësisht nga mundësitë buxhetore.

3.Administrata mbështet punën e organeve dhe trupave politike te PDK-së.

4.Administrata drejtohet nga Drejtori Ekzekutiv qe e emëron Kryesia Qendrore, në mungesë të tij nga Sekretari i Përgjithshëm ose ndonjëri nga sekretarët

5.Administrata është përgjegjëse për çështje administrative, financiare dhe teknike.

6.Organizimi dhe rregullimi i Administratës se PDK-së rregullohet me akt të veçantë të kryesisë.

Financimi dhe kompensimet

Neni 98

1.PDK financohet nga:

a)Mjetet e mbledhura nga anëtarësia e PDK-së,

b)Buxheti i Republikës së Kosovës sipas ligjit në fuqi,

c)Donacionet nga donatorë të ndryshëm.

2.Raportet financiare dhe mënyra e financimit bëhen publike për anëtarët e KD dhe të Kryesisë. Raporti përfundimtar për financimin e PDK miratohet nga Kryesia qendrore. Kompetent për të kontrolluar financat e PDK-së është Komisioni i Kontrollit Financiar sikurse është përcaktuar me këtë Statut.

3.Mënyra, kushtet dhe aspektet tjera të financimit brenda PDK-së, caktohen me vendim të veçantë që e nxjerrë Kryesia e PDK-së.

4.Administrimin e buxhetit të PDK-së e bënë Zyrtari Kryesor Financiar i PDK-së dhe Drejtori Ekzekutiv, i cili njofton Kryesinë e PDK-së për gjendjen financiare çdo 3 muaj.

5.Planin e Buxhetit e Propozon Drejtori Ekzekutiv ne bashkëpunim për Zyrtarin Kryesor Financiar, dhe e miraton Kryesia e PDK-së.

6.Zyrtari Kryesor Financiar emërohet nga kryesia e PDK-së dhe bënë përgatitjen dhe ekzekutimin e planeve financiare, harton raportet financiare, dhe është përgjegjës për zhvillimin e procedurave dhe menaxhimin e çështjeve financiare.

Detyrimet pasurore

Neni 99

1.PDK-ja nuk merr përsipër detyrimesipas të cilave anëtarët e saj janë përgjegjës personalisht.

2.Për detyrime ligjore të PDK-së, përgjegjëse është vetëm ajo.

Dokumentimi i vendimeve

Neni 100

Të gjitha vendimet e organeve qendrore të PDK protokollohen dhe arkivohen në arkivine PDK-së. Edhe degët mbajnë protokollin dhe arkivin e tyre .

KAPITULLI XII - DISPOZITAT E TJERA

Informimi

Neni 101

1.Anëtarët e PDK kanë të drejtë të informohen në mënyrë objektive dhe me kohë për vendimet e të gjitha organeve drejtuese.

2.Informimi i anëtarëve të PDK-së bëhet nëpërmjet formave të brendshme të informimit si dhe ueb-faqes së PDK-së, në të cilin publikohen vendimet, qëndrimet e marra nga organet drejtuese në të gjitha nivelet.

3.Është obligim i degëve të PDK-së që në afat prej tri ditësh ta informojnë Zyrën Qendrore të Informimit , për vendimet e marra nga Degët dhe nëndegët.

4.Çështja e organizimit dhe funksionimit të informimit rregullohen me Rregulloren për Informim, të cilën e miraton Këshilli Drejtues.

5.Organet e shtypit, faqja online dhe mjetet tjera për informim publik të partisë e bazojnë veprimtarinë e tyre në Programin dhe Statutin, duke garantuar autonominë, lirinë e informimit dhe lirinë e mendimit.

KAPITULLI XIII - DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Amendamentimi i Statutit

Neni 102

1.Amendamentimi i Statutit mund të bëhet nga Konventa e Përgjithshme e PDK-së me shumicën e votave të anëtarëve të saj.

2.Propozues të amendamenteve në Statut janë:

a)Kryetari

b)Kryesia

c)KD

d)1/3 e anëtarëve të Konventës

e)Komisioni Statutar.

Interpretimi i Statutit

Neni 103

Në rast se paraqiten vështirësi në zbatimin në praktikë të një dispozite të Statutit, interpretimi i Komisionit Statutar është përfundimtar dhe i obligueshëm për të gjitha organet e PDK-së.

Tranzicioni dhe rregulloret e reja

Neni 104

1.Në bazë të këtij Statuti, themelohen organet e reja dhe bëhet bartja e kompetencave dhe riorganizimi i organeve të PDK-së.

2.Kryesia e PDK-së cakton një komision ad-hoc, për hartimin e rregulloreve të reja që dalin pas miratimit të Statutit të ri.

3.Tranzicioni i organeve dhe hartimi i rregulloreve duhet të bëhen më së largu në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Statuti.

4.Kryesia e PDK-së obligohet që brenda 30 ditëve të botojë tekstin origjinal të statutit dhe ta publikojë atë.

5.Brenda 6 muajve Kryesia dhe Këshilli Drejtues nxjerrin të gjitha aktet e parapara me këtë statut.

Hyrja në fuqi

Neni 105

Ky statut hyn në fuqi ditën e miratimit nga Konventa e Përgjithshme e PDK-së.




Prishtinë Kryetari

16.6.2019 Kadri Veseli

______________

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.