Rreth
Nesh

Historiku

Histori e shkurtër


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është parti politike e formuar në kryeqendrën e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, pak muaj pas çlirimit të vendit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) me përkrahjen e aleatëve - NATO-s në krye me ShBA, më 10 tetor 1999.

Pas vizitës së tri qendrave evropiane, Paris, Romë dhe Bon, z. Hashim Thaçi si drejtues i Drejtorisë Politike të UÇK-së, më 3 shtator 1999, mori rekomandime dhe publikoi lajmin për opinionin e gjerë se do të bëhet transformimi i UÇK-së në parti politike.

Ky transformim u bë dhe në fillim, partia kishte emrin Partia për Progres Demokratik e Kosovës, por më vonë e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, duke u rreshtuar si parti e qendrës së djathtë me fokus familjen, pronën, shtetin.

Pas luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosjes së forcave ndërkombëtare, fillimit të organizimit dhe të ndërtimit të institucioneve të para demokratike të Kosovës, u krijuan kushtet e përshtatshme për veprimtari politike.

PDK-ja është trashëgimtare e strukturave politike dhe ushtarake të UÇK-së, parti e atdhetarëve shqiptarë të të gjithë brezave, të viteve të rezistencës më 1956, 1968, 1981, 1989-1990, 1998-1999, si parti e intelektualëve, mjekëve, profesorëve, bujqve dhe profesioneve të ndryshme, nga të gjitha komunat e Kosovës, me ide gjithëpërfshirëse, parti demokratike me orientim të fuqishëm perëndimor, euro-atlantik.

Partia Demokratike e Kosovës, deri më sot, ka mbajtur 10 Kuvende Zgjedhore dhe Kuvende të Punës.

Që nga themelimi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, deri në vitin 2016 ishte z. Hashim Thaçi.

Pas marrjes së postit te Presidentit, z. Hashim Thaçi dha dorëheqje, ndërsa në Kuvendin e tetë zgjedhor, kryetar me vota unanime, u zgjodh Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë zgjidhet nëpërmjet Kuvendit të Partisë. Organi më i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës mes dy kuvendeve është Këshilli Drejtues, i cili numëron 147 anëtarë.

Këshilli Drejtues zgjedh me procedurë të veçantë Kryesinë e Partisë së PDK-së.

PDK-ja ka shtrirje në tërë territorin e Kosovës. Aktiviteti në terren mbulohet nga 39 degë dhe 1.086 nëndegë. Anëtarësia është e organizuar dhe regjistruar në dokumentet partiake dhe numëron mbi 70.000 anëtarë.

Organ Ekzekutiv i PDK-së është Kryesia, e cila zgjidhet nga Këshilli Drejtues dhe numëron 25 anëtarë.

Nënkryetarët dhe Sekretarët e Partisë Demokratike zgjidhen nga Kryesia e Partisë. Partia Demokratike e Kosovës ka bashkëqeverisur Qeverinë e Kosovës nga viti 2001-2004, me kryeministër z. Bajram Rexhepi.

Në periudhën e tretë legjislative, PDK i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe për herë të parë Hashim Thaçi zgjedhet kryeministër dhe drejton Qeverinë deri më 2014. PDK, me koalicione të ndryshme ka marrë pjesë në Qeveri, deri më 2019.


Rezultatet e PDK-së në zgjedhjet parlamentare

Periudha e parë legjislative (17.11.2001 - 23.11.2004), PDK kishte 26 deputetë,

Periudha e dytë legjislative (23.11.2004 - 12.12.2007) PDK kishte 30 deputetë,

Periudha e tretë legjislative (13.12.2007 - 3.11.2010) PDK kishte 34 deputetë,

Periudha e katërt legjislative (12.12.2010 - 7.5.2014) PDK kishte 32 deputetë,

Periudha e pestë legjislative (17.7.2014 - 10.5.2017) PDK kishte 36 deputetë,

Periudha e gjashtë legjislative (3.8.2017 - 22.8.2019) PDK kishte 23 deputetë,

Periudha e shtatë legjislative, (26.12.2019 - 6.1.2021), PDK kishte 24 deputetë,

Periudha e tetë legjislative, zgjedhjet e parakohshme (14.2.2021-), PDK ka 18 deputetë.


Nga viti 2004 deri më 2007, ishte në opozitë. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, PDK-ja konfirmohet si forca e parë politike në vend, udhëheq në 17 komuna dhe prej 9 janarit 2008, deri në vitin 2014 ish-kryetari Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ishte Partia më e madhe në Kosovë prej vitit 2008 deri në vitin 2017. Pas zgjedhjeve të vitit 2019, PDK doli forcë e 3-të, përkatësisht e dytë, duke qëndruar në opozitë, opozitë konstruktive.


Zgjedhjet lokale, më 2000

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të vitit 2000, PDK fitoi 187.821 vota, apo 27.3% të votave në nivel të Kosovës. 5 komunat ku PDK fitoi numrin më të madh të votave ishin: Drenas 18.587 vota, Skenderaj 18.108 vota, Prizren 15.406 vota dhe Ferizaj 11.077 vota. PDK fitoi pushtetin komunal në komunat e Drenasit, Kaçanikut, Novo Bërdës, Skenderajt, Shtimes dhe Shtërpcës.

Në të gjitha komunat e Kosovës PDK kishte 267 këshilltar në Kuvendet Komunale.

Zgjedhjet lokale, më 2001

Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001, PDK 202.622 vota apo 25.7% të votave në nivel të Kosovës. 5 komunat ku PDK fitoi numrin më të madh të votave ishin: Drenas 18.618 vota, Prishtinë 17.068 vota, Skenderaj 17.049, Prizren 16.901 dhe Gjilan 12.374. PDK në këtë mandat fitoi 26 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet lokale, më 2002

Në zgjedhjet dyta lokale të vitit 2002, PDK fitoi më së shumti vota në këto 6 komuna: Prizren 17.947 vota, Drenas 17.313 vota, Skenderaj 15.601, Ferizaj 12.648 dhe Gjilan 12.167. PDK fitoi pushtetin komunal në komunat e Drenasit, Kaçanikut, Lipjanit, Skenderajt, Shtimes dhe Malishevës. Në të gjitha komunat e Kosovës PDK kishte 283 këshilltar në Kuvendet Komunale.

Zgjedhjet lokale, më 2005

Zgjedhjet e treta lokale të vitit 2005, PDK fitoi në këto Komuna; Drenas, Kaçanik, Skenderaj, Malishevë, Shtime, ku mori 170 këshilltarë ne Kuvendet Komunale.

Zgjedhjet lokale, më 2007

Zgjedhjet e katërta lokale të vitit 2007, PDK fitoi në këto komuna: Gjilan, Prizren, Kamenicë, Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Drenas, Skenderaj, Kaçanik, Malishevë, Klinë, Rahovec, Vushtrri, Shtime, Lipjan.

Zgjedhjet lokale, më 2009

Zgjedhjet e pesta lokale të vitit 2009, PDK fitoi në këto komuna, Gjilan, Prizren, Drenas, Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Malishevë, Shtime, Skenderaj, Vushtrri, Klinë, Dragash.

Zgjedhjet lokale, më 2013

Zgjedhjet e gjashta lokale të vitit 2013, PDK fitoi në 10 komuna, Klinë, Rahovec, Skenderaj, Dragash, Kamenicë, Vushtrri, Prizren, Drenas, Kaçanik, Shtime.

Zgjedhjet lokale, më 2017

Zgjedhjet e shtata lokale, të vitit 2017, PDK fitoi në 5 Komuna, Ferizaj, Drenas, Shtime, Dragash, Kaçanik,

Zgjedhjet lokale, më 2021

Zgjedhjet e Teta lokale të vitit 2021, PDK fitoi në 8 komuna, si vijon: Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Drenas, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik, Han i Elezit, me 206 këshilltarë komunal.


PDK, udhëheq me 8 komuna, ndërsa ka bashkëqeverisje me koalicione në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Viti, Podujevë, Istog, Suharekë, Junik...duke u dëshmuar si forca e parë politike në pushtetin lokal.

Më 5 nëntor 2020, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, merr ftesë nga Dhomat e Specializuara dhe me vendim të Kryesisë, ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së, emërohet Enver Hoxhaj.

Në Konventën e Jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së, më 3 korrik 2021, kryetar i PDK-së, zgjedhet z. Memli Krasniqi dhe kryesia prej 25 anëtarëve.

Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, në përbërjen e tetë legjislative, është Abelard Tahiri.

Me vendim të Kryesisë, të gjithë ata që disponojnë një mandat apo emërim në post të lartë institucional apo politik, nuk mund të kenë funksione të dyfishta.

Me vendim të Kryesisë, të gjithë ata që kanë aktakuzë apo dënime të çfarëdo natyre, nuk mund të kandidojnë as në pushtetin lokal as në nivelin qendror.

Brenda strukturave të PDK-së, funksionon Rinia Demokratike e Kosovës dhe Gruaja Demokratike. Po ashtu, në PDK funksionon Instituti për Studime Politike, Komisioni për Organizimin e PDK-së në Diasporë, Drejtoria për Bashkëpunimin ndërkombëtar, etj.

Gratë përfaqësojnë qytetarët me dhjetëra mandate në shumicën e asambleve komunale në Kosovë, drejtojnë dhjetëra drejtori në pushtetin lokal, nënkryetare komunash dhe janë drejtuese të shquara në pesë asamble komunale, në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

Mbledhjet e Kryesisë janë të rregullta ku merren vendime të rëndësishme politike dhe programore dhe me rëndësi për jetën institucionale dhe qytetarët.

Më 2022, PDK anëtarësohet në rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në proces për anëtarësim në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve Evropianë (ALDE).

PDK ka themeluar Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, me 15 departamente.

Komunikimin me publikun, PDK e zhvillon në nivelin partiak, parlamentar dhe nivelin e pushtetit lokal, në takime me qytetarë, komunikata, konferenca për media, intervista të drejtuesve dhe profesionistëve me opinione politike e profesionale, si dhe komunikimi me rrjetet sociale.


Sukseset më të mëdha të PDK-së, janë kontributi në demokratizimin e vendit, themelimin e institucioneve të lira dhe demokratike, transformimin e shoqërisë dhe fuqizimin e institucioneve të shtetit, ekonomisë së tregut të lirë dhe liberalizimit të tij, në arsim, shëndetësi dhe ambient, infrastrukturë dhe fushave tjera që kontribuuan në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Nga buxheti 450 milion euro, në 2 miliard, nga GDP-ja për kokë banori 1.600 në 3.800 euro. Nga 38 mijë studentë, në 118.000, nga dy universitete publike, në shtatë, ngritjen e kolegjeve dhe universiteteve private me renome ndërkombëtare, ngritjen e pagave, nga 30, deri në 200% dhe zhvillime të hovshme, që kurrë nuk i kishte përjetuar Republika e Kosovës në historinë e saj.

PDK ka kontribut të jashtëzakonshëm në shtetndërtim, me institucione demokratike, me përgjegjësi të ndara ekzekutive, legjislative dhe gjyqësor, me media të lira dhe sundim të ligjit.

Pavarësia e shtetit të Kosovës, mban vulën e PDK-së dhe lidershipit të saj, të cilin e kishte si premtim elektoral Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Këtë e bëri Kryeministri i atëhershëm, njëherësh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, më 17 shkurt 2008, në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Pas Shpalljes së Pavarësisë, u ngritën edhe institucionet tjera të lira e të pavarura, duke filluar nga simbolet e shtetit, miratimi i Kushtetutës, mbi 100 njohje ndërkombëtare, integrimin në organizatat ndërkombëtare si dhe ndryshimin rrënjësor të Republikës së Kosovës, me shkolla, rrugë, autostrada, spitale dhe institucione të sigurisë së Kosovës si burim i paqes në rajon dhe më gjerë.

Përfaqësuesit e PDK-së kanë mbajtur postet më të larta dhe përgjegjësi institucionale në shtetin e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe pushteti lokal, me përfaqësim ndërkombëtar e diplomatik, në konferenca e samite me rëndësi globale.


PDK nuk guxon të ndalet, sepse, ndalet Kosova!

Shtetformimi dhe shtetndërtimi janë shenjat dalluese të PDK-së.


Energjia e PDK-së, buron nga vizioni atdhetar i gjeneratave të tëra, trashëgimia më sublime e grave dhe burrave më të devotshëm për shtet të lirë e demokratik, të përparuar, me gjasa e mundësi të barabarta, me orientim të fuqishëm euro-atlantik, me vizion për integrim në BE dhe NATO.


Prishtinë, 2022

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.