Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, pas vizitave të disa biznese, ka mbajtur tubime me qytetarë edhe në Dragash e Zhur.
Në Dragash, Hamza ka premtuar mbështetje për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë.
“Ne do t’i përkrahim të punësuarit në sektorin privat përmes themelimit të Gjykatës së Punës, e cila i garanton të drejtat për të punësuarit në sektorin privat. Dhe do ta themelojmë Fondin për Papunësinë, i cili do të sigurojë 80% të pagës së fundit për 6 muaj në rast të humbjes së vendit të punës. Qëllimi ynë është ta përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës dhe standardin e jetesës së familjeve të Kosovës. Jemi të fokusuar që ta përkrahim Komunën e Dragashit, ta përkrahim potencialin turistik të kësaj komune, përmes investimit në infrastrukturë dhe krijimit të kushteve që të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë bukuritë e Sharrit, të mund ta bëjnë këtë gjatë gjithë vitit, duke e bërë Dragashin një destinacion turistik të qëndrueshëm”, ka thënë Hamza në Dragash.
Ndërsa, në tubimin në Zhur, Hamza i ka garantuar qytetarët se programi i tij do të zbatohet në kohë dhe pa vonesa.
“Para qytetarëve të Kosovës garojmë me një program të qartë, me një vizion të qartë për të ardhmen. Për një vizion, i cili do ta ndryshojë dhe do ta përmirësojë standardin e jetesës së secilës familje në Kosovë. Mbi të gjitha, ne kemi ekipe të jashtëzakonshme, të cilat garantojnë dhe sigurojnë zbatimin e këtij programi në kohë dhe pa vonesa”, ka thënë Hamza në Zhur.
Videomateriali nga Dragashi: https://we.tl/t-IlrzteOMBZ
Videomateriali nga Zhuri: https://we.tl/t-2rIs4shaB4