Bedri Hamza: Sa herë kam qenë në pozitë i kam rritur pagat, i rris prapë për 50%

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, i ftuar në emisionin “Pressing” në T7, u pyet nga analistët për premtimin e tij për rritje të pagave dhe për historikun e tij në këtë aspekt.

Hamza theksoi se pagat i ka rritur në të gjitha pozitat që ka mbajtur më parë, duke u përkushtuar gjithmonë në përmirësimin e kushteve për të punësuarit.

“Sa herë kam qenë në pozitë, i kam ngritur pagat, por jo vetes, por të punësuarve”, tha Hamza.

Ai përmendi dy mandatet e tij si Ministër i Financave dhe kohën kur shërbeu si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, duke theksuar se ka ndërmarrë hapa konkretë për rritje pagash.

“Si Ministër i Financave, në mandatin e parë i kam rritur pagat dhe ajo ka qenë një rritje cilësore. Në mandatin e dytë, rritja ishte në përputhje me normën ekonomike. Edhe si Guvernator i Bankës Qendrore, i kam rritur pagat dy herë, por jo për Guvernatorin, për të punësuarit”, tha ai.

Hamza shtoi se edhe në mandatin si kryeministër do të vazhdojë këtë praktikë.

“Edhe këtë herë kam me i rritë për 50%. Ditën e parë të punës kam me fillu plotësim-ndryshimin dhe rishikimin e Ligjit për Ndarje Buxhetore, që të akomodohet premtimi për rritjen e pagave”, deklaroi ai.

“Marrëveshja e Brukselit është e pamjaftueshme, drafti ka probleme” – Hamza për dialogun Kosovë-Serbi

Bedri Hamza, kandidat për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se do të merret me dialogun me Serbinë, pasi kjo temë nuk mund të shmanget nga tavolina.

Ai ka thënë se në dialog ka pasur regres, duke shtuar se “Marrëveshja e Brukselit është e pamjaftueshme”.

Madje, Hamza në “Pressing” të T7 ka thënë se edhe drafi ka probleme.

“Procesi i dialogut ka lëviz në regres. Si politikan kam qenë afër me informacion, edhe pjesë aktive sepse marrëveshjet e caktuara i kam negociou si ajo e doganave”.

“Ne e kemi thënë marrëveshja e Brukselit është e pamjaftueshme, drafti ka probleme, edhe më shumë se një, por po i përmendi 2. Rezoluta 1244 në një dokument që është dokument i brendshëm të Kosovës, sepse statuti i Asociacionit është dokument i institucioneve të Kosovës. Rezoluta 1244 për më tepër as që i referohet vendimi të GjND është problem. Tema tjetër arbitrazhi, në një mënyrë ti po e pranon që institucionet e drejtësisë të Kosovës ose si kanë kapacitetet e mjaftueshme, ose nuk gjykojnë drejtë, ose ne nuk i njohm ato vendime”, ka thënë Hamza. 

“Me ngrohtësinë dhe respektin tim…” – Ishte i interesuar për vizionin tim si kryeministër”, Hamza për mbështetjen nga William Walker

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK’së, Bedri Hamza ka folur për mbështetjen që mori nga William Walker.

Hamza në emisionin Pressing në T7 tha se gjatë takimit me Walker, ai ishte shumë i interesuar për vizionin e tij si kryeministër.

Mes tjerash, Hamza tha i tregova që fokusi i tij është për të ardhmen e Kosovës, për krijimin e një jete sa më të mirë, shëndetësi më të mirë, e arsim më të mirë në Kosovë.

“Për ambasadorin kemi respekt gjithë. Ai është njeri i respektuar sepse e ka ndërruar rrjedhën e zhvillimeve gjatë luftës në Kosovë. Më kujtohet shumë mirë ajo ngjarje edhe pse ka ndodhur para 26 vjetëve. Populli i Kosovës jam i bindur që jemi mirënjohës përjetësisht dhe është hero i yni.

Jam i bindur që ka përvojë të mjaftueshme që në momente të caktuara, situata të caktuara jep mendime të veta. Fillimisht kemi pasur një takim shumë miqësor dhe ka qenë shumë i interesuar për vizionin tim si kryeministër. I kam treguar që fokusi jem është për të ardhmen, ta krijojmë një situatë ku Kosova mundet më mirë, shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, ku kemi pluralizëm, demokraci, zgjedhje të mira, ku partitë politike ballafaqohen mes vete”, tha ai.

Hamza: 150 milionë euro të destinuara për rrugën drejt Pejës kanë humbur dhe nuk janë shfrytëzuar

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, gjatë intervistës në emisionin “Pressing” në T7, ka deklaruar se qeveria nuk ka shfrytëzuar 150 milionë euro të destinuara për ndërtimin e segmentit Kijevë-Zahaq, një marrëveshje që ai kishte negociuar në vitin 2018.

“150 milionë euro për segmentin Kijevë-Zahaq si financim prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Investive Evropiane kanë qenë të siguruara, të ratifikuara në Kuvend. Kredi me kushte shumë të favorshme. Është humb, nuk janë shfrytëzuar. Këto i kam negociuar unë në vitin 2018”, tha Hamza.

Ai theksoi se këto fonde kanë qenë një mundësi e humbur për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke vënë në dukje dështimin e qeverisë për t’i zbatuar dhe menaxhuar projektet.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, rideklaroi edhe sonte në Pressing në T7 se në rast se nuk i rritë pagat brenda muajve të parë të qeverisjes së tij, atëherë nuk do të qëndrojë në pozitën e kryeministrit.

Ai dha detaje se kush do të përfitojë nga rritja e pagave.

“Pagat kanë me u rritë 50% për mësuesit, arsimtarët, profesorët, infermierët, mjekët, policët, zjarrëfikësit, ushtarët, shërbimin korrektues, shërbyesit civil, për të gjithë kanë me u rritë pagat për 50 %. Për një dallim ata që janë të emëruar politik, atyre nuk ju rriten pagat 50%, atyre iu rritet paga 30% (ministrave, këshilltarëve etj)”, tha Hamza në Pressing, transmeton Express.

“Publiksiht jam deklaru, nëse pagat nuk rriten brenda vitit të parë, në muajt e parë të mandatit, unë si kryeministër ju siguroj që me datën 31 dhjetor, unë nuk rri kryeministër i këtij vendi. E kam premtu, nuk du me qenë i papërgjegjshëm”, deklaroi Hamza.

Hamza në emisionin Pressing në T7 tha se si rezultat i kësaj ka përkeqësim të standardit jetësor në Kosovë.

“Viteve të fundit inflacioni ka qenë shumë i lartë, pra çmimet bazike kanë lëviz prej 40 deri 100 për qind. Shtresën më të madhe i prekun qito produktet bazike: buka, qumështi, vaji, kripa, qaji edhe energjia elektrike.

Kemi pas një ngritje enorme të çmimeve dhe të ardhurat kanë mbetur pothuajse në nivel të njëjtë. Pagat e pensionet pa ndonjë rritje domethënëse. Dhe si rezultat i kësaj kemi përkeqësimin e standardit të jetesës në Kosovë”, tha ai.

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ftuar në emisionin “Pressing” në T7, ka kritikuar Ligjin për Tatimin në Pronë, duke e cilësuar si të pafavorshëm për bizneset.

“Ligji për tatimin në pronë e kanë prolonguar, sepse është vit zgjedhor, por ne do ta rishikojmë”, deklaroi Hamza, duke vënë në dukje efektet negative që ky ligj mund të ketë në sektorin privat.

Ai theksoi se ngarkesa financiare që ky ligj i sjell bizneseve është aq e madhe sa mund t’i detyrojë disa prej tyre të braktisin pronat.

“Ngarkesa është aq e madhe sa do t’i detyrojë disa biznese të heqin dorë nga pronat e tyre. Ata do të mendojnë se a është më mirë të marrin me qira prona sesa t’i kenë në pronësi”, tha Hamza.

Po ashtu, ai theksoi se rritjen e buxhetit të shtetit nuk e sheh përmes rritjes së obligimeve ndaj bizneseve, por duke ofruar qasje më të favorshme në financa dhe lehtësirave fiskale.

Bedri Hamza, kandidat për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë në “Pressing” të T7, se investitorët po shkojnë nëpër vende të rajonit, pasi Kosova nuk ka ambient të të bërit biznes.

Hamza thotë se duhet të krijojnë një ambient miqësor për biznes.

Ai ka thënë se edhe bizneset vendore po shkojnë për të investuar në vende të rajonit e të Bashkimit Evropian.

Sipas tij duhet politika që të tërheqin investitorë, pasi kjo është baza e zhvillimit ekonomik.

“Unë e shoh rritjen e buxhetit përmes zhvillimit dhe rritjes ekonomike, jo vetëm përmes ngarkesave. Ne duhet t’i shikojmë edhe vendet e regjionit, sepse nuk mundesh me tërheq investitorë të jashtëm nëse ti i ke politikat fiskale, qasjen financa, ambientin për biznes, numrin e lejeve më të vështirësun sesa vendet e regjionit. Investitorët shkojnë, kanë shku edhe fatkeqësisht kohët e fundit edhe bizneset tona janë duke shkuar në vende fqinje e të Bashkimit Evropian”.

“Ne duhet të krijojmë një ambient miqësor për bizneset, A-ja e zhvillimit ekonomik është klimë e favorshme, përkrahje për ndërmarrje, legjislacion i mirë, zbatim i mirë i legjislacionit, gjithësi luftim i informalitetit”, ka thënë Hamza. 

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i pyetur në Pressing në T7 për gjuhën e papërshtatshme të kryeministrit Kurti karshi partive opozitare në fushatë, tha se është koncentruar në punë dhe tek qytetarët, duke mos i kushtuar vëmendje ofendimeve të kryeministrit.

Hamza në këtë pyetje tha “ecim tutje”, duke u fokusuar tek çështjet që e preokupojnë qytetarin.

“Unë thash që fushata ime është e koncentruar në diskutim, në punë, me votuesit, me qytetarët e Kosovës. Nuk e ndërroj origjinalitetin tim, kështu kam qenë, jam e do të vazhdoj, kështu që ecim tutje”, tha Hamza në Pressing.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK’së, Bedri Hamza ka shkuar në emisionin Pressing në T7 me këpucët që bleu në Suharekë.

Ai tha se këpucët nuk i ka provuar vetëm për reklamë, por që edhe në emision i ka të mbathura, pasi sipas tij janë shumë të rehatshme.

Ai tha se produktet vendore duhet të vlerësohen.

“Për me vërtetu që nuk i kom math veq sa për reklama edhe sonte i kam të mathur të njëjtat. Kogja të rehatshme janë. Na dimë më qenë kapak mos vlerësues ndaj tonës, kem shumë produkte kualitative, në shumë fusha: produkte ushqimore, dyer dhe dritare, mobile, këpucë, lloj lloj produktesh që vlerësohen edhe në tregjet ndërkombëtare.

Mendoj që duhet të rrisim vetëdijen që të konsumojmë më shumë produkte vendore. Kjo e ndihmon prodhuesin, një prej problemeve të thella të ekonomisë tonë që don me të vërtet shumë reforma strukturore është deficiti i lartë tregtar. Nëse ne arrijmë me i zavëndësu disa importe, ne arrijmë ta përmirësojmë këtë deficit”.

Tutje, Hamza foli me pozitivitet për kompanitë vendore, duke thënë se të tillët punësojnë qytetarë e paguajnë tatime.

“Nuk e kom problem me fol pozitivisht për kompanitë e Kosovës, flas me bindje e respekt sepse punësojnë për veti, për familjet e veta, punësojnë njerëz, paguajnë tatime. Janë njerëz të mirë”, tha ai.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Pressing” në T7, ka thënë se si asnjëherë më parë kjo parti po merr mbështetje në tubimet zgjedhore.

Sipas tij, çelësi i gjithë kësaj mbështetjeje është që ata i kanë dëgjuar hallet e qytetarëve.

Hamza ka thënë se pret që kjo energji, ky masivitet të shpërblehet në fund me votë, pasi siç u shpreh ai, PDK-ja është në garë për të dalë partia e parë.

“Kjo çka po ndodh është si rezultat i një pune shumë të madhe për një periudhë bukur të gjatë kohore. Unë që nga momenti i zyrtarizimit të kandidaturës time për kryeministër kam filluar punën, kanë filluar punën të gjitha strukturat e PDK-së, duke filluar prej kryetarit, zotëri Krasniqit, e të gjitha strukturave tjera, me qëllim që ne të konsolidohemi, mobilizohemi dhe kur të vjen koha e fushatës ne të jemi të përgatitur. Dhe që nga atëherë unë kam pasur vizita në të gjitha qytetet e Kosovës, kam pasur punëtori me të gjitha shtresat e qytetarëve të Kosovës edhe të moshës edhe të profesionit edhe të gjinive të ndryshme. I kam dëgjuar preokupimet e tyre edhe kamë bashkëbiseduar me ta.

Kam krijuar një ekip, ekipin prej njerëzve më profesional brenda PDK-së po s’jam kufizuar vetëm brenda PDK-së por kam dal edhe jashtë PDK-së dhe kemi arritur që te kemi takime edhe në fushatën parazgjedhore pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës edhe në diasporë dhe tash kur ka filluar zyrtarisht fushata e PDK-së ne programin e kemi publikuar, është një program i cili i adreson preokupimet e qytetarëve të Kosovës sepse është punuar nga ekspertët dhe është punuar në bazën e asaj çka kemi dëgjuar edhe çka kemi parë në terren. Tash vërehet një entuziazëm i madh, një masivitet i madh, një energji pozitive që realisht nuk ka ekzistuar fushatave të fundit. Unë jam që nga fillimi, do me thënë prej themelimit të PDK-së, por është një entuziazëm i madh dhe është krejt e pritshme që salla në Prishtinë të mbushet, mirëpo po mbushet në Ferizaj, po mbushet në Istog ku PDK-ja ka qëndruar më dobët në raport me vendet e tjera, në Kaçanik, një qytete jo i madh me gjithë atë masivitet, sonte në Shtime do me thënë atmosferë e ngjashme e njëjtë në Ferizaj dhe Podujevë dhe Skenderaj e në të gjitha. Tubimi i sotëm në Shtime salla nuk i ka zënë të gjithë ata që kanë pasur dëshirë me qenë prezent dhe është një masivitet jashtëzakonisht i madh. Por përveç kësaj ka edhe energji, vullnet, atmosferë që jam i bindur se njerëzit kanë me dal me votu edhe kanë me votu për PDK-në.

Mendoj se ne fillimisht i kemi dëgjuar mirë nevojat e tyre, preokupimet e tyre, i kemi takuar, kemi qenë shumë aktiv me strukturat, i kemi mobilizuar strukturat. Besoj që edhe kandidatura ime ka reflektuar pozitivisht në elektorat, por përtej të gjithave edhe lista është pritur mirë është një listë reprezentative dhe të gjitha këto janë elemente të cilat kanë sjell deri te kjo situatë. Jam i bindur që ky pozitivit, kjo energji ka me vazhdua deri në fund dhe unë në fund prej rezultat të mirë dhe ne jemi në garë për me dalë partia e parë”, u shpreh Hamza.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka folur në “Pressing” të T7 për planet e tij rreth sektorit të energjisë.

Hamza ka thënë se nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa siguri energjetike.

Ai ka thënë se Kosova ka humbur shumë kohë në vendimmarrje.

Për Hamzën termocentrali me gaz është një prioritet që do të mundësonte rritjen e kapaciteteve gjeneruese energjetike, pasi thotë se aktualisht ka diskprepancë me konsumin.

“Raportet me SHBA-të janë të rëndësishme në të gjitha fushat, por unë nuk e shoh këtë raport vetëm miqësor, por e shoh edhe si partneritet mes dy vendeve. Nuk mundesh me pas zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që është prioritet i parë në programin tonë nëse nuk ke siguri energjetike. Ne si Kosovë e kemi një diskprepancë të madhe në mes kapaciteteve gjeneruese dhe konsumit. Si rezultat i kësaj përballemi edhe me mungesë të energjisë elektrike, edhe pasiguri – kjo na rrit deficitin tregtar, por është edhe risk për qëndrueshmërinë makrofiskal”.

“Ne jemi vonu në vendimmarrje sa i përket kapaciteteve të reja gjeneruese, edhe kur ka qenë procesi i ndërtimit të kapaciteteve të reja, termocentraleve. Vendimmarrja është shty, për mua ka qenë e qartë Kosova është dashur me ecë vet në ndërtimin e kapaciteteve të reja. Kemi humbur shumë vakt në negociata edhe bashkëpunim me Bankën Botërore, në fund Banka Botërore është tërheq nga procesi”.

“Sa i përket kapaciteteve gjeneruese me gaz, kjo duhet me u bë. Kjo ka qenë temë. Ne si Kosovë kemi nevojë stabilitet energjetik. Termocentrali me gaz është prioritet i lartë”, ka deklaruar Hamza. 

https://www.youtube.com/watch?v=aWgaR1BM-Rg






PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.