Deputeti Reçica: Diaspora jonë përkrah fuqizimin e shtetit, shtetësinë e Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës
“Mërgata jonë po e fuqizon gjithnjë e më shumë angazhimin për Kosovën dhe mbështetjen për Partinë Demokratike të Kosovës, duke u bashkuar kështu rreth vizionit për një të ardhme të ndritur dhe për t’ia kthyer dinjitetin dhe qeverisjen e mirë Kosovës”, ka thënë Reçica
Deputeti Elmi Reçica, njëherësh udhëheqës i Departamentit të Diasporës në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) bashkë me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe drejtues tjerë nga Kryesia dhe dega në Zvicër, ka mbajtur një takim me bashkatdhetarë, veprimtarë të shquar dhe biznesmenë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, struktura të Degës së PDK-së si dhe bashkatdhetarë në Oberaargau, Düsseldorf, Hamburg dhe München.
“Mërgata jonë po e fuqizon gjithnjë e më shumë angazhimin për Kosovën dhe mbështetjen për Partinë Demokratike të Kosovës, duke u bashkuar kështu rreth vizionit për një të ardhme të ndritur dhe për t’ia kthyer dinjitetin dhe qeverisjen e mirë Kosovës”, ka thënë Reçica.
Ndërsa me rastin e 17 Shkurtit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ku qëndroi së bashku me kryetari n e PDK-së, z. Memli Krasniqin dhe bashkëpunëtorët tjerë, nga Zvicra, z. Reçica ka shkruar:
Partia Demokratike e Kosovës shënon Ditën e Pavarësisë në Zvicër.
Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, bashkë me Kryetarin Memli Krasniqin, e me ftesë të Degës së PDK-së në Zvicër, për nder të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kisha kënaqësinë që të marr pjesë në manifestimin kulturor dhe artistik kushtuar kësaj ngjarje historike të kombit shqiptar, me ç'rast u mbajt në Argau!
Në fjalën time në manifestim, falenderova mërgimtarët tanë për punën e palodhur për të mbajtur gjallë jetën e qytetarëve tanë, për t’i shkolluar fëmijët e tyre, për financimin dhe mbështetjen e tri luftërave çlirimtare që janë zhvilluar në trojet tona etnike.
Falenderova Degën e Partisë Demokratike të Kosovës për angazhimin e paparë për nëntë muaj rresht pas Kuvendit, të cilët me punë e përkushtim kanë arritur që ta mbushin këtë sallë përplot mërgimarë, jo për të festuar përvjetorin e Partisë Demokratike të Kosovës por për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!
E tillë është PDK-ja, së pari Kosova, shteti i Kosovës ka përparësi absolute në raport me çdo institucion tjetër.
Përshëndeta dhe falenderova familjet e dëshmorëve, invalidët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarët veteran të çështjes kombëtare.
Falenderova mikun e shqiptarëve dhe të Kosovës z.Reto Nause, Drejtor për Siguri, Energji dhe Mjedis për prezencën edhe fjalën e tij si dhe shtetin Zvicëran për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë në proceset integruese dhe shtetformuese.
Që nga Skënderbeu, Rilindja Kombëtare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te shpallja e shtetit shqiptar, Pavarësia e Kosovës është e arritura më e madhe e kombit shqiptar në historinë e re të shqiptarëve. Një ëndërr shekullore e bërë realitet. Përmbushje e amanetit të dëshmorëve dhe martirëve të rënë, kurorzim i sakrificës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës brez pas brezi.
Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri dhe të Mërgatës në veçanti ishin të pandalshme. Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës, e mbështetur nga bota perëndimore dhe demokratike, NATO e veçanërisht ShBA, na solli çlirimin dhe lirinë. Aspirata e shqiptarëve për një shtet të pavarur u bë realitet 15 vite më parë kur Kryeministri i zgjedhur me votën e qytetarëve tanë, z. Hashim Thaçi, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.
Përderisa ne sot po festojmë 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës nuk mund të mos përmendim çlirimtarët, vizionarët dhe themeluesit e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe gjithë bashkëluftëtarët e tjerë.
Sot, ata gjinden padrejtësisht në Hagë dhe po paguajnë çmimin e lirisë dhe shtetit. Ky çmim është çmim i lavdisë së përjetshme e krenarisë kombëtare.
Edhe përkundër kësaj pune kolosale që është bërë Republika e Kosovës ende është duke u përpjekur për përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Prandaj, bisedimet Kosovë-Serbi, me lehtësimin e ShBA-së dhe BE-së duhet të kenë vetëm një epilog, njohjen e ndërsjellë që do t’i hapte rrugë Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, pjesë e NATO-s dhe anëtare me të drejta të plota në BE.
Kosovë gëzuar Pavarësinë!
Deputeti Elmi Reçica, gjatë qëndrimit në Zvicër në kuadër në festimit të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka takuar shumë mërgimtarë të suksesshëm, të cilët kanë shprehur interesim për të bashkëpunuar në interes të vendit.
“Hektor Beqiri dhe Isa Gashi, janë veprimtarë e atdhetarë të shquar, njëherësh biznesmenë shumë të suksesshëm të cilët gëzojnë autoritet dhe besueshmëri si tek bashkatdhetarët dhe po ashtu tek shteti mirëpritës, Gjermania ku ata jetojnë dhe punojnë”, ka shkruar Reçica në “Facebook”.
Ndërsa pas një takimi në Oberaagau, z. Reçica ka deklaruar:
Takim me mërgimtarët tanë të suksesshëm të organizuar në nëndegën e PDK-së në Oberaargau, aktivistë të dalluar e njerëz human, familjarë të devotshëm e biznesmenë të suksesshëm, që ndihmojnë qytetarët tanë dhe Kosovën në secilin rast dhe për secilën nevojë.
Gjatë vizitave dhe qëndrimit me mërgimtarët tanë, me takime të shumta dhe në vende nga më të ndryshmet, që nga selitë e Universiteteve, në konsullatat dhe ambasadat e shtetit tonë, në kompanitë ku pronarë janë bashkatdhetarët tanë, në klube e restorante të ndryshme. Por më e këndshmja dhe më përmbatësorja është mikëpritja në familjet e mërgimtarëve tanë.
Ishte kënaqësi e veçantë që të jem mysafirë në familjen e Jeton Topallit, familjar i devotshëm, humanist e biznesmen i suksesshëm!
Përveç mikëpritjes tradicionale, si zakonisht nuk munguan dhuratat prej fëmijëve të tij të mrekullueshëm, vajzës Jetarës dhe djalit Arnitit.
Emëruesi i përbashkët i këtyre takimeve të z. Reçica me bashkëpunëtorë, ishte fuqizimi i shtetit, shtetësisë dhe Partisë Demokratike të Kosovës.