Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në 24 vjetorin e eksodit të shqiptarëve nga Kosova, ka rikujtuar dëbimin e mbi një milion shqiptarëve me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në kujtesën kolektive, janë ende të freskëta “pamjet e trishta” të asaj dite.
Postimi i plotë:
Sot, rikujtojmë dëbimin e mbi një milion shqiptarëve me dhunë nga shtëpitë e tyre, prej forcave paramilitare serbe, duke i detyruar ata ta braktisin atdheun e tyre - Kosovën, për t'u shpërngulur kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni.
Në kujtesën tonë kolektive, ende janë të freskëta pamjet e trishta dhe përjetimet e hidhura të kësaj tragjedie të para 24 viteve.
Duke kujtuar këto vuajtje dhe sakrifica tonat, e në shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapën dyert e zemrat e tyre për ne, sot shënojmë Ditën e Eksodit Shqiptar të Kosovës.
Mirënjohje e përjetshme për të gjithë ato familje humane e bujare, që na u gjendën në kohët më të rënda! Përherë falënderues!