Kandidati për kryeministër, njëherësh U.D. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, së bashku me Xhavit Halitin dhe dr. Fatmir Xhelilin, ka vizituar në përmbyllje të vitit, familjen e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.
Përmes një statusi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se vitin 2020 nuk mund ta përmbyllte pa vizituar familjen e kryetarit Veseli dhe ish presidentit Thaçi.
“Një baba krenar dhe shqiptar i ndershëm që rriti tërë fëmijët e tij në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Edhe sot, kur rrudhat në ballin e tij tregojnë më qartë se fjalët për peripecitë e jetës, ai qëndron vertikalisht dhe i palëkundur se Kosova do të bëhet. “, ka shkruar Hoxhaj në facebook.
Shkrimi i plotë:
Vitin 2020 nuk mund ta përmbyllja pa vizituar familjen e kryetarit Kadri Veseli. Bashkë me Xhavit Halitin dhe Fatmir Xhelilin u pritëm në konakun e babait të kryetarit, Fazli Veseli dhe vëllait, Ismetit në Mitrovicë. Një baba krenar dhe shqiptar i ndershëm që rriti tërë fëmijët e tij në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Edhe sot, kur rrudhat në ballin e tij tregojnë më qartë se fjalët për peripecitë e jetës, ai qëndron besimplotë dhe i palëkundur se Kosova do të bëhet.
Në një natë ku ne shkuam për t’i dhënë kurajo për mungesën e madhe që të gjithë po ndjejmë për Kadriun, ishte ai që me fjalët e tij na motivoi ne se duhet të mbledhim forcat dhe dhimbjen ta kthejmë në energji për të vazhduar punën e kryetarit Veseli në shtetndërtimin e Kosovës. Këtë ua kemi borxh shokëve e çlirimtarëve të Kosovës.
Z. Hoxhaj së bashku me z. Xhavit Halitin dhe dr. Fatmir Xhelilin ka vizituar po ashtu, Haxhi Thaçin, babanë e ish presidentit, Hashim Thaçi.
Pas vizitës, z. Hoxhaj ka shkruar në rrjetin social si vijon:
Figurat e mëdha si Hashim Thaçi edukohen dhe ngriten vetëm nga burra atdhetar. I tillë është Haxhi Thaçi, babai i presidentit Hashim Thaçi. Në një bashkëbisedim të ndjerë dhe krejt personal sonte me të, e falënderova nga zemra për gjithçka që i ka dhënë Kosovës. Rrnofsh sa malet baca Haxhi. Kosova është me ty në këto orë të liga!