Betim Gjoshi i PDK-së, njofton se kjo parti ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi.
‘Sot kemi lexuar një deklaratë shpifëse të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, e cila, po të mos ishte kaq absurde, e ligë dhe fyese, do të ishte qesharake. Gjithsesi, Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta kaloj pa veprime një shpifje të tillë.
PDK tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar.
Megjithatë, as një deklaratë e tillë, e pabazuar dhe shpifëse, nuk do të arrijë të mbulojë humnerën në të cilën ka rënë ky pushtet – përmes aferave të vazhdueshme abuzive dhe korruptive.
Koordinimin me kriminelët serbë, vjedhjen e rezervave shtetërore, hajninë me energjinë, trafikimin e lëndëve narkotike dhe keqqeverisjen – nuk kanë më fuqi dhe kredibilitet, as moral e as politik, që ta mbrojë askush – aq më pak një deputet i dobët si Artan Abrashi!’, shkruan Gjoshi.