Gruda, PDK: Transparency International vërtetoi se Kosova udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar

Prishtinë, 31 janar - Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se raporti i Transparency International vërtetoi se Kosova po udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme për shtetin dhe qytetarët.

Gruda, sot në një konferencë për media, tha se është tejet shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria Kurti për të luftuar korrupsionin, e cila, përveç kësaj, tashmë ka marrë në mbrojtje zyrtarët e saj të korruptuar duke penguar hetimet e pavarura.

“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengoj hetimet e pavarura ndaj tyre. Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë. Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, theksoi ai.

Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar vazhdimisht, gjatë tri viteve të kaluara të kësaj Qeverie, tendencat dhe veprimet e saj kundër sistemit të drejtësisë në vend, si shkarkimi i shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri me qëllim të pengimit të hetimeve për korrupsion ndaj drejtori të KEK-ut Nagip Krasniqi, si dhe pengimi i konstituimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e aferës me vjedhjen e rezervave shtetërore nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i publikuar nga Transparency International, konstaton këtë në mënyrë shumë të qartë. Aty thuhet se ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, e ilustruar me shkarkimin e kreut të njësisë së hetimit të posaçëm të policisë, së bashku me pengimin nga deputetët e mazhorancës të një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar për korrupsion të madh, sugjerojnë se vullneti politik për të hequr dorë nga kontrolli dhe forcimi i mbikëqyrjes së pavarur ende nuk ekziston”, theksoi Gruda.

PDK fton Qeverinë të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë dhe t’i hapë rrugë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive.

“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Qeverisë, ashtu siç kemi bërë gjatë tri viteve të kaluara, që të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë, mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe të i hapë rrugë menjëherë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive, e të cilat janë të shumta, ku zyrtarët e saj tashmë janë të përfshirë”, tha Gruda.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.