Hamza për ish-krerët e UÇK-së: I mungojnë tërë Kosovës, pres lirimin e tyre

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka folur për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët aktualisht ndodhen në Hagë.

Para një tubimi në diasporë, Hamza ka thënë se ndihet i lumtur që ka pasur fatin e jetës të punojë me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Sa herë flas për ta flas edhe me emocion. Jam i lumtur që kam pasur fatin e jetës të punoj me ta dhe bashkë përkrah tyre”, ka thënë Hamza ndërsa është brohoritur nga mërgata në Gjermani.

Tutje, Hamza ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së i mungojnë jo vetëm familjes, por edhe tërë Kosovës.

“Unë pres që ata të lirohen dhe t’i kthehen familjeve, të na kthehen neve dhe t’i kthehen Kosovës”, ka thënë Hamza.

Hamza-qytetarëve: Me mua si kryeministër, rritje të pagave në fillim të mandatit

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur i bindur se qytetarët e Kosovës do të mund të kenë rritje të pagave qysh në fillim të mandatit të tij, nëse ai zgjidhet si kryeministër i Kosovës.

“Unë po ju siguroj edhe garantoj, unë si kryeministër që njerëzit do t’i marrin pagat me rritje në fillim dhe jo në fund të mandatit”, ka thënë Hamza para një tubimi në diasporë.

Megjithatë, Hamza ka theksuar se në këtë mandat të Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur rritje të pagave, të cilat mund të kenë ndikuar në rritjen e standardit të jetesës.

Hamza gjithashtu ka premtuar se përkrahje në qeverisjen e tij do të kenë edhe skemat pensionale dhe sociale.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Kosova viteve të fundit ka pasur një stagnim, ndërsa ka vënë në pah sloganin e kësaj partie se tashmë me PDK-në “Kosova mundet më mirë”.

“Jam i sigurt që Kosova mundet më mirë dhe për me u bo Kosova më mirë kërkon edhe dije edhe eksperiencë, ekip të mirë rreth vetit dhe njerëz të gatshëm që të bëjnë zbatimin e programit dhe të ketë rezultate konkrete”, ka thënë Hamza nga Shtutgarti i Gjermanisë në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Për më tepër, Hamza ka theksuar se duhet shumë më shumë punë që të ndërrojë gjendja në të gjitha sferat në vend.

“Jo shumë llafe, por shumë më shumë punë dhe përmes punës të ndërrojë gjendja në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe mbi të gjitha të përmirësohet standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hamza.



PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.