Hoxhaj me kritika të forta ndaj Kurtit e VV-së: Kryeministër hije me qeveri praktikantësh

Kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj përmes një statusi në Facebook, me kritika të shumta i është drejtuar kryeministrit Kurti, duke i thënë se ai është zhdukur dhe nuk po shfaqet.

Ai ka thënë se Kurti është kryeministër hije dhe se qeveria e tij është një qeveri praktikantësh.

Hoxhaj ka vazhduar me kritika ndaj ministres së Jashtme Donika Gërvalla, duke thënë se ajo sot në vend të kërkim falje ndaj deklaratave të saj për UÇK-në ka shkuar edhe më tej duke e marrë në mbrojtje Serbinë.

Mirëpo Hoxhaj ka thënë se në seancën e sotme ku u provua të heshtet opozita, një gjë e tillë nuk do të ndodh dhe se partia që ai drejton nuk do të zmbrapset dhe nënshtrohet asnjëherë.

Postimi i plotë i tij:

Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti. Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij. Ai është vetëm hija e një kryeministri, që të vetmet deklarata politike i ka “mbrojtjen dhe arsyetimin e qëndrimeve skandaloze të vartësve në kabinetin qeveritar”.

E para në listë është ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e cila nuk po ndalet së foluri dhe me vetëdije për “krimet” kinse të UÇK-së. Ende nuk e dëgjuam asnjë fjalë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Kulmi ishte sot në Kuvend, ku në pritje të një kërkimfalje prej saj ndaj mijëra viktimave shqiptare në Kosovë, ajo shkoi më tej duke e marrë në mbrojtje Serbinë. Në vend se të tregoj për planet si ministre e jashtme në cilën organizatë do të aplikoj Kosova dhe ku ka ngecur procesi i njohjeve, ajo zgjodhi konfliktin me opozitën.

Por përpjekja e sotshme e saj dhe e bashkëpartiakëve për t’ia mbyllur gojën opozitës dështoi. Sepse PDK nuk do të nënshtrohet dhe zmbrapset para asnjë presioni. Sepse Kosova ka një kryeministër hije me qeveri praktikantësh, që agjendën ia diktojnë ministrat e tij me skandale dhe jo me punë për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët e Kosovës.