Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar Prof. Ukshin Hotin në 22 vjetorin e zhdukjes së tij, duke thënë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë e plotë pa zbardhjen e fatit të tij.
Tutje Hoxhaj tha se familja e Ukshin Hotit tash e 22 vjet pret një lajm për të e Kosova frymon nën ankth, ndërsa imazhin e fundit shokët e tij e kujtojnë deria ai po bënte “hapat e lirisë” nga burgu i Dubravës.
Postimi i plotë i z. Hoxhaj në fb:
Sot bëhen 22 vjet nga mungesa e intelektualit dhe patriotit tonë të shquar, Ukshin Hoti. 22 vjet që familja Hoti pret një lajm e Kosova frymon nën ankth. Imazhin e fundit, shokët e tij e kujtojnë derisa Ukshini po bënte “hapat e lirisë” nga burgu i Dubravës. Nga ajo ditë – asgjë. Asnjë përgjigje nga shteti serb nga e diela e 16 majit të vitit 1999 e deri në këtë të diel të vranët të vitit 2021. Atdhetari që nuk u dha kurrë, as nën trysninë e torturave të kriminelëve serbë nëpër kazamate, vazhdon të mbetet plaga jonë e hapur e lirisë. Derisa vepra e tij edhe sot është frymëzimi ynë i përditshëm – Kosova nuk do të jetë asnjëherë e plotë pa zbardhjen e fatit të tij.