Hoxhaj përkujton 22 vjetorin e sulmeve të NATO-s: Sot më shumë se kurrë e ndjejmë mungesën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s, para 22 vitesh.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj thotë se NATO kreu misionin historik në pajtim me vlerat e saj si aleancë, sepse mbrojti qenien dhe të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri.

“Aty ku kishte filluar krimi i një regjimi, aty edhe po merrte goditjen e fundit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Aleanca e NATO-s. Sot, kujtojmë me respekt të thellë, burrat dhe gratë e kësaj aleance që u vunë në shërbim të lirisë së qytetarëve të Kosovës.”, shkruan Hoxhaj.

Postimi i plotë i z. Hoxhaj:

Para 22 vitesh, filloi intervenimi i NATO-s kundër caqeve dhe makinerisë ushtarake serbe, të cilat po kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë e bombardimeve vijoi për 78 ditë dhe çoi deri në kapitullimin e regjimit okupator serb në Kosovë. Kjo aleancë, kreu misionin historik në pajtim me vlerat e saj, sepse mbrojti qenien dhe të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri.

Aty ku kishte filluar krimi i një regjimi, aty edhe po merrte goditjen e fundit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Aleanca e NATO-s. Sot, kujtojmë me respekt të thellë, burrat dhe gratë e kësaj aleance që u vunë në shërbim të lirisë së qytetarëve të Kosovës.

Sot, më shumë se kurrë, ndjejmë mungesën e drejtuesve të luftës sonë çlirimtare, të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve që padrejtësisht ndodhen në Hagë. Ata që ishin kreatorët e aleancës tonë të shenjtë me NATO-n dhe vlerat euro-atlantike, nuk janë me ne ta kujtojmë së bashku këtë ditë të paharrueshme për historinë e Kosovës.

Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë së Kosovës!

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë! Faleminderit përjetë NATO-s dhe miqëve ndërkombëtarë!