Hoxhaj zyrtarizon kandidaturën në Shtime: Të arriturat e këtij qyteti e kanë vulën e kryetarit Naim Ismajli dhe PDK-së

Shtime, 30 maj 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Naim Ismajlit për kryetar të komunës së Shtimes. 

Në një konferencë për media, duke theksuar se ndjehet krenar që historia e Kosovës dhe fitoret e saj janë të lidhura ngushtë me historinë dhe fitoret e PDK-së, Hoxhaj nga Shtimja ka ftuar qytetarët t’i ndëshkojnë me vota mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia. 

“Ndëshkoni këta mohues të lirisë e pavarësisë që para disa vitesh thoshin se Kosova kurrë nuk do të ketë ushtri e sot parakalojnë para kësaj ushtrie dhe thurin lavde për FSK-në. Prandaj, ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj mos u besoni këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta sepse kjo nuk do të ndodhë: Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë.” ka thënë Hoxhaj. 

Ai ka thënë se historia e shkruar së bashku me PDK-në në Shtime, është modeli i mirë i qeverisjes, i këtij qyteti që nga një provincë e vogël dhe e diskriminuar, është kthyer në një qytet urban, të zhvilluar e aktiv. 

Hoxhaj ka rikujtuar se nën udhëheqjen e PDK-së, Shtimja është vlerësuar si një ndër komunat me performancën më të mirë në Kosovë nga institucionet qendrore në bashkëpunim me ambasadat e huaja, si dhe për mbajtjen e premtimeve elektorale në masë prej 100 për qind, ka 95 për qind të infrastrukturës rrugore të përfunduar, pjesëmarrje në vendimmarrje të gruas me 50 për qind, 14 objekte të reja shkollore, Zonë Ekonomike me 12 biznese funksionale, mes tyre 2 biznese ndërkombëtare, administratë profesionale efikase, parqe të reja, trotuare dhe terrene sportive për secilin vendbanim. 

“Këto të arritura e kanë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryetarit të saj, njeriut më meritor, z Naim Ismajli të cilin do ta kemi në garë edhe për një mandat 4 vjeçar. Jam i lumtur që pa ndonjë hezitim ta konfirmojmë e zyrtarizojmë këtë kandidaturë vetëm e vetëm që t’i vazhdojmë punët e mira në Shtime, që të nisim projekte të reja dhe këtë model të mirë të zhvillimit ta përhapim pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti edhe në komunat e tjera.”, ka thënë Hoxhaj. 

Kurse, kandidati për kryetar të komunës së Shtimes nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetari aktual i kësaj komune, Naim Ismajli ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë që edhe për një mandat ia besuan kandidaturën për të qeverisur në këtë komunë. 

Ismajli ka thënë se Shtimja nën udhëheqjen e PDK-së do të vazhdojë të promovojë vizionin e saj, kapacitetet dhe vlerat e saj. 

“Nga viti 2017 e tutje nuk kemi ecje dhe përparim në asnjë fushë sepse PDK nuk ka qenë prijëse e proceseve. Dhe është kjo ndër arsyet kryesore që më ka shtyrë të kandidoj edhe për një mandat, të cilin ia dedikoj të gjithë qytetarëve të Shtimes, duke u nisur nga rinia, gruaja, studentët, komuniteti i biznesit, mjekët, fermerët, zyrtarët e institucioneve publike. Ne do të bëjmë një fushatë shumë moderne dhe civilizuese duke i spikatur vlerat që i kemi.”, ka thënë ai.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.