Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe anëtari i Kryesisë, Blerand Stavileci, kanë vizituar mësuesen e tyre të parë, znj. Igballe Hazirin, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, me ç’rast shprehën nderimin për mësuesen dhe të gjithë mësimdhënësit sepse për dekada me radhë ata kishin përgjegjësi të mëdha.
Z. Krasniqi ka shkruar në rrjetin social se mësuesit, “përveç rolit të tyre primar në dhënien e dijes, u kujdesën që të mbanin gjallë dashurinë për kombin dhe lirinë”.
Shoqëria jonë duhet të kujdeset më shumë për mësimdhënësit! Ndjehem krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Por, duhet bërë edhe më shumë, sepse kemi obligim ndaj kontributit të pareshtur të mësuesve, arsimtarëve e profesorëve tonë, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Në ecjen e Kosovës nëpër vite, mësimdhënësit kishin një nga përgjegjësitë më të mëdha. Sidomos mësuesit e viteve të 80-ta dhe 90-ta që, përveç rolit të tyre primar në dhënien e dijes, u kujdesën që të mbanin gjallë dashurinë për kombin dhe lirinë.
Si një nxënës i asaj kohe, i kujtoj me nostalgji ditët e shkollës dhe e vlerësoj përherë punën e madhe të mësueses sime, Igballe Haziri, të cilën e vizituam sot bashkë me Blerandin, për t'ia uruar Ditën e Mësuesit.
Edhe sot e kësaj dite, sa herë e takojmë mësuesen Igballe, ajo na inkurajon që të punojmë çdo ditë për shtetin tonë, por sidomos për brezat e rinj. Dashuria dhe përkushtimi i saj ndaj nxënësve te shumtë që ka edukuar ndër dekada është shembull që duhet ndjekur nga secili në cilindo profesion që bën.
Shoqëria jonë duhet të kujdeset më shumë për mësimdhënësit! Ndjehem krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Por, duhet bërë edhe më shumë, sepse kemi obligim ndaj kontributit të pareshtur të mësuesve, arsimtarëve e profesorëve tonë.
Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve që nëpër dekada e mbajtën gjallë arsimin shqip!