Krasniqi: Kandidatët për kryetar komunash të lihen të lirë t'i prezantojnë programet e tyre para qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në këtë periudhë kohore deri në datën e zgjedhjeve lokale, duhet tu jepet hapësirë kandidatëve për kryetarë komunash që të shpalosin programet e tyre para qytetarëve.

Ai ka thënë se qytetarët duhet ti vlerësojnë vet kandidatët për kryetarë komunash që do t'i udhëheqin në katër vitet e ardhshme, ndërsa ka thënë se politika nacionale duhet të merret në këtë kohë vetëm me pandeminë dhe ndonjë çështje të rëndësisë së veçantë.

"E konsiderojmë që tash realisht përveç pandemisë dhe ndonjë teme jashtëzakonisht të rëndësishme, koha është që t'iu jepet hapësirë qytetarëve t'i shohin kandidatët e tyre. T'i shohin kandidatët në komunat ku ata jetojnë, të shikojnë mirë kë do ta zgjedhin. Në këtë kohë edhe kandidatët duhet ta kenë në fokus qytetarin. Mendoj që duhet të ketë një subordinim të politikave të mëdha ndaj procesit zgjedhor lokal", tha Krasniqi mbrëmë gjatë debatit me analistë në Kanal 10.

Kransiqi tha se qytetarët duhet t'i zgjedhin ata kandidatë që i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre dhe u përgjigjen nevojave të tyre.

"Një herë në katër vite po zgjedhim, t'i zgjedhim më të mirët. T'i zgjedhim ata që na përfaqësojnë më së miri, që punojnë për ne, për interesat e qytetarëve, familjeve për të na dhënë shërbime cilësore, për ta përmirësuar nivelin lokal, edhe shëndetësinë, edhe arsimin. Por, edhe zhvillimin urban dhe ekonomik, si dhe të punojnë që të ketë më shumë gjelbërim.", theksoi Krasniqi.

Ai bëri këtë apel duke i ftuar politikanët e nivelit qendror që në këtë periudhë të merren vetëm me pandeminë apo me ndonjë temë tjetër emergjente.

"Unë mendoj që në këtë muaj para zgjedhjeve lokale përveç temave të rëndësishme si pandemia edhe ndonjë teme tjetër që mund të ketë karakter të rëndësishëm, qoftë edhe emergjent nacional, duhet t'i japim hapësirë temave lokale."

Gjatë debatit me analistët në Kanal 10, Memli Krasniqi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale i ka kandidatët më të mirë, më të përgatitur dhe më kompetentë për t'i udhëhequr komunat.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.