Krasniqi: Kurti e Osmani do t’i jepnin nga 10 vite jetë për 10 ditë të Thaçit e Veselit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistën për T7, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti janë shpirtngushtë dhe vuajnë nga kompleksi i vogëlsisë përballë liderëve që kanë dhënë kontribut në UÇK
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistën për T7, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti janë shpirtngushtë dhe vuajnë nga kompleksi i vogëlsisë përballë liderëve që kanë dhënë kontribut në UÇK.
Ai, duke folur për reagimin e Osmanit lidhur me rezolutën e nisur nga Kuvendi i Shqipërisë për kundërshtimin e Raportit të Dick Martyt, ka thënë se presidentja duhet të turpërohet.
Sipas Krasniqit, Kurti e Osmani do të jepnin 10 vite nga jeta e tyre për 10 ditë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Shiqoni, si Albin Kurti si Vjosa Osmani, 10 vjet jete i kishin dhënë me i pasë 10 ditë si të Hashim Thaçit, të Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Zero ditë të UÇK-së i ka Albin Kurtin”, ka thënë ai në emisionin Pressing.
“Janë shpirtngushtë dhe duhet të turpërohen, s’duhet tu vijë marre, por duhet t’i duartrokasin gjërave të mira. Vjosa Osmani turp duhet t’i vijë. Njerëz të vegjël janë, njerëz të vegjël duhet me qenë mos me mirëpritur”, ka vazhduar ai.
Krasniqi ka thënë se është dëshmuar edhe me videot e publikuara së fundmi, se Presidentja Osmani ishte një prej politikaneve të zjarrta për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ajo është një prej njerëzve më të zjarrtë për gjykatën Speciale. Duhet me u turpëru që s’e ka kurajon ta përshëndes rezolutën, as kur ishte bashkë me presidentin e Shqipërisë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi, PDK: Të njëjtit të rinj që votuan Albin Kurtin, sot po presin para ambasadave për të ikur nga Kosova
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është shqetësuese situata me largimin e të rinjve nga vendi.
Sipas tij, kjo Qeveri, e cila u votua masivisht nga të rinjtë për tu ofruar shpresë atyre, sot po bëhet shkak që ata të largohen nga vendi.
“Të njëjtit të rinj që kanë votuar Albin Kurtin, sot po presin para ambasadave për një vizë. 2010 mijë persona brenda këtij viti kanë aplikuar për një vizë që të ikin nga vendi. 70 mijë persona janë larguar. Njerëzit sot nuk e kanë shpresën që kanë pasur, sepse Albin Kurti i ka mashtruar”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, ai ka thënë se Kryeministri Kurti duhet të merret me qeverisje dhe punë, për krijuar një të ardhme më optimiste për të rinjtë dhe gjeneratën e re.
Krasniqi: Ne nuk qeverisim me Kurtin, s’kemi pika të përbashkëta
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk sheh rrugë për t’iu bashkuar një qeverie të Albin Kurtit, siç ka thënë ai, për shkak të dallimeve të shumta.
Krasniqi ka thënë se nuk e sheh të domosdoshme që PDK e VV të bashkëqeverisin, as për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“Nuk i bashkohemi Kurtit në asnjë lloj qeverie, e qeverisje, sepse nuk është e domosdoshme. Kemi dallime thelbësore në koncept, mentalitet, qasje, percepsion, besim, histori, në krejt sendet e mundshme”, ka deklaruar ai.
Dallimet edhe më të thella i kanë në ekonomi dy partitë, ka thënë ai.
“Mos të flasim në ekonomi dhe bindjet se si duhet me funksionu një shtet. Me z. Kurti nuk shoh pika të përbashkëta për me arritë një marrëveshje”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka thënë se PDK do ta përkrahte marrëveshjen përfundimtare me Serbinë edhe nga opozita, nëse ajo është brenda kushteve të saj, të vendosura kohë më parë.
“Neve nuk na pengon asgjë që të votojmë për një marrëveshje nga opozita, nëse ajo i përmban ato pika të cilat ne i përkrahim. E kemi dorëzuar një dokument që ka qenë platforma e PDK-së për dialogun, që ka qenë prej parimeve themeltare deri te vijat e kuqe. Ne marrëveshjen e presim brenda atyre kornizave. Unë jam i bindur që kjo është e arritshme”, ka thënë ai.
Memli Krasniqi: Pas 23 viteve, Kurti e ka kuptuar që Kosova qenka storie suksesi
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se i ka pëlqyer një deklaratë e kryeministrit Albin Kurti i cili është në vizitë në SHBA.
Krasniqi e ka cilësuar si të suksesshme vizitën dhe ka shtuar se ishin të shqetësuar nëse nuk do të ndodhte një takim i tillë i një niveli të lartë me zyrtarë amerikanë.
“Ishim të shqetësuar, pasi ai qëndroi shumë në SHBA dhe nuk u prit nga zyrtarët e lartë”, tha ai.
Tutje ai shtoi se i pëlqen që Kurti ka ndërruar qëndrim për atë se çfarë është bërë në Kosovë pas lufte.
“E ka kuptuar këtë që e kanë thënë edhe amerikanët me vite. Është zbulim i mirë i Kurtit. Ai ka thënë se që 20 vjet Kosova është dështim. Se gjithçka është dështim. Por është mirë që Kurti e ka kuptuar që nuk është kështu dhe Kosova është storie suksesi”, përfundoi ai.
Krasniqi: Nuk jemi si VV, mos prisni nga PDK molotovë në Kuvend
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se PDK është parti opozitare aktive. Ai ka kundërshtuar konstatimet e analistëve në emisionin Pressing, që partia që ai e udhëheqë është e heshtur përballë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurit.
Megjithatë, Krasniqi ka thënë se nga PDK nuk duhet të priten molotovë e gaz lotsjellës në Kuvend.
“Konstatim ma i pasaktë se me thënë që ne jemi të heshtur, nuk ka. E kam thënë edhe më herë, prej neve nëse presin nga ne me gjujtë molotov ose gaz lotsjellës në Kuvend, ne kurrë s’kemi me bo. Ne nuk e bëjmë atë punë”, ka deklaruar ai në Pressing.
Krasniqi ka thënë se PDK nuk është parti e cila opozitarizmin e bën në mënyrë të dhunshme dhe kundër vendit.
“Ato metoda të VV-së, janë ato, të cilave jemi t’u ia pa sherrin ende edhe sot”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se PDK është aktive në ngritjen e çështjeve të ndryshme në interes të qytetarëve.
“Ne opozitarizmin tonë e kemi shumë konkret. Nuk ka temë në këtë vend që s’e kemi ngritë ne, prej energjisë në shtator, duke ofru edhe alternativa. E kemi ngritë edhe çështjen e komisionit hetimor. Kemi pasur iniciativë për me ulë dhe suspendu TVSH-në për artikujt elementarë. E kemi pa ardhjen e krizës, por s’e kanë pranuar propozimin tonë”, ka deklaruar ai.
“A p’e sheh, Kurti shkoi në Amerikë”, Krasniqi: Po kjo është normale
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se vizita e një kryeministri të Kosovës, në SHBA duhet të jetë diçka normale.
Ai ka thënë se përfolja e shumtë e këtij takimi është gabim.
“Po thonë a e pe qysh shkoj Albini në Amerikë? Po kjo është normale”, thotë ai.
Tutje ai thotë se i qëndron asaj se vazhdojnë të jenë të pakënaqur me raportet që ka qeveria me SHBA-në.
“I qëndrojmë asaj se nuk jemi të kënaqur me raportet që ka qeveria me SHBA-në. Kemi qenë të qartë për këtë. Kjo nuk ka ndryshuar. Ky takim që ka ndodhur është i vonuar. Është dashur të ndodhë shumë më herët. Nëse jo cdo 7-8 muaj, së paku një herë në vit. U bënë më shumë se një vit e gjysmë që Kurti është në pushtet, e ky është takimi i parë”, tha ai.
Ai komentoi edhe deklaratën e dhënë nga Florin Krasniqi se Kurti është në “no-fly list” të SHBA-së.
“Jo ai vizën e ka marrë me kohë dhe është pritur të shkojë. Nuk merrem me deklarata të dhëna në studio televizive”, përfundoi ai.