Krasniqi-Kurtit: A je kryeministër i krejt Kosovës, apo kryeministër deri në urë të Ibrit? (VIDEO)

Krasniqi: Plani franko-gjerman tenton ta bëjë të mundshmen, jo të nevojshmen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se përmes planit franko-gjerman po synohet të arrihet ajo çfarë është e mundshme ndërmjet palëve dhe jo ajo që është e nevojshme.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se në procese negociatore është e vështirë që të binden të të dyja palët për një marrëveshje.

“Plani që fillimisht u quajt franko-gjerman tani po preferojnë ta quajnë plani evropian për shkak se ka mbështetjen e të gjithëve”.

“Vërtetë ky plan erdhi si ndryshim i qasjes dhe ky ndryshim ishte një tendencë për të realizuar atë çka është e mundshme dhe jo atë çka është e nevojshme”.

“Ka një dallim esencial mes asaj të mundshmes dhe të nevojshmes sepse në procese negociatore sidomos të tillë siç e kemi ne, është vështirë që të binden të dyja palët për një marrëveshje sepse janë qëndrime goxha kundërshtuese njëra nga tjetra”.

21:47 – Krasniqi: E papranueshme që në Bruksel të diskutohet për barrikadat në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka folur rreth situatës së sigurisë në veriun e Kosovës.

Krasniqi tha në Rubikon në Klan Kosova se është e papranueshme që barrikadat të bëhen pjesë e dialogut në Bruksel.

Ai theksoi se kjo do të ishte humbje e madhe për Kosovën dhe qeverinë.

“Une e shoh si komplet të papranueshme që të diskutohet në Bruksel për barrikada. Do të ishte humbje e madhe për qeverinë dhe Kosovën nëse barrikadat bëhen temë e radhës i diskutimeve. Jo si dialog në Bruksel dhe jo si pjesë e normalizimit”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së shtoi se ekzekutivi po dorëzohet përball bandave kriminale.

“Ky është dorëzim nëse vazhdojnë barrikadat me qenë përditshmëri”, tha numri një i PDK-së në Rubikon në Klan Kosova

35 – Nëse Kurti nuk mund t’i heqë barrikadat, ta dorëzojë mandatin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, vlerëson se barrikadat e vendosura në pjesën veriore të vendit duhet të hiqen sikur ishte bërë në vitin 2018, duke i larguar me forcë.

Ai në Rubikon të Klan Kosova ka theksuar se nëse kryeministri Albin Kurti nuk mund ta bëjë këtë tash duhet të japë dorëheqje.

“Nëse nuk mund t’i heq, ta dorëzojë mandatin. Çfarë të duhet kryeministri që dorëzohet para bandave kriminale. Nëse nuk je në gjendje t’i luftosh, nuk je në gjendje të jesh kryeministër”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se kur Kurti ka marrë qeverinë pjesa veriore e vendit ka qenë e integruar.

Sipas tij nëse barrikadat nuk hiqen para Vitit të Ri, atëherë situata mund të përkeqësohet.

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Cali” është dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, tha në Rubikon në Klan Kosova se ky vendim është tronditës.

“Shpresa ime dhe besoj që e secilit është Apeli ta ketë një qasje tjetër, ta dëshmojnë paanshmërinë dhe profesionalizimin e gjykatës. Kjo sepse krijon konfuzion në atë se çka do të bëj Gjykata Speciale dhe kah do të shkojë”, tha Krasniqi.

Ai tha se asnjë akuzë s’la qenë e bazuar nga raporti i ish-senatori zviceran Dick Marty.

21:28 – Krasniqi (PDK): Tërheqja nga zgjedhjet në komunat veriore ka qenë gabim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se tërheqja nga zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës ka qenë gabim.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai e ka bërë dallimin midis legjitimitetit dhe legalitetit.

“U shpallën zgjedhjet të cilat vetëm ne si PDK i mbështetëm fillimisht – vetëm ne ishim të parët që njerëzit e mirë që i kemi në atë pjesë të veriut e që janë edhe mbështetës të PDK-së pranuan brenda afatit të rregullt që të kandidojnë”.

“As LVV nuk kishte kandidat brenda afatit të rregullt, kërkuan afat shtesë dhe në momentin kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet, Kurti dhe Osmani u tërhoqën edhe nga zgjedhjet”.

“Ka qenë gabim absolutisht me u tërheq sepse unë e kuptoj tensionin mes legalitetit dhe legjitimitetit. Zgjedhjet mund të mos prodhonin qeverisje shumë legjitime për shkak të mospjesëmarrjes së shumicës së qytetarëve, por legaliteti do të ishte absolut”.

“Nuk ka pasur asnjë mundësi kushtetuese me u shty këto zgjedhje, u bë për arsye politike”.

21:15 – Krasniqi (PDK): Barrikadat u vendosën nga grupet kriminale të kontrolluara nga Vuçiqi 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur nga grupet kriminale që janë të kontrolluara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ai ka shtuar se Vuçiqi po e përdor këtë situatë për ta penguar avancimin e procesit të dialogut.

“Situata në pjesën veriore të Kosovës është jashtëzakonisht e vështirë. Barrikadat janë vendosur nga grupet kriminale që kontrollohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq”.

“Arsyetimi se kinse janë vendosur barrikadat për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të policisë është vetëm pretekst”.

“Arsyeja themelore është tendenca e Vuçiqit për ta penguar avancimin e procesit të dialogut. Kjo meqenëse është krijuar një far momentumi për ta diskutuar propozimin franko-gjerman sa më parë”.

Sipas tij, edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për të filluar me shqiptimin e gjobave për vozitësit me targa ilegale në veri të Kosovës ka çuar në largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Sikur Kurti ta kishe racionalitetin dhe vizionin për t’u koordinuar me partnerët ndërkombëtar me kohë, në fund të tetorit do ta pranonte atë që e pranoi më vonë”.

“Meqenëse nuk ndodhi shtyrja, tërheqja e serbeve nga institucionet krijoi një vakum institucional”.

https://youtu.be/gkN7P_xW1hQ


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.