Krasniqi: Masakrat në Kosovë janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, pasi sot janë bërë 24 vjet që nga koha kur në këtë fshat forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit, në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë.

Postimi i plotë:

24 vite më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe u vranë dhe u masakruan 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, burra, gra, djem dhe vajza.

Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë.

Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.

Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.

Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurt: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi!

Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë.

Lavdi e përjetshme!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.