Krasniqi në Ditën e Evropës: BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën e Evropës, ka cekur vlerat e Bashkimit Evropian, duke deklaruar se “ripërsëritim edhe një herë qëndrimin, synimin dhe vizionin e palëkundur të Kosovës për të përqafuar e përbrendësuar këto vlera”.

Kosova është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa liri të lëvizjes, përkundër plotësimit të kushteve për lëvizje të lirë vite më parë. BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i z. Krasniqi:

Dinjiteti njerëzor, Liria dhe Barazia janë tri prej vlerave kryesore që qëndrojnë në themelet e Bashkimit Evropian si konstruksion politik, ekonomik e shoqëror. Sot, me 9 maj, Ditën e Evropës, ripërsëritim edhe një herë qëndrimin, synimin dhe vizionin e palëkundur të Kosovës për të përqafuar e përbrendësuar këto vlera.

Në të njëjtën kohë, sot, ashtu siç kemi kërkuar shumëherë viteve të fundit, kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të respektoj posaçërisht këto tri vlera karshi qytetarëve të Kosovës: dinjitetin njerëzor të qytetarëve tanë të izoluar, lirinë e mohuar drejt perëndimit dhe barazinë me qytetarët evropian, e cila po vazhdon të na mungoj.

Kosova është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa liri të lëvizjes, përkundër plotësimit të kushteve për lëvizje të lirë vite më parë. BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj, çdo ditë, e posaçërisht sot, Bashkimi Evropian duhet të kthejë sytë edhe nga Kosova dhe kosovarët, populli më pro-evropian në Ballkan, dhe të hapë dyert për ne.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.