Krasniqi: Në Speciale, beteja e fundit për të drejtën tonë historike

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistë për "RTK Prime" foli për shumë tema të aktualitetit politik e social.

Derisa foli për Gjykatën Speciale, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se nuk është gabim që të diskutohet më shumë për proceset atje.

 "Raporti i Dick Marty-t që çoi në themelimin e kësaj gjykate, nuk doli të ketë asgjë të vërtetë", tha Krasniqi duke shtuar se veprimet e Shqipërisë dhe kryeministrit Rama, janë për tu përshëndetur, për inicimin e një rezolute ndaj këtij raporti.

"Procesin duhet parë të ndarë nga politika, por heshtja për të vërtetën nuk na bën nder", tha Krasniqi. "Radovan Karaxhiqin e kanë dënuar 40 vjet për gjenocid e Salih Mustafën të kërkohet të dënohet me 35 vjet, më falni, unë nuk jam jurist, por edhe laik të jesh, kjo duket pa kuptim". 

Ai tha se ka qenë në Hagë dhe ka takuar të akuzuarit dhe është fascinuar me kthjelltësinë dhe fokusin që kanë për rastin.

 "Ata duan të ballafaqohen me akuzat dhe është padrejtësi që pas dy vjetësh që po mbahen në paraburgim, ata nuk po kanë mundësi ta mbrojnë vetën", tha kryetari i PDK-së. 

Kreu i kësaj partie opozitare u shpreh më tej se të gjithë besojnë në pafajësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së.

 "Me keqardhje, por janë këta njerëz që po bëjnë betejën e fundit për të drejtën tonë historike", tha Krasniqi. 

Krasniqi: Ndërprerje të rrymës në gusht nuk ka pasur as në vitin 1999

Derisa foli për krizën energjetike në vend, Krasniqi tha se për këtë çështje, ka folur nga shtatori i vitit të kaluar. "Kishte paralajmërime në Evropë për telashe me energjinë. Kemi dhënë paralajmërime të ndryshme, por totalisht i kanë neglizhuar, duke u tallur e Kurti duke thënë se nuk blihet rryma e të ruhet në frigorifer", tha Krasniqi.

Ai tha se shtrenjtimit e tarifave të energjisë, ishin përtej çdo pritjeje. "E kemi paditë ZRRE-në dhe e kemi fituar rastet në shkallën e parë dhe Apel e Gjykata Supreme e ktheu, duke i kundërshtuar vendimet e veta", tha Krasniqi, sipas të cilit, edhe ZRRE-ja i ka kthyer tarifat e vjetra.

"Unë ende nuk e di se çfarë ka ndodhur sepse nuk ka shpjegim e logjikë që për të njëjta tarifa nuk i ka trajtuar si temë gjykata".

Ai tha se është hera e parë në Qeverinë e Kurtit që ndërpritet rryma në mes të gushtit. "As në vitin 1999, në verë nuk kemi pasur ndërprerje të rrymës, por vetëm dikur në tetor". Krasniqi u shpreh se faturat e energjisë elektrike në Kosovë janë shumë të larta.

"Këto tarifa nuk i ke askund në rajon. E të kërkosh rritje sërish të tarifave, është t'ua marrësh bukën nga goja familjeve tona", tha kryetari i PDK-së, duke numëruar edhe rritjen e çmimeve të produkteve të tjera si të ushqimeve, peletit, druve, rrymës, gazit etj.

Sipas tij, është kryeministri Albin Kurti që i rritë çmimet, e jo ZRRE-ja, pasi ata zbatojnë direktivat dhe vendimet e qeverisë dhe vetë Kurtit.

Krasniqi: Të zbatohet aktgjykimi për pronat e Manastirit të Deçanit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk pret marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Por ai tha se interesimi i shtuar i SHBA-së, BE-së, Gjermanisë e Francës, është domethënës e shenjë e mirë.

"Por e shoh në një plan më të gjerë kur ka lëvizje të mëdha ndërkombëtare pas agresionit rus mbi Ukrainë", tha Krasniqi në "RTK Prime".

Ai u shpreh se ka qenë e rëndësishme të evitohet destabilizimi. "Qëndrimi im dhe i PDK-së është që duhet të ketë marrëveshje për gjithçka e jo të parcializuar", tha Krasniqi, duke shtuar se parcializimi është duke rrezikuar degradimin e procesit. 

Ai tha se këto marrëveshje, të përfshihen të gjitha në pako. Krasniqi tha se Kosova ka bërë mjaft kompromise. "Por nuk besoj se ne mund dhe nuk duhet të shkojmë në defunksionalizim të shtetit tonë", tha kreu i PDK-së, duke shtuar se duhet ruajtur karakteri unitar i shtetit.

"Kemi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues për Asociacionin dhe ky Asociacion duhet të bëhet vetëm brenda ligjeve për asociacionin".

Duke folur për pronat e Manastirit të Deçanit, Krasniqi tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

"Por nëse jemi për shtet ligjor, duhet respektuar institucionet e vendit",tha Krasniqi. Ai deklaroi se zbatimi i aktgjykimit për pronat e Manastirit të Deçanit është kërkesë edhe e miqve ndërkombëtarë.

"Unë e kam thënë vazhdimisht se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet”. Sipas tij, vendimet e saj nuk janë tavolinë suedeze, të marrësh e mos marrësh çfarë të duash.

Krasniqi shpjegon përse nuk shkoi në takimin ftuar nga Kurti

Kryetari i PDK-së foli edhe për temën e dialogut Kosovë-Serbi. Ndër të tjera ai sqaroi arsyen përse nuk ka shkuar në takim me kryeministrin Kurti, për të biseduar për këtë çështje, kur kreu i ekzekutivit i ftoi partitë opozitare.

"Ishte takim i kotë dhe pa substancë. Ftesa ishte e pa sinqertë dhe tip show medial", tha Krasniqi. "Ai takim ishte për t'i lexuar gjashtë pikat e tij, pasi ua kishte lexuar ministrave të tij dhe pas kritikave që ka marrë nga ndërkombëtarët për të qenë më i hapur me opozitën".

Krasniqi tha se duhet përqendruar tek marrëveshja finale dhe njoha reciproke. "Një marrëveshje që sjell njohjen e ndërsjellë e që i mundëson Kosovës anëtarësim në OKB, ne jemi të gatshëm për takim".

Ai tha se për një vit e gjysmë, partia e tij nuk e ka kundërshtuar dialogun për dallim nga Kurti që edhe mbijetesën politike e kishte nga kjo temë, e duke protestuar madje edhe dhunshëm. "Para tre a katër vitesh bisedonim për marrëveshjen finale e tani po flasim për targa të veturave e për dokumente personale", thotë Krasniqi.

Ai tha se PDK është për reciprocitet tregtar por Kurti është tërhequr nga ky reciprocitet. "Kurrë, asnjëherë, për 23 vjet, Serbia nuk ka pasur shitje më të madhe të mallrave në Kosovë sesa tani", tha kreu i PDK-së. 

Kryetari i PDK-së u shpreh se marrëveshjet janë të nënshkruara dhe kjo tani për kalim kufiri me Serbinë me letërnjoftime, është vetëm dakordim, duke u bazuar në marrëveshjen e vitit 2013. "Ne e përshëndesim marrëveshjen sepse është evituar eskalimi potencial. I kemi thënë në rregull, por si është e mundur që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaron se është anuluar ajo marrëveshje e vitit 2013, ", thotë Krasniqi.

"Ata janë bazuar në atë marrëveshje". Kryetari i PDK-së tha se marrëveshja për energjinë me Serbinë edhe mund të dështojë. Ai tha se ka rrëshqitje nga datat e dakorduara për marrëveshjen me Elektroseverin, ndonëse kjo është marrëveshje e shkruar.

"Tani po e kuptojnë se edhe ato marrëveshje kanë qenë marrëveshjet më të mira të mundshme sepse kanë qenë në funksion të konsolidimit të shtetit të Kosovës", thotë Krasniqi. 

Krasniqi: Vettingu kalon vetëm përmes Kuvendit të Kosovës

Duke folur për vettingun në sistemin e drejtësisë, kryetari i PDK-së u shpreh në këtë intervistë se veprimi është për t'u përshëndetur. "Unë e kam kërkuar që të çohet në Kuvend, dikur nga fundi i qershorit dhe ia kam bërë të qartë se vettingun mund ta bëjë vetë Kuvendi", tha Krasniqi.

"Kuvendi është i vetmi institucion që mund ta rregullojë këtë punë". Ai më tej theksoi se për vettingun në sistemin e drejtësisë, PDK e ka pasur propozim që nga viti 2017 e 2018.

Kreu i PDK-së u shpreh se nëse vettingu ka për qëllim ta verifikojë pastërtinë e një gjykatësi apo prokurori, duhet hequr dikë nga puna e Kushtetuta duhet të ndryshojë, e për këtë duhen 2/3, e për ta bërë këtë duhet të votojë edhe opozita. 

Duke folur për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, kryetari i PDK-së tha se ka qenë gabim të çohet tutje Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. "Por për këtë, Kurti nuk e ka përnjëmend. Vettingun e ka përnjëmend sepse për Byronë, edhe ai e di që rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese". 

Krasniqi: Temat për shami e luftë dolën në kulmin krizës energjetike

Kryetar i PDK-së, foli edhe për lejimin apo moslejimin e shamive në shkolla, siç është rasti i një mësueseje në Suharekë e cila është larguar nga puna shkaku i bartjes së mbulesës.

"Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një person minoren", tha Krasniqi, duke shtuar se kjo temë, doli në publik në kohën kur në gusht ka pasur kolaps të sistemit energjetik. “bashkë me këtë rast, në atë kohë dolën edhe disa tema të tjera”. Sipas tij, këto raste ishte kjo për Udhëzimin Administrativ për shami, pastaj deklarimi i kryeministrit Kurti për luftë.

“E që nuk ka asgjë të vërtetë, edhe pse deklarimet e tij kishte ndikim negativ në arenën ndërkombëtare", thotë Krasniqi, duke shtuar se sa i përket çështjes së shamisë, duhet qenë të hapur e liberal, e duhet pasur diskutim shoqëror. "Istikamizimi apriori se unë e kam mirë e ti keq, pavarësisht se nga cila palë vjen, e shton polarizimin në shoqëri", tha kryetari i PDK-së.

"Nuk mund të them se në çfarë moshe të lejohet shamia, 18 apo 16 vjeç. Kjo është arbitraritet sepse për këtë duhet diskutuar me të gjithë, e nuk është çështje aq e thjeshtë që ai nga zyra ku është mbyllur si kryeministër, të marrë vendim", tha Krasniqi në "RTK Prime". Sipas tij, duhet parë edhe Kodin Civil.

"Nuk kemi nevojë të fshihemi nga temat e sidomos jo kryeministri". Krasniqi tha se për Kodin Civil, përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. 

Krasniqi: Ndalja e pagave është e padrejtë dhe e pamoralshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasiqi tha se këto sindikata, kryeministri Albin Kurti, dikur i ka pasur partnerë. "Tani thotë se këto sindikata nuk janë mirë".

Ai tha se ndalja e pagës nuk është e drejtë sepse në njërën anë, ata kanë të drejtë të hyjnë në grevë e në anën tjetër ia ndalë pagat.

"Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Kosovës", u shpreh Krasniqi. "Kemi pasur greva edhe ne kur ishim në pushtet, po nga këta njerëz. Ndoshta nuk kemi mundur të plotësojmë kërkesat në tërësi, por kemi dialoguar".

Kreu i PDK-së tha se nuk është e ligjshme ndalja e pagave ose ulja e pagave në këtë kohë krize. "Kjo është e pamoralshme dhe e padrejtë". Ai u shpreh se aktet nënligjore nuk janë të sqaruara sa i përket grevave të tilla.

"Por përtej ligjit, këto veprime janë të padrejta". Ai thotë se organizimi sindikal, funksionon brenda një demokracie. 

Krasniqi deklaroi se nëse konstatimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, se grevat po shtyhen nga opozita për ta rrëzuar qeverinë, janë totalisht të papranueshme. "Pse, a mbajtën apo organizuam ndonjë protestë apo diçka të tillë? Kjo është totalisht gabim", tha kreu i PDK-së.

Krasniqi: Kurti rrezikon të rrëshqasë drejt autokracisë

Kryetari i PDK-së tha se është e padrejtë dhe e pasaktë se sindikatat janë nxitur nga opozita. "Kurtin e kanë votuar të gjithë, edhe mësuesit.

Ai e ka obligim ligjor e kushtetues të drejtojë qeverinë dhe ajo duhet të gjejë zgjidhje", u shpreh Memli Krasniqi, duke shtuar se pagat kanë mbetur njësoj e çmimet janë rritur me 30%. Krasniqi tha se ka tendenca për ndarje bardhë e zi, që t’i ndajë mësimdhënësit me prindër. "Nuk është se mësuesit janë vetëm profesionistë, por janë edhe prindër".

Ai tha se këmbëngulja e SBASHK-ut, nuk duhet të mbetet, por të kërkohet një kompromis. "Aq sa kam parë, këta kanë ofruar që të ketë lëvizje, por kryeministri ka thënë se asnjë cent nuk e jep më shumë", u shpreh ai.

"Kjo ka degjeneruar me 50 euro e 70 euro. Janë këta mësimdhënës që nën kërcënimin e Serbisë, pa paga na kanë shkolluar ne", rikujtoi kreu i PDK-së, sipas të cilit, nuk mund të degradohen mësimdhënësit deri në këtë shkallë. "Kërkesa e tyre është për dinjitet".

Më tej, Krasniqi tha se tendenca e Kurtit që vetëm ai e ka mirë, rrezikon të rrëshqasë drejt autokracisë. "Kurti refuzoi të takojë grevistët, se nuk takohem me Jasharajn sepse ata nuk janë niveli im. Kritika e tij ndaj medieve thuajse kërcënuese.

Ashtu edhe ndaj sistemit të drejtësisë e po ashtu edhe ndaj opozitës", tha Krasniqi, duke shpjeguar arrogancën, që sipas tij, e ka Kurti ndaj të tjerëve. "Kjo nuk ka vend në një vend demokratik".

Krasniqi: Kryeministri po sillet me arrogancë ndaj grevistëve

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke folur për grevën në arsim, tha se situata është për keqardhje. Ai tha se greva ka mundur të mos fillojë, sikur të kishte një qasje mirëkuptuese nga ana e kryeministrit dhe qeverisë.

Ai u shpreh se opozita është munduar të mos përfshihet në këtë situatë, sepse për sindikata, partneri kryesor është qeveria, për gjetjen e një zgjidhjeje. Krasniqi tha se megjithatë, PDK ka dhënë rrugëzgjidhje dhe se duhet një dialog social.

Ai tha se ka mirëpritur takimin e Këshillit Grevist dhe kryeministrit dhe ka besuar se do të gjendet zgjidhja. "Por ishte dëshpëruese dhe për keqardhje për mos lëvizje as milimetrike nga kryeministri", tha Krasniqi në "RTK Prime".

Kreu i PDK-së u shpreh se rruga normale do të duhej të ishte hiqja e arrogancës nga kryeministri. "Pra të kërkohej mirëkuptim nga sindikalistët, e jo merre ose leje. E kam bërë këtë pako, merre ose lere. Kjo nuk është rrugë e drejtë". 

Ai u shpreh se Kurti është kryeministër i të gjithëve. "Mësimdhënësit nuk i kanë hyrë grevës se nuk kanë çfarë të bëjnë, por sepse po ballafaqohen me barrën e vështirë të lidhjes së muajit me muaj sepse është inflacion i tmerrshëm", tha Krasniqi.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.