Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Studimes, ka cekur se “116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë - fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme”.
“Ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve”, ka theksuar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Në maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Selatin, Shaban dhe Xhemajl Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një.
Në këtë masakër, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sabahudini, djali i Selatinit, nuk i kishte mbushur ende 7 vjet, ndërkaq nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç.
Në Studime, me 2, 8 dhe 31 maj të vitit 1999, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur u kryen edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera.
Mbi 100 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë - fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme.
Edhe 23 vite më pas, drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sabahudinin e vogël, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën. Sot, ai do të kishte qenë 29 vjeç! Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve.
Lavdi martirëve të Studimes!