Krasniqi: Nuk bëjmë opozitë me molotov e gaz lotsjellës, modeli i VV-së e ka dëmtuar vendin

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, sa i përket çështjes së menaxhimit me pandeminë e koronavirusit. Krasniqi është shprehur në Rubikon me Adriatik Kelmendin se është e pakuptimtë masa e Orës Policore për qytetarët, meqë ‘virusi nuk është një karakter mitik, që zgjohet natën e fle ditën’, njofton Klankosova.tv.

”Ka edhe një telashe tjetër sa i përket masave. Ta zëmë, ne jemi i vetmi vend që kemi Orë Policore pa ndërprerë sa e sa muaj. Është e pakuptimtë, dhe kjo Orë Policore nga mesnata tashmë është kthyer nga ora 22.00, që e vështirëson realisht në kuptimin mental, përcepsional të qytetarëve për sa i përket gjendjes që e kemi”.

”E po ashtu virusi nuk është një karakter mitik, që ngritët natën e fle ditën. Por, është në prezencën tonë gjatë gjithë kohës”.

”Pra, kemi të bëjmë me faktin që masat që kemi pasë në fuqi, pothuajse s’kanë dhënë asnjë efekt”.

”Për mua ka qenë edhe e pakuptimtë që në vitin 2022 Qeveria e Kosovës e ka shkurtuar përgjysmë buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ende kemi një vit problematik ku ende do të ballafaqohemi me krizën e pandemisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vlerëson se partia që udhëheq është duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në vend.

“Opozita e ka bërë ligjin për menaxhimin e pandemisë COVID, ia ka dhënë kompetencat qeverisë edhe me i ndërmarrë masat”.

“E dyta, opozita, në këtë rast PDK-ja, edhe herën e parë, edhe herën e dytë e ka mundësuar kalimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Sa për qeverinë, as diskutimin në Kuvend për pandeminë nuk ka pasur dhe instrumentet tona janë të limituara, e para së gjithave është Kuvendi i Kosovës dhe ne i kemi shfrytëzuar të gjitha këto instrumente”.

“Unë e di që do ta keni të vështirë të gjithë, edhe ju analistët, edhe qytetarët, edhe votuesit për një periudhë të caktuar për ta kuptuar që ne jemi duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në Kosovë, sepse në momentin kur ju thoni opozita është e butë, ju po pritni që ne kemi me kapë molotov edhe gaz lotsjellës edhe të bëjmë protesta si Vetëvendosje,” tha Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi, në Rubikon, theksoi se modeli opozitar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëmtuar vendin dhe se ky model nuk do të ndiqet nga Partia Demokratike.

“Unë po kuptoj që në ndërdijen tuaj ju po prisni një agresion prej opozitës, sepse kështu jeni mësuar ta shihni opozitën në Kosovë. Për fat të keq, modeli i vetëm opozitar që ka ekzistuar në Kosovë në dhjetë vjetshin e fundit është modeli i Vetëvendosjes, që ka qenë modeli me i dëmshëm në vendin tonë, një model i agresivitetit, një model i destruktivitetit, një model nihilist në esencë, që ka kundërshtuar gjithçka për hir të kundërshtimit,” tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaron se nuk do të marrin pjesë në protestën kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila organizohet këtë të shtunë nga PSD-ja.

Por, Krasniqi, në Rubikon, deklaroi se subjekti që drejton nuk është kundër organizimit të këtyre protestave.

“Ne kemi vlerësuar të drejtën e protestimit edhe në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protesta. Por, normalisht jo të drejtën e dhunës në protesta dhe të krejt atyre veprimeve që zakonisht i kanë përcjellë ato protesta të tyre, është një prej shprehjeve më demokratike protesta dhe marrja pjesë në protesta, por, protestë ka pasur më duket edhe dje, e ka organizuar një organizatë joqeveritare, nesër apo kur është një proteste tjetër. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër më vonë, kjo nuk do të thotë që ne duhet ta mbështesim atë protestë, por nuk jemi as kundër saj”.

“Pjesëmarrja në protestë është e drejtë për secilin qytetar, jo vetëm për ata që i mbështesin partitë opozitare, por edhe partinë në pushtet Vetëvendosjen, bile ata e dinë edhe ma mirë qysh me protestu, kanë përvojë”.

“Besoj që secili i ri e secili i vjetër, secili qytetar që ndjehet që është duke iu cenuar e drejta ose mirëqenia e tij në rastin e ngritjes së tarifave të energjisë është absolutisht e drejtë që me dalë e me protestu, por ne si PDK nuk do ta bëjmë këtë punë, pra të jemi pjesë e kësaj proteste,” tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i bindur se qeveria do ta kishte fshehur vendimin për rritjen e çmimit të rrymës përmes ZRRE-së po të mos kishte reaguar opozita.

“Unë besoj që mos të kish qenë PDK-ja, por edhe opozita, nuk dua që të ia humbi kontributin pa dyshim, unë jam i bindur që qeveria e kishte kontrabanduar këtë vendim përmes ZRRE-së në mënyrë të heshtur, veç kur i kishim pa faturat që do t’i shohim sipas të gjitha gjasave në fund të shkurtit për muajin paraprak të rritura varësisht sa kemi harxhuar, se ata që janë nën 600 kilovat janë pakicë në Kosovë, këta mbi 600 do të befasoheshin nëse do ta dinin se çfarë na ka gjetur, ne e kemi ngritur ketë çështje tani.”

“Është keq me e citu veten, por ka një muaj që në Kuvendin e Kosovës ia kam thënë direkt kryeministrit dhe shumicës parlamentare që ju do ta rrisni rrymën për qytetarët e Kosovës, çmimin e rrymës dhe ju kam thënë që vetëm dy çështje kërkojmë prej juve; mos e ngritni rrymën dhe hajde punojmë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për qytetarët e vendit tonë, për këtë do ta keni mbështetjen për asgjë tjetër nuk ju mbështesim, për rritje jo se jo dhe atëherë nuk e kanë diskutuar dhe tek atëherë ka filluar faza e diskutimit, ka qenë brenda afatit” tha Krasniqi.

Tutje i pari i PDK-së tha se rekomandimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 42% shkon në kundërshtim edhe me kërkesën e KEDS-it, ku kërkohej që rritja emergjente të ishte 7%.

“Kërkesa ka ardhur prej KEDS-it për rritje emergjente, sepse momenti kur kalohet një nivel i caktuar i çmimit ata kanë të drejt për të kërkuar rritje emergjente dhe unë nëse nuk gaboj kanë kërkuar rritje prej 7%, kjo ka ndodhur para se të bie nga funksioni blloku B2, ku i ka humbur Kosova nja 250-260 megavat prodhim, në ndërkohë raporti që ka nxjerrë ZRRE kërkon rritje prej 42%, do të thotë në kundërshtim edhe me kërkesën origjinale.”

“Ky raport po ndodhë për shkak të kërkesës së KEDS-it, sepse ndryshe raporti i rregullt i ZRRE-së duhet të ishte në prill, ky raport ndodhë sepse KEDS-i ka kërkuar me rrit çmimin e rrymës për 7%, jo me pasë bllok tarifa, por 7%, këta kanë shku kanë thanë jo 7 është pak, po 42 po e rrisim dhe pastaj ka telashe” tha Krasniqi.

Z. Memli Krasniqi, e ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po vepron në mënyrë proaktive për të parandaluar rritjen e çmimeve. Krasniqi tha se në rast të përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës vendi ynë do të përballet me kriza të reja, duke përfshirë edhe rritjen e çmimit të miellit.

“Nëse vërtetë përshkallëzohet konflikti Rusi-Ukrainë, situata le që do të përkeqësohet për energjinë, ne do të kemi situata të reja të përkeqësimit të situatës, po e marrë një shembull, do të ngritet çmimi i miellit dhe si pasojë çmimi i bukës, unë besoj deri në 1 euro ka me u bo buka në Kosovë nëse kjo situatë ndodhë, qeveria duhet të blejë rezerva, por ata nuk merren me ketë punë, nuk ua pret mendja, kjo është temë që edhe në nivel të Bashkimit Evropian diskutohet” tha Krasniqi.

Duke folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, Krasniqi tha se opozita nuk mund ta ndalë ZRRE-në, por do se në rast të rritjes do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Çmimi i rrymës është shumë problematik, opozita nuk mund ta ndalë ZRRE-n, ne kemi kërkuar edhe shkarkimin e tyre nëse vjen deri të kjo, por ne votat si kemi shkarkuar, e dyta nëse ndodhë vendimi ne do ta atakojmë përmes gjykatave deri në momentin kur ta qojmë në Gjykatën Kushtetuese, sepse instrumentet këto janë”, tha Krasniqi.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.