Krasniqi pas vërshimeve: Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues!

Pas vërshimeve në disa komuna, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka theksuar rëndësinë e emergjencës së domosdoshme nga qeveria, për sanimin e gjendjes.

Z. Krasniqi ka shkruar se “Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë”.

Postimi i plotë:

Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë.

Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta.

Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.