Krasniqi: PDK është mobilizuar për “Marshin për Drejtësi”, ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen të dielën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’i bashkohen të dielën “Marshit për Drejtësi” në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Krasniqi, mbrëmë në emisionin Konfront, tha se PDK e ka përkrahur dhe është mobilizuar për këtë marsh solidarizues, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

“Unë pa asnjë hezitim dhe asnjë rezervë e kam mbështetur menjëherë si Memli dhe si parti Demokratike të Kosovës, organizimin e marshit solidarizues, i cili në thelbin e vet e ka vetëm një kërkesë, drejtësinë. Nuk është marsh që proteston kundër Gjykatës në kuptimin e ekzistencës së saj. Është një marsh për t’u solidarizuar me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në mënyrë të padrejtë për dy vite e gjysmë janë mbajtur në paraburgim. Tash po fillon gjykimi dhe unë besoj që një marsh i qytetarëve, i cili i tejkalon kufijtë politikë, është i domosdoshëm për t’iu treguar edhe atyre që vërtetë besojnë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, në pafajësinë e tyre dhe jemi me ta moralisht së paku”, deklaroi mbrëmë kreu i PDK-së.

Krasniqi njoftoi se PDK është mobilizuar me mbështetësit dhe anëtarët e saj nga e tërë Kosova për të marrë pjesë të dielën në “Marshin për Drejtësi”. “Është një solidaritet i domosdoshëm dhe shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë do të jem aty, Partia Demokratike e Kosovës është e mobilizuar anë e mbanë Kosovës, me mbështetësit tanë, me anëtarët tanë, që të vijnë në Prishtinë të dielën dhe të dalin të gjithë bashkërisht në këtë marsh që fillon në ora 14:00 te sheshi “Zahir Pajaziti” për të shkuar tutje deri të sheshi “Skenderbeu”, tha Krasniqi.

Ndërsa në ueb faqen e partisë në rrjetin social facebook, shkruan:

PDK-ja mobilizohet në mbështetje të Marshit për Drejtësi!

Partia Demokratike e Kosovës, në të gjitha nivelet dhe me të gjitha kapacitetet e saj, është duke u mobilizuar për pjesëmarrje masive në mbështetje të Marshit për Drejtësi – në shenjë solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së.

Kryetari Memli Krasniqi, anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar, Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK, drejtorët, asamblistët, Degët, Nëndegët dhe aktivistët PDK-së në të gjithë Kosovën, kanë dalë në mbështetje të këtij marshi fuqishëm dhe në të gjitha format – për të dërguar një mesazh të qartë, të drejtë dhe të ndjerë tek ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Liria Ka Emër – UÇK!

Të dielën, me 2 prill, në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, të gjithë bashkë do të marshojmë për drejtësi: Për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, për drejtësinë e historisë tonë më të lavdishme, për ata që na sollën lirinë!

Ejani të gjithë të Marshojmë për Drejtësi!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.