Krasniqi: PDK fituese e këtyre zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nga Prizreni ka shpallur fitoren e subjektit politik që ai drejton në zgjedhjet lokale.

Krasniqi tha se me këto zgjedhje populli i Kosovës ia ktheu shpinën Albin Kurtit dhe vetëvendosjes.

Kreu i PDK-së tha se kjo parti ka fituar në gjithsej 9 komuna të Kosovës përfshirë edhe Prizrenin.

“Shaqa erdhi, sonte jemi në Prizren në përmbyllje të zgjedhjeve lokale edhe pse votat janë diku-diku ende duke u numëruar nga i gjithë vendi tashmë i dimë rezultatet dhe bazuar në këto rezultat me përulësi në emër të PDK dëshiroj t’i informoj të gjithë dhe të shpall fitoren e PDK në zgjedhjet lokale në Kosovë. Sonte fituam në Prizren, fituam në Drenas, fituam në Vushtrri, fituam në Kaçanik, fituam në Dragash, pra fituam në nëntë komuna të Kosovës dhe është një natë e madhe për PDK dhe vendin tonë, sepse fati dhe e ardhmja e qytetarëve tonë do të jenë në duart të sigurta”, tha ai.

Kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi tha se me këto zgjedhje skena politike ka ndryshuar dhe se Partia Demokratike e Kosovës sonte u bë partia më e madhe në vend.

Ai shtoi se nuk ka një forcë të vetme politike pasi populli I Kosovës ia ktheu shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas këtyre zgjedhjeve tashmë skena politike në Kosovë ka ndryshuar nuk ka më një forcë politike dominuese siç ishte 8 muaj më parë populli I Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, sepse populli I Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit nga një njeri, populli I Kosovës e përqafoi thirrjen tonë, e cila ishte shumë e thjesht zgjidhni kandidatët më të mirë votoni për qytetet tuaja, votoni për përmirësimin e cilësisë së jetesës suaj dhe jam shumë krenar që kandidatë tanë të PDK-së u bënë kampion të këtij ndryshimi në politikën tonë. Jam shumë krenar për ta dhe për fushatën e tyre… Partia Demokratike e Kosovës sonte u bë partia më e madhe në vend, sonte u bë partia fitues e zgjedhjeve dhe u bë partia e shpresës për qytetarin e Kosovës. Këtë fitore sonte e marrim me shumë respekt dhe përulësi ndaj gjithë qytetarëve që na kanë besuar kjo është një përgjegjësi e madhe, por kjo do thotë më shumë punë në të ardhmen që na pret. Por më lejoni t’iu siguroj dhe sonte ne do e mbajmë fjalën do i përmbushim premtimet do të jemi gjithmonë me ju”, tha Krasniqi.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj i cili sipas rezultateve preliminare të KQZ-së prinë me mbi 51%, tha se sonte prizrenasit I thanë jo degradimit dhe korrupsionit dhe iu përgjigjen pozitivisht një vizioni të ri të një Prizreni qytetar me një të ardhme të ndritur.

Totaj tha se do të jenë bashkë edhe pas fitores, pasi kanë për të arsyetuar besimin që ua kanë dhënë qytetarët.

“Sot i themi jo një periudhe një periudhe katërvjeçare ku kemi pasur deficit serioz të qeverisjes, sot i themi jo degradimit, sot i themi jo burokracisë korrupsionit, sot i themi po një vizioni të ri, sot i themi po një Prizreni qytetar me një të ardhme të ndritur për arsim më të mirë, për infrastrukturë më të mirë për ekonomi më të mirë… Ndryshimi i vërtetë dihet se nga vjen, dëshiroj të falënderoj qytetarët pa dallim që përkrahën dallimin“, tha Totaj.

Kandidati I PDK-së për Prizrenit, Shaqir Totaj në këtë garë përballë kishte kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.