Krasniqi përkujton Lidhjen Shqiptare të Prizrenit: Organizimi më i madh i shqiptarëve pas Skënderbeut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në 144 vjetorin e mbajtjes së saj, duke e quajtur si organizimin më të madh dhe më të rëndësishëm të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut.

Pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës, fuqizimi i shqiptarëve në Ballkan dhe bashkimi i tyre në ndihmë njëri-tjetrit edhe sot, janë pikërisht synimi dhe amaneti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Nderim të përjetshëm, ka shkruar kryetari Krasniqi.

Postimi i plotë në rrjetin social:

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar nga delegatë të të gjitha viseve shqiptare, me 10 qershor të vitit 1878, saktësisht 144 vite më parë, ishte organizimi më i madh dhe më i rëndësishëm i shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut.

Ishte një lidhje që forcoi shqiptarët politikisht e ushtarakisht, i bashkoi dhe u dha lidership, në një periudhë kur po synohej copëtimi i skajshëm i trevave tona.

Në historinë e lavdishme të popullit tonë, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni e Sulejman Vokshi, do të mbeten përgjithmonë burrështetasit që unifikuan, udhëheqën dhe frymëzuan shqiptarët gjatë gjithë shekullit pasues, për atdhedashuri e luftë për liri.

Pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës, fuqizimi i shqiptarëve në Ballkan dhe bashkimi i tyre në ndihmë njëri-tjetrit edhe sot, janë pikërisht synimi dhe amaneti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Nderim të përjetshëm!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.