Krasniqi: Presidentja Osmani po i nënshtrohet kryeministrit Kurti

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i bindur se pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pushteti do t’i kthehet partisë që ai drejton. Krasniqi tha se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme dhe se kjo mund të bëhet përmes dorëzimit të mandateve të deputetëve.

“Unë shpresoj sa më shpejtë, ne kemi qëndrim zyrtar si parti, bile për të ia lehtësuar kryeministrit egon e sforcuar që e ka i kemi thënë mos jep ti dorëheqje ne po japim dorëheqje si deputetë, po merremi vesh dhe të shkojmë në zgjedhje për 45 ditë”

Tutje Krasniqi tha se Kurti tashmë është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

“Deri tash ka hezituar, tash po e shoh që ka fillu me hy në një modus elektoral edhe prej gjuhës që e përdorë, edhe prej veprimeve që i bën edhe fatkeqësisht edhe për shkak të buxhetit të cilin e ka kaluar. Mendoj se ai është njeri i cili është mësu më shumë me folë sesa me punu, e kam thënë dhe do ta përsëris gjithmonë ai është kampion për propagandë por nuk mund t’i mashtroj gjithmonë. Është një thënie që thotë mund t’i mashtrosh një pjesë të njerëzve një pjesë të kohës, por s’mund t’i mashtrosh gjithë njerëzit gjithë kohën. Bob Marly e thotë, është një nga këngët shumë të mira të tij, e kanë thënë edhe të tjerët por referenca më e mirë është Bob Marley, dhe siç thotë edhe titulli i asaj kënge që është ‘get up, stand up’ edhe këtu njerëzit kanë me u qu, në kuptimin edhe figurativ të fjalës kanë me u qu dhe kanë me e ndërru këtë qeveri” tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk e sheh presidenten Osmani si faktor uniteti në Kosovë.

Krasniqi e kritikoi presidenten Osmani për siç tha nënshtrim ndaj kryeministrit Kurti dhe mos reagim në situata kur është dashur të reagonte.

“Kritika ime ndaj presidentes ka qenë pse ka qenë e nënshtruar në situata kur nuk është dashur të jetë e nënshtruar ndaj kryeministrit. Në shumë situata kur ajo është pritur të ketë një reagim, te sanksionet për shembull, nuk është normale presidentja Osmani të mos thotë asnjë fjalë kur në fund të fundit bile ajo është e vetmja që ka komunikim ndërkombëtar, Kurtin nuk e thirrin në samitin e Bashkimit Evropian edhe Ballkanit Perëndimor, shkon presidentja, jo kryeministri, nuk e thërrasin kryeministrin sepse nuk shihet si partner i besueshëm” tha Krasniqi.

Krasniqi tha se përveç sanksioneve, presidentja është dashur të reagonte edhe në rastin e përjashtimit të FSK-së nga Defender Europe.

“Nuk ka reaguar as në rastin e përjashtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë nga Defender Europë, që ishte stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s. Është dashur të reagoj sepse është presidente, kushtetuta thotë se e përfaqëson unitetin qytetar. Kur po i veshin uniformat për do ditë të rëndësishme, dita e forcës e kështu po thonë jemi edhe komandante supreme, duhet me qenë edhe në ditë të vështira edhe në ditë të mira, këto janë disa nga kritikat, ka edhe të tjera” tha Krasniqi.

Duke folur për refuzimin që të takohet me presidenten Osmani për të diskutuar për draft-statutin e Asociacionit, Krasniqi tha se ai takim do të kishte qenë pa ndonjë rezultat.

“Tash të iu them të drejtën takimi ka qenë takim kortezie, nuk mund të lëshohem në rolin e analistit, çka po ta merr mendja a është kjo ma mirë a ma keq, nuk ish bash mirë ky nen, ja nuk ish mirë ai nen, se çka mund të bëjë presidentja në këtë proces? Asgjë” tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Krasniqi: Kurti ka rritjen ekonomike më të vogël në Evropë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se po e mbyllim vitin 2023 me rritje më të vogël ekonomike krahasuar me periudhën e qeverisjes së PDK-së.

“Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit nuk e prekë as 3.5 përqindëshin, është më e vogël sesa në vitet kur ne kemi qeverisur, përkundër faktit që ne në atë kohë e kemi marrë mandatin në kohën e krizës më të madhe financiare që ka prekur secilin shtet në botë, sidomos pas vitit 2009, sidomos në rajonin tonë ku secili shtet ka qenë në recension, vetëm Shqipëria në stagnacion dhe vetëm Kosova ka pasur rritje pozitive ekonomike” tha Krasniqi.

Krasniqi tha se Kosova këtë vit ka rritjen ekonomike më të vogël në Evropë.

“Sot Kurti e ka rritjen ekonomike prej 3.5%, ndër më të voglat në Evropë, ndërsa rritja e GDP-së është proces natyral, sepse përndryshe padyshim do të kishte zvogëlim të ekonomisë. Ne kemi sot një bruto produkt vendor që vitin e ardhshëm do ta prekë 1 miliardin, që është i mirëseardhur, por që është larg nga bruto prodhimi i cili do t’i adresonte kërkesat e qytetarëve tanë”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Krasniqi shtoi se Kurti po jeton në një realitet alternativ, sepse rezultatet e qeverisjes së tij nuk janë në përputhje me gjërat që i thotë.

“Për realitetin alternativ në të cilin jeton Kurti unë kam folur edhe herëve tjera, unë nuk mund të ia heq atij qëndrimet deluzionale për gjëra të ndryshme, sepse vërtetë është qesharake të thuhet që të tjerët liderë nuk mund t’i shohin as në ëndrra të arriturat e tij, sepse arritjet e tij janë këto, rezultatet më të dobëta në historinë e Kosovës në testin PISA, degradimi i shëndetësisë, migrimi më i madh që e kemi pasur pas viteve të 90-ta, e diplomaci të vdekur klinikisht, e pa asnjë njohje” tha Krasniqi.

https://www.youtube.com/watch?v=1cEts2z741A



PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.