Krasniqi: Qeveria Kurti e ka sjellë korrupsionin në nivele që Kosova kurrë s’i ka parë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në intervistën për Klan Kosova, në emisionin “Rubikon”, me Adriatik Kelmendin, tha se Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që vendi ka pasur deri tani.

“Kjo qeveri e ka sjellë korrupsionin në nivele që Kosova kurrë nuk i ka parë e as nuk i ka pasur, veç ta kemi parasysh që opinioni publik ndoshta me fajin e krejt neve nuk ka arritë me e pa këtë të vërtetë. Kurrë në historinë e Kosovës prej se është shtet nuk ka pasur më shumë tendera njëburimorë se që ka tash dhe nuk po flas vetëm për KEK, prej Ministrisë së Infrastrukturës, te Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai shtoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë dhënë qindra mijëra euro për tenderë njëburimorë.

“Nuk mujsha me besu çka kanë bërë në vitin 2021 dhe nuk mund t’i mbulojnë ato. Krejt fushën mjetet e trashëgimisë kulturore i kanë shpërndarë kinse për programin e intervenimeve emergjente, e që nënkupton që duhet me e sanu gjendjen me një kullë, ose aset të trashëgimisë kulturore kur ndodhë për shkak të motit, natyrës për shkak të çarjes së ndonjë muri deri në 10 mijë euro, këta kanë dhënë deri në 300 mijë euro tendera me ble edhe mobile duke u thirr në veprime emergjente” tha Krasniqi.


Krasniqi, Kurtit: Njeriu i popullit nuk sillet me 20 truproja

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk mund cilësohet një njeri i popullit dikush të cilin e ruajnë 20 truproja.

“Frikësohet edhe mirë bile, frikën e shohim në çdo veprim të tij, Albin Kurti është esencialisht frikacak, se një njeri që nuk frikësohet më së pari prej popullit të vet nuk sillet me 20 truproja dhe 10 xhipa, se nuk ka ndodhë në Kosovë kurrë, as para as pas luftës, një lider, e lëre më kryeministër a president, me pasë roje e policë special që i kontrollojnë trupat e aktorëve që shkojnë në shfaqje me pa kryeministri, frikacaku ndryshe nuk definohet” tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Krasniqi i cilësoi si të turpshme vizitat e Kurtit në përvjetorët e masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë.

“Send më të turpshëm nuk ka se kur në përvjetorët e pranverës së dhimbshme të Kosovës sidomos gjatë muajit prill kur shkon në një fshat ku njerëzit i përkujtojnë dhimbjen e masakrave i sheh nja 30 policë edhe nja 25 xhipa rend” tha Krasniqi.


Krasniqi: Shkarkimi i Ekipit Menaxhues ishte shou i Kurtit  

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi shkarkimin e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit si një aktrim të Qeverisë Kurti.

Krasniqi tha se sikur ai të ishte kryeministër, nuk do të lejonte që një ekip i emëruar nga kryeministri i Kosovës të shkonte në Bruksel sikur të ishte palë e ndërmjetësit.

“Ky ishte një shou i vogël, sepse shkarkimin që e bënë dje kanë mundur ta bëjnë paraprakisht dhe ta emërojnë dikë tjetër, sepse është kompetencë që i takon qeverisë, andaj unë nuk e kuptoj këtë aktrim sepse nuk ka funksion. I kanë lënë atje të vijnë, të prezantojnë, një instancë institucionale e emëruar nga Kosova me një dokument kundër Kosovës, përse të bëhet ky shou?”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Krasniqi tha se ajo që Kurti e prezantoi si draft vizion për Asociacionin është qesharake, ku atë e krahasoi me gjashtë pikat që kreu i qeverisë i prezantoi në kuvend për marrëveshjen.

“Kurti doli në konferencë për shtyp dhe na tregoi se e ka dhënë një draft vizion. Më e reja si terminologji, kom dëgjuar që ka vizion, por draft vizion është qesharake, kish qenë mirë me na tregu ndonjë gjuhëtar se si mundet një njeri me e pasë një draft të vizionit”.

“Ky draft vizon është si ato gjashtë pikat që na i prezantoi në Kuvend, ai na ka thënë se asgjë nuk ndodhë, nuk ka marrëveshje pa u bërë 1, 2, 3, 4,5 6 dhe njohjen nga Serbia dhe në fund asgjë nuk ndodhi, edhe këto 11 pika janë të njëjta, do të përdoren për militantizëm të brendshëm dhe prapë ajo do të jetë baza e statutit”, tha Krasniqi.


Krasniqi: Në Bruksel Kurti e inkriminoi Kosovën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është treguar i ashpër duke folur për Deklaratën për Personat e Zhdukur, për të cilën Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi u pajtuan me 2 maj në Bruksel.

Krasniqi e cilësoi si shumë problematike periudhën kohore e cila mbulohet nga kjo Deklaratë.

“Këtu janë dy probleme të mëdha, e para nuk e kuptoj logjikën e kryeministrit që po e përsëritë në dy raste që ‘personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 98 dhe 31 dhjetor 2000’, një vit e gjysmë pas luftës, çfarë inkriminimi i bën Kosovës dhe shqiptarëve ky njeri? Kjo është logjikë anti-historike të cilën nuk ka mundësi ta arsyetoj, sepse lufta ka përfunduar në Kosovë”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Tutje, Krasniqi theksoi se problemi themelor i Deklaratës është fakti se e barazon palën kosovare dhe atë serbe në konflikt.

“Problemi tjetër është barazia e palëve, nuk mund ta mohojmë faktin që ka edhe serb të zhdukur në mesin e 1617 ende të pagjeturve, por nëse kërkohet që palët t’i shkëmbejnë të dhënat, dokumentet, informatat, kjo Kosovë që Kurti në emër të saj e ka pranu këtë deklaratë ekziston nga 17 shkurt të vitit 2008 dhe si e tillë nuk ka ekzistu në periudhën për të cilën janë dakordu, andaj duhet të kishte mos pranim të këtij definicioni, sepse po na bën palë të barabarta në konflikt”, tha Krasniqi.

https://www.youtube.com/watch?v=KXhzALHlkic

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.