Krasniqi takohet me studentët e mjekësisë: E kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është takuar me disa studentë të Fakultetit të Mjekësisë.

Ai ka thënë se është shqetësuese që shumica e të rinjve, sidomos studentët e mjekësisë kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës, prandaj të ardhmen e tyre nuk po e shohin në vendin tonë.

”Është shqetësuese që pjesa dërmuese e të rinjve tanë, e në veçanti studentët e programeve të mjekësisë, si dhe mjekët e rinj, po ndjekin rrugën e mërgimit, në mungesë të cilësisë në arsim, perspektivës, pagave dinjitoze, kushteve të mira dhe sigurisë në punë. Shumë prej tyre e kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës, prandaj nuk po e shohin ndërtimin e së ardhmes së tyre në vend,” ka shkruar Krasniqi.

Tutje, i pari i PDK-së thotë se rinia e Kosovës dëshiron garancë për një të ardhme të sigurt, teksa ka bërë thirrje për ta ndaluar emigrimin e tyre.

”Duke qenë të indinjuar me brishtësinë e ekonomisë, sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, si pasojë e keqqeverisjes, vajzat dhe djemtë e Kosovës duan një garancë për një të ardhme të sigurt këtu. Prandaj, është e domosdoshme të bëhemi bashkë dhe të veprojmë menjëherë për të ndalur emigrimin masiv të qytetarëve. PDK është e përkushtuar në këtë mision për ta rikthyer shpresën dhe besimin në Kosovë,” përfundoi ai.

https://www.facebook.com/memli.krasniqi/posts/725156645649735

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.