Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi: Kryeministër, trajtoni dinjitetshëm e pa dallime të gjitha komunat

Prishtinë - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ka thënë se rendi e do që të ndajmë pikëpamje, mbi mësimet e nxjerra nga ky proces, ku në krye të të gjithave, konsideratat më të larta janë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim, për kulturën e lartë politike që kanë treguar. 

 “Në rrafshin përmbajtësor, ajo çfarë këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah, është njohja me profilin e ri të qytetarit të Kosovës. Një qytetar i mirë informuar, që beson në program dhe di të vlerësojë programe. Që nuk i nënshtrohet qeverisjes, por që e kontrollon qeverisjen. Një qytetar sovran.”, ka thënë Krasniqi. 

Ai ka shtuar se ky është një standard që na imponohet të gjithëve, pavarësisht pozitave që mbajmë e roleve që ushtrojmë, sot apo në të ardhmen. Ai i ka bërë ftesë kryeministrit Kurti që të mbështesë të gjitha komunat, pa dallim. 

“Qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por qeveria qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë, barabartë dhe pa diskriminim. Ajo se ku kemi fituar e ku kemi humbur zgjedhjet, nuk duhet të errësojë veprimin e drejtë dhe të duhur, për t’i trajtuar dinjitetshëm të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.”, ka thënë Krasniqi. 

 “Zgjedhjet lokale janë për qytetarë dhe jo për politikanë. Kryeministër, ftesa ime ndaj jush është e sinqertë. T’i përmbaheni asaj çfarë është përgjegjësi e juaja si qeveri dhe si kryeministër. Dhe këto përgjegjësi, sot janë më të mëdha se zakonisht. Prandaj, kuptojeni këtë ftesë drejt, për t'u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij. Sepse qytetari i Kosovës, në këto zgjedhje ka folur shumë qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm, është i pamjaftueshëm.”, ka thënë më tutje Kryetari Memli Krasniqi. 

Në fund, ai ka falënderuar të gjithë qytetarët pa dallime, që në këto zgjedhje, i kanë besuar projektit politik të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë projekt për ta dhe ekskluzivisht në dobi të tyre.“Të gjithë kryetarëve të zgjedhur nga vota e lirë, ju dëshiroj punë të mbarë, qeverisje kompetente, të bazuar në ligj dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.”, ka përfunduar ai.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.