Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot shënojnë 23 vjetorin e themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi tha se kjo organizatë rinore pandalshëm ka kontribuar në formësimin e vizionit dhe misionit të PDK-së.
“Me aktivitetin dhe angazhimin e aktivistëve të rinisë së PDK-së, janë realizuar shumë punë e projekte në të mirë të komunitetit, komunave e shtetit tonë. Energjia dhe vullneti i të rinjve tanë kanë qenë shtylla të aktivitetit tonë politik për më shumë se dy dekada”.
“Jam shumë i lumtur dhe tejet krenar me faktin se çdo herë e më shumë të rinjë kontributin ndaj vendit po e shohin përmes PDK-së. Si dikush që rrugëtimin politik e ka nisur si i ri, janë tri gjëra që unë aktivistëve tanë të rinj ua garantoj në vazhdimësi: hapësirën për veprim, besimin në angazhim dhe përgjegjësinë në vendimmarrje”, tha Krasniqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai tha se këtë të dielë, një gjeneratë e re e vajzave dhe djemve me potencial premtues që i janë bashkuar Rinisë Demokratike, do të zgjedhin përfaqësuesit dhe strukturat e tyre drejtuese.
“Të gjithë aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës, të çdo gjenerate, i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin e deritashëm”, ka thënë Krasniqi.