Kryetari Krasniqi në ShBA takon kongresmenin Pete J. Sessions dhe z. Winternitz

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar kongresmenin Pete J. Sessions, ku u shpreh përkushtimi i dyanshëm për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përveç përkushtimit për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Kongresmenin Pete J. Sessions, kuptuam se të përbashkët e kemi edhe vlerësimin për një ndër teoricientët favorit për të dy, Hans J. Morgenthau, që kosiderohet si themelues i shkollës së Realizmit në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare”, ka shkruar në rrjetin social z. Krasniqi.

Pas takimit, z. Krasniqi ka cekur se “Gjatë bisedës sonë, m'u kujtua një nga citatet e tij të famshme nga libri klasik “Politika Ndërmjet Kombeve”, që thotë: “Realizmi politik nuk e kërkon, e as nuk e pranon, indiferencën ndaj idealeve politike dhe parimeve morale, por kërkon me të vërtetë një dallim të mprehtë ndërmjet të dëshirueshmes dhe të mundshmes - ndërmjet asaj që është e dëshirueshme çdokund dhe në çdo kohë dhe asaj që është e mundshme nën rrethanat konkrete të kohës dhe vendit”.

Po ashtu, kryetari Krasniqi gjatë qëndrimit në ShBA, ka takuar Drejtorin Kryesor të Departamentit të Mbrojtjes për Evropën dhe Politikat e NATO-s, Andrew L. Winternitz.

Me këtë rast, në rrjetin social, kryetari Krasniqi ka shkruar:

Nder i jashtëzakonshëm të takoj në Pentagon, Drejtorin Kryesor të Departamentit të Mbrojtjes për Evropën dhe Politikat e NATO-s, Andrew L. Winternitz.

Bashkë diskutuam për sfidat e vazhdueshme të sigurisë me të cilat po ballafaqohet bota në përgjithësi, por edhe Ballkani Perëndimor në veçanti. Kërcënimet direkte që vijnë nga ndikimi rus në Ballkan, kërkojnë vëmendje dhe reagim të matur e profesional shtetëror.

Z. Winternitz e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumëdimensionale që SHBA i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Kosova është e lumtur dhe krenare që në rrugën e fuqizimit dhe shtetndërtimit ka një aleat si SHBA-të!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.