Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me bashkëpunëtorë, sot ka takuar strukturat drejtuese të Degës së PDK-së në Shtime, me ç’rast u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohen qytetarët e kësaj komune, si pasojë e qeverisjes së keqe.
Z. Memli Krasniqi ka shkruar se shprehu shqetësimin “për neglizhimin që Qeveria e Kosovës po u bën ndërmarrësve të kësaj komune, e në veçanti fermerëve, duke mos ofruar mbështetjen e nevojshme dhe duke injoruar kërkesat e tyre”.
Fatkeqësisht, ka cekur kryetari Krasniqi, qytetarëve tanë çdo ditë e më shumë po u cenohet mirëqenia, për shkak të qeverisjes së dobët e skandaleve të kësaj qeverie të papërgjegjshme.
PDK nga pozicioni opozitar do të angazhohet në ofrimin e zgjidhjeve konkrete, për të shtyrë përpara të gjitha kauzat në interes të qytetarëve, që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetës së tyre, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social.