Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar takim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Uashington, ku u prit nga drejtori për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Adi Muzurovic.
SHBA-të kanë qenë një aleat i besueshëm dhe pazëvendësueshëm përgjatë ngritjes së shtetit tonë, andaj, fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimi i mëtutjeshëm në këtë periudhë të sfidave të kohës, është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Sot, në Washington DC, zhvillova një takim tjetër me Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC).
Drejtorin Muzurovic e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në garantimin e sigurisë në Kosovë – si fundament i fuqizimit të shtetësisë sonë.
Bashkë diskutuam edhe në lidhje me zhvillimet aktuale politike, posaçërisht për dialogun Kosovë – Serbi. Unë ritheksova edhe një herë qëndrimin e PDK-së për pesë shtyllat që duhet të dalin nga marrëveshja eventuale, të cilat, përveç ruajtjes së karakterit unitar të shtetit sipas rregullimit aktual kushtetutes, përfshijnë edhe njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, si rezultat i domosdoshëm i këtij procesi.
SHBA-të kanë qenë një aleat i besueshëm dhe pazëvendësueshëm përgjatë ngritjes së shtetit tonë, andaj, fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimi i mëtutjeshëm në këtë periudhë të sfidave të kohës, është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë.