Kundër uzurpimit partiak të shtetit – në mbrojtje të rendit kushtetues!

Ndërprerja e sotme e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nga Kryesuesi i saj, është një akt i paprecedent dhe i papranueshëm. Ky veprim arbitrar, i ndërmarrë në mënyrë të njëanshme dhe i shtyrë nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, përbën një uzurpim të pastër institucional dhe një tentativë të rrezikshme për ta bllokuar funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës.

Deputetët e zgjedhur dhe të certifikuar nuk u lejuan që ta votojnë raportin e Komisionit përkatës, që do t'i hapte rrugë betimit të tyre si përfaqësues të qytetarëve në Kuvend. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe rregullave të funksionimit të legjislativit tonë.

Është e qartë se koalicioni që ka dalë i pari në zgjedhje, i vetëdijshëm për mungesën e shumicës parlamentare, po përdor skenarë të parapërgatitur për ta penguar themelimin e institucioneve.

Kryesuesi i seancës nuk ka mandat as për të zhvilluar “konsultime” e as për ta ndërprerë seancën sipas tekeve të tij, por vetëm për ta drejtuar seancën konstituive dhe për të proceduar me hapat që i parasheh skenari i seancës, të cilin sot nuk e respektoi fare.

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton këtë veprim të turpshëm e të rrezikshëm dhe kërkon vazhdimin sa më të shpejt të seancës konstituive.

Në mungesë të votave, VV dhe aleatët e saj nuk kanë të drejtë ta mbajnë peng Republikën. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për përfaqësim demokratik dhe për përgjegjësi politike – jo për krizë të qëllimshme.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.