Në përvjetorin e 23-të të masakrës në Abri të Epërme, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka përkujtuar martirët e Familjes Deliu dhe dëshmorët e kësaj ane, duke e quajtur si një nga monumentet që manifeston sakrificën për liri.
"Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk janë ndëshkuar as planifikuesit, as urdhërdhënësit e as ekzekutuesit e kësaj masakre të tmerrshme. Prandaj drejtësia ndaj tyre, është imperativ që nuk mund të tjetërsohet", ka shkruar Memli Krasniqi.
Postimi i plotë:
Një nga monumentet që manifeston sakrificën për liri është Abria e Epërme, vendi ku forcat e armatosura serbe, kryen një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj familjes Deliu.
23 vjet më parë, makineria vrastare serbe martirizoi 23 pjesëtarë të një familjeje, nga foshnja gjashtë muajshe në djep e deri te plaku 94 vjeçar, gra shtatzëna dhe fëmijë.
Në përpjekje për t'a mbrojtur pragun e shtepisë, po atë ditë, ranë dëshmorë Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj!
Në çdo përvejtor të kësaj masakre, kujtojmë me nderim e dhimbje martirët e Abrisë, të cilët janë pjesë e pandashme e kujtesës sonë, në rrrugën e sakrificës për liri.
Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk janë ndëshkuar as planifikuesit, as urdhërdhënësit e as ekzekutuesit e kësaj masakre të tmerrshme. Prandaj drejtësia ndaj tyre, është imperativ që nuk mund të tjetërsohet.
Lavdi martirëve e dëshmorëve të Abrisë.