Memli Krasniqi: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, BE-ja t’i heq vizat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Vlora Çitaku, ka pritur të premten në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në këtë takim, Krasniqi ka kërkuar që BE-ja sa më parë ta marrë vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën shengen pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, duke thënë se PDK-ja do të vazhdojë ta mbështesë synimin shtetëror për integrimin në BE.

Postimi i z. Krasniqi:

“Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet nacional i yni dhe PDK-ja do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces në çdo drejtim. Në takim me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e konfirmova këtë qëndrim, si dhe përsërita kërkesën që BE sa më parë ta marrë vendimin që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në zonën shengen, kur tashmë disa herë është konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”