Memli Krasniqi: Mësimdhënësit po kërkojnë dinjitet, kryeministër gjej zgjidhje

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi në javën e tretë të grevës së mësimdhënësve, ka akuzuar kryeministrin Kurti për kryeneçësi.

Krasniqi, në një postim në Facebook, është shprehur se refuzimi i Qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit.

“Mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot, e do të duhej të ishin në shkollë qe gati tri javë. Refuzimi i Qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit. Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodhë si pasojë e kokëfortësisë së Qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente”, shkruan lideri i PDK-së.

Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri që të gjejë zgjidhje për hir të nxënësve dhe të mos e nëpërkëmb dinjitetin e mësimdhënësve.

“Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë – por, vetëm dinjitet! Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë. Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tonë të dytë. Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, shkruan Krasniqi.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.