Memli Krasniqi në Prekaz: Këtu është shënuar kthesa më e madhe në historinë e re të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me deputetë, drejtuesit qendror e lokal të PDK-së, kryetar komunash dhe qytetarë, ka vënë buqeta me lule dhe ka bërë homazhe në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz dhe Memorialin e dëshmorëve në Marinë.

pikërisht këtu në Prekaz, 24 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e fitoi fuqinë që e kërkonte për t'u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës, e më pas trasuese e rrugëtimit drejt pavarësisë dhe shtetit që e kemi sot, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i Memli Krasniqit:

Sa herë që vijmë këtu, në Prekazin e lavdisë së përjetshme, veçanërisht në datat 5, 6 dhe 7 mars, në datat e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nderim dhe përulje e me respektin maksimal, e përkujtojmë luftën titanike dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari.

Këto data kanë shënuar kthesën më të madhe në historinë e re të Kosovës, sepse jo vetëm kanë zgjuar vëmendjen e të gjithë botës, por edhe vetëdijen e gjithë kombit tonë, duke e vulosur të vërtetën se pa një kryengritje dhe një luftë të armatosur, populli i Kosovës nuk do të fitonte asnjëherë lirinë.

Andaj, pikërisht këtu në Prekaz, 24 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e fitoi fuqinë që e kërkonte për t'u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës, e më pas trasuese e rrugëtimit drejt pavarësisë dhe shtetit që e kemi sot.

Ndërsa sot, çdo vizitë në Prekaz na shërben për t'u frymëzuar secili prej nesh që kemi një detyrë e përgjegjësi publike, për të bërë punë të mira për vendin dhe për të vazhduar ndërtimin e një shteti të zhvilluar, i cili i ofron perspektivë e dinjitet secilit qytetar të Kosovës.

Edhe në këto momente do të kishim dëshirë t’i kishim pranë nesh edhe bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të gjithë të tjerët që sot nuk janë këtu, por që po e vazhdojnë një betejë të re për të drejtën tonë, për të vërtetën dhe për historinë tonë.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.