Memli Krasniqi përgëzon anëtarët, zyrtarët dhe përkrahësit e PDK-së me rastin e 22 vjetorit të themelimit të partisë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet një urimi të gjatë, ka përgëzuar anëtarë, zyrtarë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës, me rastin e 22 vjetorit të themelimit.

Krenare për rrugëtimin e saj, për trashëgiminë e saj politike, si bartëse e kauzës së luftës për çlirim, për angazhimin për pavarësi dhe shtetndërtim, Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 22 vjet të themelimit të saj, ka shkruar Krasniqi.

Memli Krasniqi ka cekur se "Ndonëse të lënduar, jemi më unikë e më të vendosur se kurrë, që misionin dhe vizionin tonë për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta shpiem aty ku duhet.

Duke u krenuar me të kaluarën tonë dhe me vlerat tona politike në këto 22 vjet, sot ne kemi për mision zhvillimin, mirëqenien dhe krijimin e mundësive të barabarta për qytetarët e Kosovës, veçmas për të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë".

Urimi i plotë:

Të nderuar anëtarë, zyrtarë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës,

Të dashur qytetarë,

Krenare për rrugëtimin e saj, për trashëgiminë e saj politike, si bartëse e kauzës së luftës për çlirim, për angazhimin për pavarësi dhe shtetndërtim, Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 22 vjet të themelimit të saj.

Urime të gjithëve!

Pas një sakrifice të madhe gjithëpopullore, ideali i shenjtë për liri dhe lufta jonë çlirimtare si projekt u përmbyllën me sukses, për t’i dhënë mundësi realizimit të lirisë në të gjitha dimensionet e saj, si dhe materializimit të pavarësisë së shtetit tonë.

Kultivimi i lirisë sonë politike e qytetare dhe i shtetit tonë sovran e demokratik ishin themele të kauzës së partisë sonë që në fillet e misionit të saj politik, teksa patriotë, luftëtarë të lirisë, intelektualë, e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës themeluan Partinë Demokratike të Kosovës dhe ecën së bashku në këtë projekt kombëtar.

Udhëheqësit e PDK-së, së bashku me qytetarët e Kosovës, për vite me radhë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, për ta shtruar rrugën e pavarësisë - duke arritur që ta përmbyllin me sukses themelimin e shtetit në vitin 2008.

Atë çfarë PDK-ja dhe njerëzit e saj e kishin mision dhe vizion politik, e manifestuan në ngritjen e shtetit tonë të ri, mbi një themel të fortë, të qëndrueshëm e të pathyeshëm, duke i dhënë shpirt projektit politik të shtetndërtimit.

Tashmë për 22 vjet, Partia Demokratike e Kosovës ka bartur mbi vete përgjegjësitë më të mëdha politike për të forcuar demokracinë tonë, shtetin tonë dhe partneritetin me aleatët tanë.

Gjatë kësaj rruge, PDK-ja ka pasur vështirësi, por shumë më shumë suksese. Ka pasur edhe humbje, por ka arritur shumë fitore.

Por, përkundër të gjithave, PDK-ja nuk është ndalur kurrë dhe s’ka për t’u ndalur kurrë, sepse misioni, angazhimi dhe vlerat politike të saj janë të përbashkëta me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.

Krenohemi që së bashku me qytetarët kemi transformuar Kosovën dhe i kemi dhënë jetë mundësive zhvillimore të saj. Dhe, jemi të gatshëm e të motivuar për t’i dhënë Kosovës shumë më shumë se deri më tash.

Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar këtë datë. Ata po ballafaqohen me betejën e fundit për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së pastër për çlirim, nga e cila betejë, jemi të bindur se do të dalin fitimtarë, për t’u kthyer në mesin tonë ashtu siç edhe janë - si heronj.

Ndonëse të lënduar, jemi më unikë e më të vendosur se kurrë, që misionin dhe vizionin tonë për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta shpiem aty ku duhet.

Duke u krenuar me të kaluarën tonë dhe me vlerat tona politike në këto 22 vjet, sot ne kemi për mision zhvillimin, mirëqenien dhe krijimin e mundësive të barabarta për qytetarët e Kosovës, veçmas për të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë. Një mision që synon ngritjen e shtetit tonë në rang të barabartë mes vendeve dhe shteteve demokratike. Që kultivon marrëdhënie të qëndrueshme e të përhershme me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera mike. Që ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektivës për zhvillim për çdo qytetar. Që rrugëton e mirëmbahet nga integriteti, meritokracia, ligji e përgjegjësia. Që është adresë prej së cilës, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës gjejnë mbështetje për t’i realizuar ambiciet e veta. Mision për qytetarin dhe mirëqenien e tij. Mision për ta parë në vepër çlirimin e potencialit dhe begative që vendi ynë i dashur mund t’ua ofrojë të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës.

Këtë mision do ta përmbushim bashkë, për të sotmen dhe të ardhmen. Bashkë për Kosovën!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.