Memli Krasniqi takon kryetarin e PD-së Lulzim Basha: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri mbetet prioritet i prioriteteve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe thellimin e bashkëpunimit mes PDK-së dhe PD-së.

Krasniqi u shpreh i kënaqur për mikpritjen dhe falënderoi Bashën për gatishmërinë e tij për përforcimin bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy partive që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik.

“Vërtetë është kënaqësi që ditën e dytë të vizitës sime të parë zyrtare si kryetar i PDK-së ta filloj në Partinë Demokratike këtu në Shqipëri me mikun tim dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, jo vetëm si dy liderë të opozitës në dy vendet tona, por edhe si dy udhëheqës partish që kanë pasur bashkëpunim për shumë vite edhe bilateralisht, por edhe në forume ndërkombëtare si dy parti që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik të qendrës së djathtë.”, tha ai.

Lideri i PDK-së theksoi se përtej kësaj, në takim u diskuta në detaje për tema të brengave të përbashkëta.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfera ku ka nevojë të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin koordinimin edhe institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është shembull i mirë se pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona, ne bashkpunimin Kosovë – Shqipëri, Shqipëri – Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve, andaj gëzohem që edhe si dy udhëheqës të partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta.”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i PD-së, Lulzim Basha përgëzoi PDK-në për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës dhe për rolin që vazhdon të luajë si opozitë konstruktive në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës, si dhe i uroi punë të mbarë kryetarit Memli Krasniqi si përfaqësues i një brezi të ri të lidershipit dhe si shembull i mirë për tërë rininë shqiptare se është koha për të mbajtur mbi supe barrën që sjellë politika.

Pas takimit në rrjetin social, z. Memli Krasniqi ka shkruar:

Në ditën e dytë të vizitës sime të parë në Shqipëri si kryetar i PDK-së, sot kisha kënaqësinë të takoj mikun tim, Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Me kreun e opozitës në Shqipëri diskutuam për situatën aktuale politike në dy vendet tona por edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të dy partive tona.

Kosova dhe Shqipëria duhet ta thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe të gjithë akterët politikë, pavarësisht nga pozicioni i pushtetit apo i opozitës, duhet të japim kontributin tonë në interes të qytetarëve tanë, pa dallime politike.



PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.